Bushati: “Mund t’u tregoni shqiptarëve se duke u futur në paketa ofertash futen në grackë. Thojeni hapur!”…
Kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati i është përgjigjur sot shqetësimit të Komisionit të Ekonomisë lidhur me situatën e krijuar në tregun e celularëve, ku dy kompanitë më të rëndësishme po rrisin rëndësinë e tyre në treg dhe për më tepër janë duke ngritur barriera të larta për lëvizjen e konsumatorëve nga një kompani në tjetrën. Tjetër shqetësim është shtyrja e vendimit të AKEP për hyrjen në fuqi të barazimit të tarifave brenda dhe jashtë rrjetit, që pritej të hynte në fuqi në janar 2015, por është shtyrë për periudhën korrik 2015-janar 2016.
Kreu I Komisonit të Ekonomisë Erion Braçe ka ngritur pyetjen se çfarë hapash konkrete duhen marrë për të penguar këtë fenomen, I cili mund të risjellë këtë tregu në një situatë ku mbeten vetëm dy kompanitë kryesore dhe të tjerat largohen.
Lati ka pohuar se i është dërguar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) raporti i Autoritetit të Konkurrencës, i cili kishte konstatuar trajtimin e diferencuar të tarifave brenda dhe jashtë rrjetit dhe jepte rekomandimet përkatëse. Lati pohoi se më vonë u informuan se AKEP kishte shtyrë hyrjen në fuqi të vendimit për barazimin e tarifave brenda dhe jashtë rrjetit.
“Që në janar të vitit 2014, Autoriteti i Konkurrencës ka bërë më dije disa rekomandime rreth këtij tregu, adresuar AKEP, ky më kryesorja ishte diferenca brenda dhe jashtë rrjetit celular për çmime. Gjatë analizës së veprimtarive tregtare të këtij tregu, AKEP i pranoi këto rekomandime dhe i mori në konsideratë, por vendim i cili u shty dhe u vendos te hyjë në fuqi në korrik 2015 dhe deri në një afat tjetër, janar 2016”, tha Lati.
Lati tha se nisur nga shqetësimet e operatorëve të vegjël, ata po hetojnë sërish për arsyet e shtyrjes së zbatimit të rekomandimeve dhe do e japin së shpejti vendimin. “Meqënëse gjatë vitit të kaluar, shqetësimet e operatorëve, kryesisht atyre të vegjël, adresuan ndaj nesh, se kush ishte sjellja e operatorëve në treg, ekzaktësisht pas këtij vendimi, ne kemi hapur procedurën hetimore. Të gjithë duan të dijnë arsyet që u bë shtyrja. Nga shqyrtimi i këtij vendimi, do vijojmë hetimin për të zbuluar këto arsye, të cilave do i adresojmë qartazi për çdo koment”, tha Lati.
Pyetjes së kreut të Komisionit se si do të jenë tarifat deri në momentin që do të zbatohen rekomandimet, Lati iu përgjigj se po shikojmë që po përmirësohen tarifat, por po shqyrtojmë ofertat, pasi ato sjellin deformim të konkurrencës në afatin e gjatë.
“Kemi parë që tarifat po vijnë drejt përmirësimit nga oprtatorët, kemi një barazim gati, megjithatë ne po vëmë re ofertat, po i analizojmë, vlen shumë për t’i parë. Ata sjellin një deformim real të konkurrencës. Aq më tepër se të ardhurat nga to janë të ardhura të konsiderueshme, prandaj AK ka filluar hetimin paraprak, do japim vendimin për të parë se si do shkojë. Ne vlerësojmë të rëndësishëm qëe komisionet parlamentare na kanë adresuar këto pyetje dhe iniciativën për të diskutuar për problematikat e këtyre tregjeve”.
Anëtari i Komisionit të Ekonomisë, Ervin Bushati ka pohuar se “pse nuk pohoni se shqiptarët pasi u joshën drejt skemës që të grupoheshin për të folur brenda grupit, kanë rënë në grackë kur flasin pastaj me operatorët e tjerë?
Ai e ka pyetur Latin se pse Autoriteti nuk del me informime publike më të gjera lidhur me vendimet, shyqrtimet? Ju keni bërë studime shumë të mira, por nuk janë masivizuar për të gjithë publikun. Lati tha se kemi dalë, kemi faqe uebi, kemi bërë ëorkshope.
Këtu ka ndërhyrë Braçe, i cili ka pohuar se mediat nuk e publikojnë se operatorët më të mëdhenj të telefonisë paguajnë reklama.
Lati pranoi se tregu i telefonisë celulare është shumë problematik edhe në drejtim të thirrjeve ndërkombëtare për të cilat ka shumë ankesa, që po shqyrtohen nga Autoriteti.
Karburantet, nuk u vërtetua dominancë kolektive
Kreu I Autoritetit të Konkurrencës pohoi se për tregun e karburanteve shqetësim është mosndikimi I uljes së çmimit në bursat ndërkomëbare në tregun shqiptar. Autoriteti I Konkurrencës nisi hetimin, duke shqyrtuar nëse ka marrëveshje të ndaluara apo abuzime të mundshme me pozitën dominuese. Lati tha se nga hetimi nuk u gjetën evidence për to, as në import dhe as në tregtinë me shumicë. Gjatë periudhës në hetim, 2011-2014, kishet një strukturë dinamike të hyrje-daljeve nga tregu dhe Autoriteti nuk arriti të vërtetonte dominancë kolektive në tregun e karburanteve.
Sipas Latit, faktorët që ndikojnë në nivelin e çmimit të karburantit fundor janë: a. çmimi i zhdoganimit ndyshon me atë në treg, pasi deri kur fillon të tregtohet ka kaluar kohë b. çmimi i faturës për konsumatoret ndryshon me atë të zhdoganimit, pasi varet nga çmimi në bursë i asaj dite që tregtohet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.