Këtë deklaratë e bëri analisti Nick Sohnemann, në Berlin, ku komuniteti ndërkombëtar i divizionit Vision Care i kompanisë Zeiss, u mblodh për të zbuluar të rejat më të rëndësishme të së ardhmes së optikës
Ishte viti 1846, kur Carl Zeiss krijoi në qytezën Jena (në Thüringen, Gjermani) fabrikën e vet të pajisjeve optike precize. Ai stabiliment i ngritur në një prej Landeve më të vegjël të Gjermanisë, shumë shpejt do të bëhej një kompani me famë botërore.
Grupi Zeiss është sot lider ndërkombëtar në teknologjitë optike dhe optoelektronike (optoelektronika është ajo degë e elektronikës që merret me mekanizmat e shndërrimit të dritës në sinjale elektrike dhe anasjellas).
Në vitin 1969, fotoja që paraqet Edwin “Buzz” Aldrin në këmbë në sipërfaqen e Hënës, u shkrep nga shoku i tij i misionit, Neil Armstrong, me një aparat fotografik me objektiv Zeiss. Në vitin 1988, kompania gjermane fitoi një çmim Oskar për merita tekniko-shkencore, për projektimin dhe zhvillimin e një serie lentesh super të shpejta për fotografinë kinematografike.
Nga zhvillimi i moduleve fotografike për smartphone deri tek përdorimi i mikroskopisë për të hartëzuar në 3D trurin njerëzor, Carl Zeiss ka korrur një seri të gjatë suksesesh edhe në ditët e sotme, pasi i ka kushtuar gjithnjë vëmendje së ardhmes. Dhe pikërisht për të folur për të ardhmen, në këtë rast, atë të optikës, Global Community Vision Care Zeiss u mblodh në Berlin.
Evenimenti Berlin 2.0 – The Future of Optics, i cili përfshiu mijëra persona nga mbarë bota, u zhvillua në Funkhaus Berlin, një impiant i vjetër industrial 135 mijë metra katrorë përgjatë lumit Sprea që, nga viti 1956 në vitin 1990, ka qenë ‘shtëpia’ e Rundfunk der DDR (radio publike e Republikës Demokratike Gjermane).
Në një atmosferë feste – pati hapësirë edhe për momente lojërash, spektakli, madje dhe një xhiro në malet ruse duke përdorur syzet për realitetin virtual – Zeiss prezantoi të rejat e fundit të divizionit Vision Care. Por së pari, Nick Sohnemann, ekspert i analizës së tendencave dhe inovacionit të tregut, si dhe CEO i shoqërisë Future Candy në Hamburg, u përshkroi pjesëmarrësve atë që, sipas tij, do të jetë bota pas pesë vjetësh.
Big data, interneti 24 orë në 24, makinat pa shoferë, hologramet, dokumentet virtuale, ushqime të printuara në 3D, robotë. Këto, sipas Sohnemann, do të jenë elementet e jetës sonë të përditshme në vitin 2022.
Por protagonistët e vërtetë do të jenë smart glasses që, siç thotë eksperti, nuk do të çojnë në zhdukjen përgjithmonë të smartphone-ve. “Smart glasses do të përdoren sidomos në mjedisin e punës”, shpjegoi Sohnemann.
Gjatë Mobile World Congress 2017, që u mbajt në Barcelonë, Deutsche Telecom dhe Zeiss njoftuan një bashkëpunim pikërisht në fushën e smart glasses, një pajisje për të cilën Zeiss ka zhvilluar një prototip të një sistemi optik të posaçëm.
Me rastin e Berlin 2.0 – The Future of Optics, u prezantuan edhe lentet për syzet EnergizeMe (e reja e fundit në fushën e lenteve Zeiss pas hedhjes në treg të DriveSave në vitin 2015).
Këto syze janë krijuar apostafat, në mënyrë që të gjithë ata që përdorin lente kontakti, të mund të çlodhin sytë pas përdorimit të tyre, veçanërisht në rast të një pune intensive me pajisje dixhitale.
Lentet EnergizeMe zotërojnë Teknologjinë Digital Inside që mundësojnë një lexim të qartë si të dokumenteve prej letre (që mbahen në distancë 40-45 cm) ashtu edhe të ekraneve të pajisjeve dixhitale (që mbahen në distancë 30-35 cm).
Ato kanë gjithashtu një sipërfaqe anti-refleks DuraVision® BlueProtect, i menduar për ata që kalojnë pjesën më të madhe të kohës në mjedise të brendshme, të ekspozuar ndaj dritës blu që gjenerohet nga ekranet LED si TV, kompjuter apo tablet. Pikërisht për dëmet që shkakton drita blu – dhe rrezet ultravjollcë – u fol në Expert Area në këtë eveniment.
Ylli i vërtetë i eventit ishte VisuFit 1000, që do të prezantohet zyrtarisht në Opti 2018 (panairi i Mynihut që i dedikohet syzeve).
VisuFit 1000, që do të kushtojë 28 mijë euro, është një instrument i destinuar për dyqanet optike, që do t’u japë mundësinë klientëve potencialë të provojnë virtualisht tipe të ndryshme syzesh.
“Bëhet fjalë për një platformë nëpërmjet së cilës, optika e projektuar drejt së ardhmes – duke u lidhur me një sistem analizash i pranishëm në qendrën optike – mund të analizojë më së miri mbledhjen e të gjithë të dhënave anatomike për një integrim të përsosur lente – sy”, – tha zyra për shtypin Zeiss.
Syzet për realitetin virtual (kompania gjermane ka krijuar VR One dhe VR one Plus) kanë një rol të rëndësishëm edhe për sa i përket Vision Science Lab të Zeiss, një laborator kërkimi me seli në Universitetin e Tübingen në Gjermani.
Kërkuesit e saj i përfshinë pjesëmarrësit në Berlin 2.0 – The Future of Optics në disa lojëra në realitetin virtual, me qëllim që të tregonin se cilat janë efektet e ndryshimeve të performancës vizuale të shkaktuara nga degjenerimi i lentes së syrit (katarakta) apo dëmtimit të retinës (degjenerim makular) dhe cilat janë pasojat e këtyre vështirësive në shikim.
Burimi: Corriere della Sera
*FOTO 2 – [Sven Hermann – anëtar bordi dhe drejtuesi i departamentit të shitjeve dhe marketingut në Zeiss Vision Care në nivel botëror – i cili ka vënë një prototip smart glasses të Zeiss]