Pas një faze të gjatë konsultimesh, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë paraqiti në Kuvend projektligjin për vullnetarizmin, i cili hartohet për herë të parë në Republikën e Shqipërisë. Ky projektligj synon rritjen e pjesëmarrjes së të gjitha grupmoshave në aktivitetet vullnetare, duke sjellë një ndikim të madh social dhe përfitime për komunitetin dhe shoqërinë, në fushat kryesore si:
1. Qytetarinë Aktive dhe shërbimet komunitare – Vullnetarizmi përfshin pjesëmarrjen direkte të qytetarisë në aktivitete të ndryshme duke sjell përfitime për shoqërinë në përmirësimin e situatës në komunitet lokale, rritjen e përgjegjësisë qytetare, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e shoqërisë dhe demokracisë.
2. Politika sociale – shumë aktivitete të vullnetarizmit dhe të shërbimeve komunitare përfshijnë promovimin e kohezionit social, përfshirjen sociale dhe integrimin. Aktivitetet vullnetare nxisin angazhimin në funksion të shoqërisë dhe nevojave të të tjerëve, njerëzve të margjinalizuar, fëmijëve dhe të rinjve të pafavorizuar, apo grupeve të ndryshme në nevojë.
3. Mbledhja e statistikave.- nevoja për krijimin e statistikave dhe informacionit të detajuar për vullnetarët është mjaft e rëndësishme. Aktualisht statistikat për aktivitete vullnetare apo vullnetarizmin nuk janë të strukturuara dhe të standartizuar në nivel kombëtar. Kjo paraqet një sfidë të madhe në kushtet që duhet të kuptojmë me saktësi vullnetarizmin, vecanërisht ndikimin e tij në shoqëri dhe mbështetjen e qeverisë.
Qëllimi i këtij ligji është “Rregullimi ligjor i vullnetarizmit me synimin për të rritur pjesëmarrjen e individëve në jetën sociale, për përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitet si dhe zhvillimin e vlerave te solidaritetit njerëzor”
Ligji i Vullnetarizmit do të mundësojë përcaktimet e sakta të “vullnetarizmit”, “vullnetarit”, “ofruesit të vullnetarizmit”, “përfituesi i vullnetarizmit”, “vullnetari i huaj” etj. Kjo është parësore në mbrojtjen e Vullnetarizmit dhe të organizimit të drejtë dhe të denjë të punës së përsonave që duan të marrin eksperiencë duke ndihmuar komunitetitin.
Projektligji për herë të parë do të mundësojë vullnetarët me një kontrat vullnetarizmi dhe me Librezën e Vullnetarit, e cila do të zyrtarizojë dhe vërtetojë vullnetarizmin. MMSR do të punojë për hartimin e formës dhe përmbajtjen e Librezës së Vullnetarit.
Projektligji përcakton Shërbimin Kombëtar të Punësimit si insititucionin përgjegjës për mbajtjen e të dhënave te ofruesve të vullnetarizmit dhe vullnetarëve si dhe për plotësimin e Librezës për vullnetarizmin.
Qendrat Rajonale Rinore, të administruara nga Shërbimi Kombëtar për Rininë, do të shërbejnë si pika kontakti dhe informimi për të gjithë të interesuarit në vullnetarizëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.