Gjatë Worldwide Developer Conference të Apple që do të zhvillohet nga data 4 – 8 qershor, në San Jose, Kaliforni, mund të konfirmohet lajmi.
Kompania me seli në Cupertino është duke punuar për një funksion të ri, falë të cilit, edhe nëse harrojmë çelësat e shtëpisë, nuk do të na kapë paniku, pasi do të zëvendësohet nga iPhone.
Falë teknologjisë NFC, me të cilën tashmë mund të bëjmë pagesa edhe nga celulari, mund të hapim dyer, duke afruar pajisjen pranë një ekrani tjetër për të transmetuar kodin e hapjes. Deri më tani, Apple nuk u ka lejuar palëve të treta ta shfrytëzojnë chip NFC, i instaluar, duke filluar nga iPhone 6 te modelet pasardhëse. Por gjërat mund të ndryshojnë.
E disponueshme nga iPhone 6 e modelet pasardhëse
Teknologjia NFC gjendet tek iPhone 6 dhe gjithë modelet pas tij. Tani mbetet të kuptojnë se si do të funksionojë, me përdorimin e gjurmëve dixhitale apo me njohjen e fytyrës. Falë kësaj teknologjie (e cila do t’u japë mundësinë palëve të treta që merren me siguri, ta përdorin) mund të hapni jo vetëm derën e shtëpisë, por edhe të zyrës, të një dhome hoteli, të dollapit në palestër apo në pishinë. Ajo mund të bëhet një model revolucionar për sigurinë e objekteve tona personale.
Çfarë është teknologjia NFC
NFC (Near Field Communication) ju lejon të transmetoni të dhëna mes dy pajisjeve pranë, pa qenë e nevojshme lidhja me internetin. Funksionon edhe më mirë se Bluetooth, është më e shpejtë dhe e sigurt, pasi vetëm me një prekje në ekran, mund të kryejmë veprimin. Mjafton që te Kontaktet e telefonit të fusni kodin për të hapur derën dhe sa herë që t’i afroheni derës së shtëpisë, me një prekje mund ta hapni.
Disa qytete në Japoni, Angli dhe Amerikë, mund t’i paguajnë biletat e transportit me NFC. Me këtë risi, Apple shpreson që të rritet në mënyrë të ndjeshme numri i klientëve për të zhvilluar programe të tjerë që shfrytëzojnë këtë teknologji.