Kompanitë që operojnë në tregun e qirasë financiare kanë hyrë në një cikël të ri, pas konfigurimeve të viteve të fundit. Në vitin 2016, ato rritën të ardhurat me rreth 21%, ndërkohë që vihet re një rënie e numrit të operatorëve që raportojnë humbje.
Operatorët e tregut vlerësojnë se ka një ecuri pozitive edhe në 2017-n, por sfidë mbetet edukimi i konsumatorëve, zhvillimi i tregut sekondar dhe ofrimi i produkteve sa më afër kërkesës së segmenteve të caktuara në ekonomi.
Nga Nertila Maho
Pas një dekade të zhvillimit të tregut të qirasë financiare (leasing) aktorët kryesorë po fokusohen tek rritja e peshës së tyre në treg, marketimi i fortë i produkteve sipas segmenteve dhe kujdesit në përzgjedhjen e klientit.
Kjo nuk vjen rastësisht, pasi janë orientime që imponohen nga situata reale në terren, ku së pari ka përfunduar procesi i përthithjes së operatorëve nga mëmat, kemi ende një konsumator skeptik, në disa raste prej mungesës së informacionit dhe në të tjera, prej besimit tek ekonomia dhe së treti, sepse mbetemi me një treg sekondar anemik. Përtej të gjitha sfidave që has një treg relativisht i ri, me disa emra të konsoliduar dhe të tjerë që hyjnë dhe dalin për arsye nga më të ndryshmet, viti 2016 ka shënuar një pikë kthese, ndërkohë që viti 2017 pritet të jetë një vit më i mirë për disa arsye.
Leasing ose Qiraja Financiare, është një mënyrë për financimin e autoveturës së individëve ose bizneseve, makinerive e pajisjeve të punës për bizneset.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2016 kishte 9 shoqëri të licencuara për shërbimin e qirasë financiare; Raiffeisen Leasing; Landeslease; Credins Leasing; Tranzit (kredidhënie, leasing, faktoring), Fin-Al (kredidhënie, leasing), Porsche Leasing, Albania Leasing, Crimson Finance Fund Albania (CFFA- faktoring, leasing), Albanian Financial Institution (kredishënia, faktoring, qira financiare).
Portofoli bruto i kredive të dhëna nga subjektet e qirasë financiare në fund të vitit 2016 arriti në 6.1 miliardë lekë, me një rritje prej gati 4% me bazë vjetore, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë. Peshën kryesore e zënë financimet për automjetet personale dhe ato me qëllime transporti biznesi, me rreth me rreth 80% të totalit.
Sfidat që has sot tregu
“Është një fenomen i njohur për leasing, që kërkesat më të mëdha për mjete pune vijnë kur projekte të mëdha iniciohen nga qeveria apo operatorë të mëdhenj privatë. Ne presim që në fund të 2017-s të shohim një rritje të këtij zëri, pikërisht për shkak të një dinamike më pozitive në sektorin e investimeve publike dhe private”, – shprehet Ida Shehu, Drejtore e Përgjithshme e Raiffeisen Leasing.
Nga ana tjetër, zhvillimi duket se frenohet nga një sërë faktorësh që kërkojnë zgjidhje, por ajo nuk mund të vijë brenda natës. Edukimi i vazhdueshëm i konsumatorit është një sfidë ku tregu duhet të jetë i unifikuar, duke fokusuar jo pak vëmendjen në këtë drejtim. Një konsumator i informuar i shërben rritjes. “Konsumatori individ është gjithmonë e më pak prezent në këtë treg, si pasojë e mungesës së edukimit në këtë drejtim e për rrjedhojë, mosnjohje të avantazheve të sektorit dhe produktit në veçanti, por edhe si pasojë e vështirësive ekonomike të tyre përgjatë viteve të fundit, të cilat kanë bërë që individi të orientohet më së shumti tek asetet e përdorura dhe me kosto afatshkurtër më të ulët, pa marrë kështu në konsideratë kostot në terma afatgjatë që lidhen me asetin e përdorur, të cilat patjetër që janë më të larta”, – shprehet Dorin Maraku administrator i Landeslease.
Tregu i qirasë financiare, edhe pse në rritje të lehtë mbetet një pjesë shumë e vogël e tregut të përgjithshëm financiar në vend. Rregullimet ligjore, gjithsesi, kanë synuar lehtësim të burokracive dhe kjo në letër, por në praktikë duket se nuk reflektohet dhe aq shumë. Kjo sigurisht që kërkon një vëmendje të re nga ana e ligjvënësve dhe strukturave institucionale shtetërore. “Përditësimet e fundit të ligjit për qiranë financiare dhe aktet nënligjore të saj datojnë në vitin 2007. Në aspektin e ndryshimeve të tjera që bëhen dhe prekin aktivitetin e qirasë financiare është shtuar kërkesa e vërtetimit të detyrimeve për mjetet motorike, të cilat në udhëzim përcaktohet se merret online nga noteri, ndërkohë duhet që klienti të shkojë ta marrë fizikisht, gjë që tregon mosfunksionim të zbatimit të udhëzimit”, – u shpreh Elion Martini nga Credins Leasing.
Portofoli i qirasë financiare, si ndryshoi në 2016
Banka e Shqipërisë raportoi se në dhjetor 2016, totali i aktiveve të institucioneve financiare jobanka arriti në vlerën e 35.03 miliardë lekëve, duke përbërë 2.5% të totalit të aktiveve të sistemit bankar.
Në raport me një vit më parë, aktivet e subjekteve financiare jobanka regjistruan një rritje me 3.22 miliardë lekë ose 10.12%.
Nga ana tjetër, portofoli i kredisë së subjekteve financiare jobankare, që dominohet tradicionalisht nga kredidhënësit dhe mikrokredia, ka ruajtur të njëjtën panoramë. Të paktën 67.8% të portofolit i përkiste pikërisht këtyre subjekteve që më pas ndiqen nga ato të qirasë financiare me 29.4%.
Rritja bruto e portofolit të institucioneve financiare jobanka në fund të 2016-s ishte 1.8 miliardë lekë ose 9.5%, duke arritur vlerën e 20.76 miliardë lekëve. Subjektet e qirasë financiare mbanin një peshë prej 11,45% të portofolit të sistemit jo bankar. Raporti i mbikëqyrjes i bankës qendrore jep edhe detaje mbi aspektin strukturor të kredidhënies dhe qirasë financiare. Financimet për biznes përbëjnë 87.5% dhe këto, të orientuara
drejt sektorëve të “Tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë” (24.3%), “Të tjera” (20%), si dhe “Bujqësisë, gjuetisë dhe silvikulturës” (13.6%).
“Për sa i përket objektit të financimeve, portofoli i qirasë financiare vazhdimisht dominohet nga financimet për mjete transporti personal (54.8%) dhe mjete transporti pune (24.1%)” thuhet në raport.
Të ardhurat e tre kompanive kryesore u rritën me rreth 21% në vitin 2016
7 kompani, që operojnë në tregun e qirasë financiare raportuan në vitin 2016 një qarkullim të ardhurash mbi 616 milionë lekë dhe një fitim para taksave në nivelin 131 milionë lekë, por këto shifra janë më të larta po të kemi parasysh që Credins Leasing e përthithur nga kompania mëmë Credins nuk ka një bilanc më vete, si dhe mungojnë të dhënat e Tranzit (nuk ka dorëzuar bilanc në 2016-n).
Në përqindje, rritja totale e të ardhurave të operatorëve ishte rreth 20%. Aktiviteti i leasingut po rezulton me kthime të kënaqshme, teksa operatorët e konsoliduar në treg deklarojnë një normë fitimi prej rreth 30%.
Bilancet e dorëzuara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se ende ka kompani në humbje, por krahasuar me dy-tre vite më parë, ky numër është reduktuar dhe disa kompani ia kanë dalë të jenë me fitim.
Operatori më i madh në treg është Raiffeisen, me të ardhura 310 milionë lekë, me një rritje vjetore 10%. Fitimi para taksave gjithsesi ishte në ulje 10.7%, duke arritur në 90 milionë lekë. Kujtojmë se Raiffeisen përthithi në vitin 2015 Tirana Leasing, e cila në vitin 2014 raportonte humbje 146 milionë lekë.
Edhe Landeslease ka shënuar rritje prej 11% të të ardhurave, që kanë arritur në 110 milionë lekë. Fitimi para taksave u dyfishua në 35.3 milionë lekë.
Porsche Leasing raportoi një rritje me 68% të të ardhurave të saj, duke regjistruar një vlerë mbi 70 milionë lekë, kurse fitimi para taksave në raport me vitin 2015 u trefishua në 30 milionë lekë.
Albanian Leasing, një tjetër kompani që operon në treg prej vitesh, rriti qarkullimin e saj me 77.3% në vitin 2016 në raport me vitin paraardhës, në 65 milionë lekë. Edhe pse me një qarkullim të rritur dukshëm, kompania nuk ka mundur të dalë me fitim, por gjithsesi ka ngushtuar humbjen. Nëse në vitin 2015, humbja e saj ishte mbi 37 milionë lekë, në vitin 2016 ajo zbriti në 24 milionë lekë.
Final zgjeroi të ardhurat nga aktiviteti i qirasë financiare me 6%, në 55 milionë lekë.
Crimson Finance Fund Albania dhe Albanian Financial Institution kanë aktivitet minimal.
Çfarë është Leasing?
Qiraja Financiare (Leasing) përfaqëson një marrëdhënie konkraktuale, në të cilën Qiradhënësi delegon të drejtën e përdorimit dhe zotërimit të makinës ose pajisjes tek Qiramarrësi me kërkesë të këtij të fundit, për një periudhë të caktuar kohe dhe kundrejt një pagese periodike në drejtim të Qiradhënësit e cila quhet “kësti i qirasë financiare”
E drejta e pronësisë transferohet tek Qiramarrësi pas pagesës së këstit të fundit të qirasë financiare.
Qiradhënia financiare (Leasing) është e rregulluar juridikisht në bazë të ligjit mbi Qiranë Financiare në Republikën e Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.