Edhe pse në këto 20 vitet e fundit janë akorduar rreth 100 milionë dollarë për të sistemuar regjistrimin e saktë të pasurive të paluajtshme, të drejtat e pronësisë në vend janë të cenuara rëndë. Artan Lame, drejtori i përgjithshëm i ALUZNI-t, shprehet se, gjatë këtyre viteve, në administrimin e çështjeve të territorit ka vënë re raste mjaft të komplikuara me çështjet e pronave, shumicën e të cilave i kanë krijuar vetë zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Lëvizjet pa kriter të popullsisë, funksionimi i ligjit 7501 dhe elemente të tjera, e kanë bërë shumë të komplikuar gjendjen reale të pronësisë në vend – tha Lame, i cili nuk është optimist as për zgjidhjen e situatës.
Ai rekomandon të niset nga e para. “Duhet bërë një regjistrim fillestar i të gjitha pasurive të paluajtshme në vend nga ekspertë të huaj. Ka mjaft parregullsi dhe deformime me statusin e vërtetë të pronës. E bërë nga shqiptarët, kjo punë ka shkuar keq si shumë të tjera, shtoi ai, ndaj një kompani e huaj, larg ndikimeve vendase, do të ishte një zgjidhje e mirë për të kryer regjistrimin fillestar në të gjithë territorin”, – këshilloi Lame.
Po të ketë plane rregulluese në të gjithë vendin dhe për më tepër të zbatohen me rigorozitet, toka bujqësore nuk do të shitej për truall dhe çmimi i tokës do të ishte sipas funksionit të përdorimit që vë shteti dhe jo sipas dëshirës të të zotit. Toka nuk është aset final i askujt, tha Lame, duke kujtuar se, në të gjithë botën, përdorimi i saj sanksionohet me rregulla dhe ligje. Nuk ka vend në botë që të lejon të përdorësh tokën sipas dëshirës, ndaj ai këshillon institucionet që të nisin kushtëzimin e përdorimit të tokës sipas destinacionit.
Mirëpo të gjitha ndërhyrjet që kanë për qëllim rehabilitimin e çështjeve të pronësisë duhet të bëhen gradualisht, pasi çdo rregullim me “forcë” mund të shkaktojë kosto të forta sociale se sa përfitime, thotë Lame. Sipas tij, tregu informal i pronave është më i madh se tregu formal. Edhe pse i pambikëqyrur, kytreg ka krijuar një sistem vetërregullimi dhe transaksionesh aktive, ndaj çdo ndërhyrje rregulluese e shpejtë do të krijonte kaos më shumë se zgjidhje. Kreu i legalizimeve shpjegon se, çështja e pronësisë do të kalojë në një vetërregullim gradual me ndërhyrje të kujdesshme të shtetit dhe do të duhet shumë kohë që prona të funksionojë mbi baza ligjore. Zgjidhja nëpërmjet kësaj forme do të kërkonte vite, por nuk ka një mënyrë tjetër me të shpejtë, – përfundon Lame.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.