Zyra e Statistikave të BE-së ka vlerësuar me rritje Prodhimin e Brendshëm Bruto për vendet që përdorin monedhën euro, si dhe për të 28 vendet anëtare (EU28). Rritja, krahasuar me tremujorin e dytë të një viti më parë, ka qenë përkatësisht 2.2% për vendet që janë përdoruese të euros dhe 2.3% për vendet e BE-së. Ndërsa krahasuar me tremujorin e parë të 2017-s, në të dyja zonat përllogaritet 0.6%, raporton Eurostat.
Ritmet e rritjes janë përshpejtuar në raprt me tremujorët e mëparshëm, duke sinjalizuar për një rimëkëmbje të qëndrueshme të ekonomisë së eurozonës.
Në tremujorin e parë të 2017-s PBB-ja u rrit me 0.5% në të dyja zonat. Krahasuar me të njëjtin tremujor një vit më parë, u rrit me 2.2% në 19 shtetet që përdorin euron dhe 2.3% për 28 vendet e BE-së.
Në rritje ka qenë edhe ekonomia italiane. Prodhimi i Brendshëm Bruto për Italinë vlerësohet me rritje sipas Eurostat, ku rritja krahasuar me një tremujor më parë është 0.4%, ndërsa rritja e krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë është 1.5%, nga 1.2% që ishte rritja vjetore në tremujorin e parë. Zgjerimi ekonomik i Italisë sipas mediave italiane, ishte përtej pritshmërive dhe është niveli më i lartë i regjistruar në 6 vjet dhe ka ardhur nga përmirësimi i aktiviteteve të industrisë dhe shërbimeve.
Ecuria e ekonomisë italiane është e rëndësishme edhe për Shqipërinë, pasi sinjalizon se porositë e partnerëve italianë do të jenë të qëndrueshme. Italia është partneri kryesor i Shqipërisë përsa u përket eksporteve. Vetëm në 6-mujorin e parë të vitit, eksportet me Italinë zinin 54% të volumit kurse importet 30%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.