Shifrat shpresëdhënëse të parashikimeve të FMN-së mbi ekonominë e Italisë dhe Greqisë gjatë viteve në vazhdim mund të reflektohen pozitivisht edhe në Shqipëri. Këto dy shtete dominojnë bindshëm tregtinë me vendin tonë, ndërkohë që punësojë me mijëra punonjës sezonalë
Nga Laura Çela
Raportet më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që tregojnë se Greqia dhe Italia do të shënojë një rikuperim të shpejtë gjatë viteve të ardhshme, nuk mund të lënë indiferente Shqipërinë.
Italia është partneri i parë tregtar i vendit, duke zënë 32% të importeve dhe 46% të eksporteve, sipas INSTAT.
Greqia, ndërkohë, është partneri i dytë për importe, me 9% të totalit, ndërkohë që e ka e humbur peshën e saj tek eksportet, që me nisjen e krizës ekonomike në vitin 2008.
Pavarësisht rënies së interesit për të bërë biznes me Greqinë gjatë viteve të fundit, si rrjedhojë e krizës së borxheve që po kalon shteti helen, fqinji kufitar vazhdon të mbetet partneri i dytë i vendit, për sa i përket volumit tregtar, kryesisht si rrjedhojë e importeve ende të larta, ndërsa eksportet drejt këtij vendi kanë rënë ndjeshëm.
Italia, së bashku me Greqinë, këtë vit janë ende apatike, por në vitin 2015 duket se Greqia do të tejkalojë shtetin italian. Sipas parashikimeve të FMN-së, në draftin e “Parashikimi Botëror Ekonomik”, PBB italiane dhe ajo greke në vitin 2014 do të rriten me 0.6%. Por, ndërsa në vitin 2015 ekonomia italiane do të avancojë me vetëm 1.1%, ajo helene, pas shtatë vitesh recesion, do të rritet shumë më me shpejtësi, me 2.9%.
Kjo mund të përkthehet në rritje të eksporteve shqiptare gjatë viteve të ardhshme, në kushtet kur kërkesa nga këto dy shtete do të vijë në rritje.
Efekti italian
Sinjalet pozitive nga Italia kanë nisur të vijnë tashmë. Firmat shqiptare që punojnë me partnerë italianë raportojnë rritje të kërkesave dhe pritshmëritë janë më se pozitive.
Produkti kryesor i eksportuar drejt Italisë janë tekstilet e këpucët, që zënë 52% të totalit të eksporteve drejt Italisë. Ky shtet fqinj pritet të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm në eksportet shqiptare, në kushtet kur kompanitë vendase të tekstileve dhe veshjeve presin rritje të shitjeve të tyre në 2014-n drejt këtij shteti.
Bizneset e fasonit që dominojnë bashkëpunimin ekonomik me Italinë pritet të jenë ata që do të përfitojnë më shumë nga përmirësimi ekonomik i shtetit fqinj.
Një peshë të konsiderueshme të eksporteve drejt Italisë zënë materialet e ndërtimit dhe metalet, me 10% të totalit. Në kushtet kur kjo industri ka vuajtur pasojat negative të krizës me shumë kërkesë nga tregjet italiane dhe mbulim të rënies së shitjeve brenda vendit.
Shumë pozitiv pritet të jetë efekti i rritjes italiane në agroindustri. Ushqimet, pijet dhe duhani zënë rreth 20% të totalit të eksporteve shqiptare drejt Italisë në vitin 2013. Në Itali ne eksportojmë kryesisht produkte bujqësore.
Punësimi pritet gjithashtu të ketë ecuri më pozitive. Prej disa vitesh tashmë, Italia “importon” nga Shqipëria me mijëra të punësuar sezonalë gjatë muajve të verës kryesisht. Këta punonjës kontraktohen të punojnë në turizëm dhe ndërtim.
Kriza në Itali “cenoi” eksportet shqiptare gjatë viteve të fundit.
Megjithëse eksportet vijojnë të dominohen nga Italia, gjatë dy viteve të fundit kompanitë eksportuese kanë nisur të zgjerojnë gjeografinë e shitjeve të tyre jashtë vendit, sidomos në shtete të tjera europiane.
Në vitin 2005, eksportet shqiptare dominoheshin nga Italia, Greqia dhe Kosova, që zinin përkatësisht tre vendet e para, por në 2013 ky raport ka ndryshuar.
Italia vijon të mbetet e para, ndonëse me peshë më të vogël në total se tetë vite më parë. Greqia dhe Kosova janë zëvendësuar me partnerë të tjerë si Spanja dhe Malta.
Italia ka vijuar të mbetet partneri kryesor gjatë vitit 2013. Në vlerë absolute, eksportet drejt këtij shteti janë rritur me 5% me bazë vjetore, duke arritur në 114 miliardë lekë. Por dominimi i Italisë ka ardhur në rënie kundrejt totalit, duke zbritur në 46% në fund të vitit 2013.
Efekti “grek”
Greqia ka vijuar të humbë peshën e saj në eksportet shqiptare. Eksportet drejt shtetit grek kanë vijuar rënien
Në 2013-n u shënua rënie me bazë vjetore prej 17%, në 7.8 miliardë lekë. Rënia e eksporteve ka ardhur si pasojë e krizës ekonomike të thellë në shtetin grek, çka ka sjellë rënie të ndjeshme të eksporteve të tekstileve drejt këtij shteti, si dhe materialeve të ndërtimit, etj.
Një rritje e ekonomisë së shpejtë e ekonomisë greke do të sjellë edhe rigjallërimin e eksporteve shqiptare drejt këtij shteti fqinj.
Gjatë krizës së thellë greke, shumë ndërmarrje të fasonit dhe këpucëve në rajonet e Jugut u detyruan të mbyllen dhe të kërkonin partnerë të rinj.
Më e prekur ka qenë Gjirokastra dhe më pas Korça që prej më se 15 vitesh kishin një bashkëpunim të ngushtë ekonomik me shtetin helen. Tekstilet dhe këpucët dominojnë eksportet drejt shtetit grek, me 35% të totalit.
Drejt Greqisë ne eksportojmë sasi të mëdha materialesh ndërtimi dhe metalesh, kryesisht tulla, çimento dhe hekur.
Kriza greke dëmtoi industrinë e materialeve të ndërtimit në vend, në kushtet kur kompanitë shqiptare u përballën me një rënie të shpejtë të porosive nga tregu grek.
Materialet e ndërtimit zënë 20% të totalit të eksporteve drejt Greqisë.
Rënia e importeve
Importet në total shënuan një rënie prej 3% me bazë vjetore në vitin 2013, për të arritur në 512 miliardë lekë, duke reflektuar si tkurrjen e konsumit në vend nga individët, ashtu dhe atë të investimeve nga bizneset. Me rënien e importeve dhe rritjen e eksporteve në 2013-n, deficiti tregtar mundi të përmirësohej kundrejt një viti më parë dhe duke arritur nivelin më të ulët të 6 viteve të fundit.
Në listën e shteteve që zënë peshën më të madhe në importet në Shqipëri renditen Italia, Greqia, dy partnerë tradicionalë tregtarë për vendin. E treta për importe është Kina, ndjekur nga Turqia, Gjermania, Serbia si dhe Shtetet e Bashkuara.
Importet nga Italia shënuan rënie për herë të parë që nga 2009, kohë kur në Shqipëri nisi të reflektohej kriza ekonomike botërore. Importet nga Italia u zvogëluan me 3.6% në fund të vitit 2013 kundrejt një viti më parë.
Kryesisht nga ky shtet fqinj ne importojmë ushqime, veshje, mallra të konsumit bazë, por edhe makineri, pajisje, etj. Rënia e importeve nga Italia reflekton tkurrjen e konsumit brenda vendit, si pasojë e rënies së të ardhurave të konsumatorëve.
Një tjetër shtet me peshë të madhe në importe, Greqia, që zë 9% të totalit, ka regjistruar gjithashtu rënie. Importet nga ky shtet shënuan një rënie prej 10%, duke shënuar vitin e tretë radhazi me trend negativ. Në fund të vitit 2013 nga Greqia u importuan rreth 44.7 miliardë lekë. Edhe nga ky shtet ne importojmë kryesisht ushqime e veshje, kryesisht në rajonet e Jugut të vendit.
Parashikimet, rritje e shpejtë e Greqisë, por edhe Italisë
Italia së bashku me Greqinë këtë vit janë ende apatike, por në vitin 2015 duket se Greqia do të tejkalojë shtetin italian. Sipas parashikimeve të FMN-së, në draftin e “Parashikimi botëror ekonomik”, PBB italiane dhe ajo greke në vitin 2014 do të rriten me 0.6%. Por, ndërsa në vitin 2015, ekonomia italiane do të avancojë me vetëm 1.1%, ajo helene, pas shtatë vitesh recesion, do të rritet shumë më me shpejtësi, me 2.9%.
Një skenar i mundshëm apo një fantazi ekonomike e FMN? Nëse shihen edhe parashikimet e bëra nga OECD, një tjetër organizatë ndërkombëtare e specializuar në parashikimin ekonomik me qendër në Paris, parashikohet që Italia të rritet me 0.6% në vitin 2014 dhe 1.4% në vitin 2015.
Për Greqinë, OECD (shumë më pesimiste) parashikon një rënie të PBB-së në vitin 2014, -0.4%, dhe më pas një rritje prej 1.8% në vitin 2015.
Gjithsesi Athina do të ecë më shpejt se Italia në vitin 2015, por vetëm 40 pikë bazë sipas OECD nga 180 pikë bazë në krahasim me FMN. Një ndryshim i madh që duhet tashmë të frenojë entuziazmin e mbështetësve të grekëve.
Arsyet e performancës greke
Duke u përpjekur për të dhënë një përgjigje për këtë rritje hipotetike (që do të verifikohet) duhet të mbahet mend se që prej korrikut 2013, Komisioni Europian në rishikimin e tretë për Greqinë ka publikuar një vlerësim të rritjes në vitin 2015 prej 2.9%, çka është konfirmuar në opinionin e Komisionit të dimrit. Jo vetëm kaq. Kontributin më të madh në rritje në vitin 2015 e jep 1.7% kërkesa e brendshme dhe 1.2% eksportet neto. Importi është reduktuar për shkak të uljes së pagave dhe pensioneve dhe eksportet, në sajë të konkurrencës së rifituar, janë rigjallëruar. Përveç kësaj, konsumi privat pritet të rritet nga -1.6% në 2015 në -1,4% në vitin 2015 pas shtatë vitesh rënie radhazi.
Duket se pas shtatë vitesh recesion, edhe një lëvizje me sinjal pozitiv për Greqinë duket se po vjen. Siç thonë edhe ekonomistët, nuk mund “bjerë shi gjithmonë”. “Nëse Greqia ka prekur fundin, gjërat nuk mund veçse të përmirësohen”, shpjegon një analist.
Por me gjithë rritjen më të shpejtë ekonomike që pritet të shënojë, Greqia ka ende tregues shumë më të përkeqësuar se Italia në punësim dhe të ardhura.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.