Shqipëria arriti të ngjisë disa shkallë në industrinë e turizmit.
Për vitin 2016, raporti i fundit i Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) na renditi në vendin e 96 nga i 120-i që ishim në vitin 2015 sa i përket kontributit total të turizmit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Për vitin 2017, shifrat janë pozitive, madje ritmi i rritjes së industrisë së turizmit është edhe mbi mesataren botërore, si për kontributin direkt (5.2%), ashtu edhe atë total (5.3%).
Parashikohet të pozicionohemi më mirë sa u përket investimeve dhe më keq për nga eksporti i turistëve
Nga Elona Bedalli
Një lajm i mirë vjen për turizmin shqiptar, edhe pse zhvillimet politike nuk do ta lënë “të qetë”.
Shifrat dhe parashikimet e bëra nga Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) në raportin e fundit për vitin 2017, nxjerrin në pah faktin se industria do të shënojë ritme pozitive rritjeje pothuajse në të gjithë elementet bazë të marrë në vlerësim.
Sipas raportit, të hartuar për 185 shtete, Shqipëria në vitin 2016 renditet në vendin e 96 për nga ndikimi absolut i turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), në të 26-in për nga ndikimi relativ ndaj PBB-së, në vendon e 61-të për nga parashikimi i rritjes për vitin 2017 dhe në vendin e 26-të për periudhën afatmesme.
Të dhënat e WTTC-së tregojnë se kontributi direkt i turizmit shqiptar ndaj PBB-së u llogarit në afërsisht një miliard dollarë, ndërsa pritet që gjatë 2017-s, kjo shifër të rritet me rreth 5.2%, për të arritur në rreth 11% në 2027-n.
Edhe treguesit e tjerë të kësaj industrie, sipas raportit, janë në rritje.
Në vitin 2016, kontributi total i turizmit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto llogaritet në rreth 3.2 miliardë dollarë ose rreth 26%. Për këtë vit, kjo shifër pritet të rritet me rreth 5.3%. Për vitin 2027 parashikohet që turizmi shqiptar të kontribuojë me rreth 33% ndaj PBB-së.
Punësimi është një tjetër tregues në rritje. Sipas WTTC-së, gjatë 2016-s, turizmi mbështeti direkt 85,000 vende pune (7.7% të totalit). Gjatë këtij viti parashikohet që kjo shifër të rritet me rreth 3.2% më shumë se në vitin paraardhës. Deri në 2027, numri i të punësuarve pritet të arrijë në 120,000.
Në total, gjatë vitit të kaluar numri i të punësuarve (direkt dhe indirekt) arriti në 267,000 ose rreth 24% e totalit. Gjatë këtij viti, kjo shifër do të mund të rritet me rreth 3.2%, sipas parashikimeve të WTTC-së.
Raporti tregon se vizitorët shpenzuan në total rreth 1.7 miliardë dollarë në 2016-n duke zënë rreth 56.1% të totalit të eksporteve. Kjo shifër pritet të rritet me rreth 5% gjatë këtij viti, ndërsa pas dhjetë vitesh, me rreth 6.2% për të arritur në rreth 3.4 miliardë dollarë.
Sa u përket investimeve në turizëm, WTTC bën të ditur në raportin e saj se gjatë 2016-s u llogaritën rreth 0.2 miliardë dollarë, ose rreth 7% e totalit të investimeve. Gjatë 2017-s, kjo shifër pritet të rritet me rreth 9.2%.
Në rang botëror, sipas WTTC-së, turizmi kontribuoi në krijimin e një në dhjetë vende pune ose rreth 292 milionë.
Industria në tërësi gjeneroi 7.6 trilionë dollarë gjatë 2016-s ose rreth 3.3% më shumë se në vitin paraardhës. Shpenzimet e turistëve zunë 6.6% të totalit botëror të eksporteve dhe rreth 30% të totalit të shërbimeve.
Në nivel botëror, WTTC bën të ditur se turizmi gjatë vitit 2015 arriti të gjenerojë 7.2 milionë vende të reja pune, ndërsa kontributi në PBB-në botërore u llogarit në rreth 7.2 trilionë dollarë. Ky raport përllogarit ndikimin e kësaj industrie në 184 vende të botës (24 rajone).
David Scowsill, president dhe CEO i WTTC-së, deklaroi se:
“Për të gjashtin vit me radhë, industria botërore e turizmit po njeh rritje të qëndrueshme dhe ka performuar më mirë se sektorët e tjerë, si shërbimet financiare, prodhimi, shitjet me pakicë apo edhe transporti. Kontributi direkt i turizmit ndaj PBB-së botërore parashikohet të rritet me 3.8% nga 3.1% që u llogarit për vitin 2016. Nga 185 vende të marra në shqyrtim, 116 parashikojnë që të kenë zhvillim të qëndrueshëm,
Turizmi është ai sektor që gjeneron 1 në 10 vende pune në ekonominë botërore. Deri në vitin 2027 do të mund të llogariten 380 milionë vende të reja, kontribut në rritje, si dhe më shumë mbështetje në dobi të mbrojtjes së natyrës, habitateve dhe biodiversitetit.
Shqipëria, përballë fqinjëve dhe rajonit
Raporti i Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) vëren se Shqipëria (referuar ecurisë së industrisë gjatë vitit 2016) pozicionohet ulët në renditje sa i përket kontributit në terma absolutë në krahasim me vendet e tjera. Sipas të dhënave vlera me të cilën (1 mld USD) industria e udhëtimit dhe turizmit kontribuon ndaj PBB-së e rendit Shqipërinë në vendin e 105, duke lënë pas Malin e Zi apo edhe Bosnjë – Hercegovinën, por jo vende të tilla si Italia, Greqia apo edhe Kroacia. Renditja përmirësohet disi kur sipas studimit i referohemi kontributit total në raport me PBB-në (vendi i 96-të). Edhe në këtë rast, pas kemi lënë vetëm Malin e Zi dhe Bosnjën, si vende të rajonit.
Për vitin 2016, edhe kontributi që turizmi dha në punësimin direkt e rendit ulët Shqipërinë, përkatësisht në vendin e 104
(85,000 të punësuar). Disi më mirë renditemi sa i përket kontributit ndaj totalit të të punësuarve (vendi 99), duke lënë pas Qipron, Bosnjën e Malin e Zi.
Kur vjen puna tek investimet në turizëm, Shqipëria zuri vendin e 116 në vitin 2016 sipas WTTC-së dhe të 83-in për eksportin e vizitorëve.
Por, nëse do t’i referohemi shifrave në përqindje
(kontributi relativ), sipas raportit të fundit të WTTC-së, renditja e Shqipërisë përmirësohet. Renditemi në vendin e 29 sa i përket përqindjes ndaj PBB-së (8.4%) për kontributin direkt, në vendin e 26 (26%), duke lënë pas vende si Greqia, Italia, Turqia, por më poshtë se Mali i Zi apo edhe Kroacia.
Në vendin e 32-të dhe të 27-të renditemi sa i përket kontributit direkt dhe total ndaj punësimit, duke lënë pas vende si Mali i Zi, Italia, Turqia, Bosnja apo edhe Çekia.
Sa i përket kontributit të turizmit ndaj investimeve kapitale, Shqipëria për vitin 2016, renditet në vendin e 75-të
(7% ndaj PBB-së), ndërsa është e 15-a për nga kontributi ndaj eksportit.
Por, çfarë parashikon WTTC për vitin 2017 (rritja reale si përqindje ndaj PBB-së)?
Në lidhje me kontributin direkt të turizmit ndaj PBB-së, Shqipëria renditet në vendin e 80-të (5.2%). Por, kjo shifër e pozicionon vendin pas Kroacisë (7.5%), Greqisë (7.5%), Malit të Zi (6.7%). Ndërsa për kontributin e turizmit ndaj punësimit, Shqipëria parashikohet të renditet në vendin e 95-të (direkt) dhe të 82-in (total) duke lënë pas vetëm Çekinë dhe Italinë.
Mjaft lart (vendi i 9) do të renditet Shqipëria për sa i përket investimeve në turizëm si përqindje ndaj PBB-së në 2017-n, por shumë herë më poshtë (117) në lidhje me eksportin e vizitorëve, duke lënë pas vetëm Turqinë e cila po vuan nga një situatë e rëndë politike, që pritet ta ndikojë jo pak industrinë.
Në terma afatgjatë (2017-2027), industria shqiptare e turizmit pritet të rritet me mesatarisht 6.2%.
Shqipëria vizitohet më shumë për kënaqësi
Qëllimi kryesor për të cilin vizitohet Shqipëria është kënaqësia dhe argëtimi e më pak për biznes. Të dhënat e WTTC-së tregojnë se rreth 70% e shpenzimeve për udhëtime (të huaja dhe vendase) bëhen për kënaqësi, duke i lënë biznesit rreth 29.9%.
Shpenzimet për udhëtime turistike për vitin 2017 pritet të rriten me 4.6% dhe me rreth 6.2% deri në vitin 2027.
Ndërsa shpenzimet për qëllime biznesi do të rriten me ritme më të larta. Për vitin 2017, është parashikuar që kjo shifër të jetë 6.5% dhe në rreth 6% deri në vitin 2027.
Turizmi i brendshëm gjeneron rreth 26.2% të kontributit direkt të turizmit ndaj PBB-së në vitin 2016, ndërsa të huajt rreth 74%. Për vitin 2017, turizmi vendas parashikohet të rritet me rreth 6%, ndërsa ai i huaj, me rreth 5%.
Kontributi total i turizmit dhe udhëtimit ndaj PBB-së është tre herë më i lartë se kontributi direkt
Industria e turizmit dhe udhëtimeve gjeneroi 1 në 10 vende pune në mbarë botën në vitin 2016. Industria u rrit me 3.3%, duke konfirmuar zhvillimin e qëndrueshëm për të gjashtin vit me radhë, thuhet në raportin e ri të Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimeve (WTTC).
Raporti i ndikimit në ekonomi 2017, i cili është kryer në bashkëpunim me Oxford Economics, mori në studim 25 rajone dhe 185 vende.
Sipas të dhënave, industria botërore gjeneroi 7.6 trilionë dollarë duke zënë 10.2% të PBB-së. Në këtë shifër janë marrë në konsideratë ndikimet direkte dhe indirekte.
Gjatë 2016-s, sektori mbështeti një total prej 292 milionë vendesh pune.
Përveç kësaj, eksporti botëror i vizitorëve që përbën vlerën e parave të shpenzuara nga të huajt zuri 6.6% të totalit të eksporteve dhe pothuajse 30% të eksporteve të shërbimeve në total. David Scowsill, President dhe CEO i WTTC-së, tha:
“Ky është viti i gjashtë radhazi që industria e turizmit ka tejkaluar ritmin e rritjes së ekonomisë botërore në tërësi, duke reflektuar rezistencën e sektorit dhe dëshirën e njerëzve për të mos hequr dorë nga udhëtimet, për të zbuluar vende të reja, pavarësisht sfidave ekonomike dhe politike në të gjithë botën.
Rritja e vazhdueshme e sektorit nënvizon rëndësinë e biznesit të argëtimit dhe udhëtimit në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës në të gjithë botën”.
Azia Juglindore me 8.3% ishte rajoni me rritjen më të shpejtë të turizmit dhe udhëtimeve, si pasojë e zgjerimit të tregut kinez. Amerika Latine, me 0.2%, ishte rajoni me rritjen më të ngadaltë. Ndërsa disa vende performuan mbi mesataren botërore.
Rajonet e tjera regjistruarin rritje, përkatësisht: Azia Jugore (7.9%), Azia Verilindore (4.6%), Oqeania (4.4%), Karaibet (3.2%), Amerika e Veriut (3.1%), Lindja e Mesme (2.7%), Afrika Subsahariane (2.4%) dhe Europa (1.6%).
Në vitin 2017, industria pritet të rritet me 3.8%, duke gjeneruar rreth 7.9 trilionë dollarë. Kjo rritje është më e ngadaltë sesa parashikimi i mëparshëm, si rezultat i ngadalësimit të ekonomisë botërore dhe uljes së shpenzimeve të konsumit.
Gjatë dekadës së ardhshme, sektori parashikohet të rritet me një mesatare prej 3.9% në vit. Më 2027-n, ajo do të gjenerojë më shumë se 11% të PBB-së botërore dhe do të punësojë një total prej 380 milionë njerëzish. Një e katërta e të gjitha vendeve të punës të krijuara në dekadën e ardhshme do të mbështeten nga turizmi dhe udhëtimi.
Sipas Scowsill, perspektivat e ardhshme është e mirë, por sektori vazhdon të përballet me sfida. Ndikimi i terrorizmit dhe rritja e populizmit përbëjnë rreziqet kryesore. Vetë sektori ka nevojë urgjente për të adresuar ndikimin e rritjes së destinacioneve ndaj ndryshimeve klimatike. 2017-a është shpallur si Viti i Turizmit të Qëndrueshëm nga OKB-ja.
7.6 trilionë dollarë kontributi i turizmit në 2016-n
10.2% e PBB-së botërore
292 mln vende pune; ose 1 në 10 vende krijohen nga turizmi
3.3% rritja në 2016-n
3.8% rritja e parashikuar në 2017-n
7.9 trilionë dollarë kontributi i turizmit në 2017-n
3.8% rritja mesatare deri në 2027-n
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.