Pavarësisht protestave të shoqërisë civile, Parlamenti shqiptar ka miratuar sot në mbrëmje ligjin për importin e mbetjeve, duke përfshirë dhe amendamentin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që shoqëria civile të mbikëqyrë procesin e importit të mbetjeve.
Ligji mori 63 vota pro.
Më herët, ministri i Mjedisit, Lefter Koka, gjatë fjalës së tij në Kuvend ka pohuar se industria e riciklimit përllogarit një investim të biznesit vendas me mbi 200 milionë euro dhe 35.000 njerëz të punësuar. Ai pohoi se aktualisht, kjo industri punon me 30% të kapacitetit, ndërkohë që importojmë në këto 3 vite letër, plastikë, karton skrap duke u rritur artificialisht koston industrialistëve. Ai tha se kemi mekanizma dhe instrumente kontrolluese dhe punonjësit janë të trajnuar e specializuar në institucionet e huaja homologe. “Qëllimi ynë është të formalizojmë këtë sektor të vetëpunësimit. Është dramatike dhe e rëndë për të gjithë ne, pamja ku këta të vetëpunësuar i shohim në kontenitorët e mbetjeve. Në vetvete ky është një nga parimet bazë të ligjit të menaxhuar të mbetjeve, ku 3 janë shtyllat bazë: Ripërdorim, Riciklim që bën dhe lëndën e parë për industrinë dhe Rikuperimi”, tha Koka.
Ligji parashikon rilejimin e importit për mbetjet e ngurta jo të rrezikshme të listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit.
Shoqëria civile e ka kundërshtuar ashpër këtë ligj, pasi një pjesë e mbetjeve që do lejohen të riciklohen konsiderohen të rrezikshme, ndërkohë që nuk garantohet as kontrolli i importit të mbetjeve, duke rrezikuar ta kthejnë vendin në një kosh plehrash të Europës.
Ligji për lejimin e importit të plehrave u miratua nga qeveria e mëparshme në vitin 2011, por u amendua nga qeveria ‘Rama’ në shtator të vitit 2013, sapo erdhi në pushtet, për t’u futur sërish në axhendë tre vjet më vonë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.