Fillimisht pushimet verore, më pas fushata zgjedhore, e tani problemet e mospajtimet brenda partive politike kanë bllokuar seancat e Kuvendit të Kosovës, duke lënë pezull e të bllokuara procese shumë të rëndësishme, siç është rasti me bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP). Ky organ ka mbetur pa bord prej tre muajsh pasi ka kaluar mandati i anëtarëve në fund të muajit korrik. Përgjatë kësaj periudhe në zyrat e OSHP-së kanë mbetur të bllokuara rreth 150 procese të kompanive private, që i janë drejtuar asaj lidhur me parregullsitë që kanë ndodhur gjatë proceseve të prokurimit. Por, Kuvendi morri sërish vendimin për shtyrje pasi deputetët nuk arritën pajtueshmërinë lidhur me formimin e komisionit hetimor të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), që ishte pikë e rendit të ditës para bordit të OSHP-së, kështu dështoi e gjithë seanca. Ajo e radhës pritet të jetë mbas një jave, dhe nuk dihet nëse në rend dite do të jetë miratimi i bordit të ri të OPSH-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.