Kuvendi miraton TVSH-në 6% në turizëm

04/05/2017 2:36 PM 0 komente

Një tjetër pr/ligj që mori miratimin e Kuvendit ishte edhe ulja e TVSH për akomodimin (fjetjen) në sektorin e turizmit në 6% nga 20% që aplikohej deri tani.

Vendimi erdhi pas një kërkese disavjeçare që ka bërë sektori. Kjo masë ka dy përfitime kryesore sipas sektorit të akomodimit në vend:

E para, e fut sektorin e akomodimit, por edhe të turizmit shqiptar në të njëjtin sistem fiskal me vendet e rajonit dhe shumicën e vendeve europiane dhe e dyta është një masë që do të stimulojë më shumë formalizimin e tregut.

Nga ana tjetër bizneset kanë mundësi që të ardhurat që kursejnë nga ulja e kësaj takse, t’i investojnë në trajnime për stafin e tyre, në investime, si dhe në një mundësi më shumë për të ofruar edhe çmime më konkurruese. “Formalizimi ka edhe aspekte të tjera pozitive sepse do të kemi statistika më të sakta, njohje dhe kontroll të tregut, planifikime më të mira, si dhe bazë më të ndershme konkurrueshmërie.

Ekspertët thonë se këto efekte do të duan kohën e tyre për t’u reflektuar në treg.

Sipas hartuesve ky ligj ka ndikim negativ në të ardhurat e buxhetit të shtetit, në zërin “Të ardhura nga TVSH-ja, por që pritet të sjellë një impakt pozitiv dhe rritjen në
të ardhura nga zhvillimi i sektorit të turizmit. Për shkak se në sektorin e turizmit përfshihen një sërë shërbimesh, përveç akomodimit në hotel, p.sh. restorante
apo shërbime të tjera argëtimi, llogaritja e efekteve është bërë më përafërsi. Nga përllogaritjet, duke marrë parasysh TVSH-në e mbledhur nga sektori i turizmit për vitin 2016, efekti negativ në buxhet do të jetë me përafërsi rreth 1,1 miliardë lekë.

Sektori i turizmit është një nga sektorët me rritjen më të shpejtë të shekullit të 21-të, me një kontribut të konsiderueshëm në rritje e Produktit të Brendshëm Bruto, rritjen e të ardhurave nga shkëmbimi valutor si dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Vitet e fundit sektori i turizmit ka patur një vëmendje të veçantë nga ana e qeverisë shqiptare, si një nga sektorët prioritarë në zhvillimin ekonomik të vendit. Synohej vendosja e Shqipërisë si një destinacion ipreferuar në ofertën mesdhetare të tregjeve ndërkombëtare të turizmit, duke krijuar një imazh të ri për Shqipërinë turistike dhe duke ofruar shërbim në përputhje me standardet
ndërkombëtare.

Të dhënat mbi numrin e vizitorëve këto katër vitet e fundit (2013 – 2016) kanë treguar se jemi në rrugën e duhur. Nga viti 2013 në vitin 2016 ka patur një rritje prej 45,4 % të numrit të shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë.

Ulja e barrës fiskale vetëm për akomodimin në strukturat akomoduese, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fushën e turizmit, do të sjellë efekte pozitive, konkretisht, përmirësimin e
shërbimit dhe të cilësisë, do të nxisë rritjen e numrit të turistëve, krijimin e vendeve të reja të punës etj.

TVSH-ja e turizmit në rajon

Aktualisht, 22 vende anëtare të BE-së aplikojnë normë të reduktuar të TVSH-së për akomodimin në hotele dhe 20 prej tyre aplikojnë një normë më të vogël se 10%.
Vendet e rajonit që aplikojnë një normë të reduktuar janë:
-Serbia, që aplikon normën e reduktuar prej 10% për një kategori të caktuar mallrash dhe shërbimesh, ku, ndër të tjera, përmendim akomodimin në hotel dhe një normë standard të TVSH-së në masën 20% .
-Maqedonia, që aplikon një normë të reduktuar prej 5% për një kategori të caktuar mallrash dhe shërbimesh, në të cilën bën pjesë edhe akomodimi në hotel dhe një normë standard e TVSH-së në masën 18%.
-Mali i Zi, që aplikon një normë të reduktuar prej 7% për një kategori të caktuar mallrash dhe shërbimesh, ku përfshihet edhe akomodimi në hotel dhe një normë standarde e TVSH-së në masën 19%.
-Kroacia, që aplikon normën reduktuar prej 13% për akomodimin në hotel dhe një normë standarde të TVSH-së prej 25%.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of