Kompanitë që operojnë në tregun e qirasë financiare kanë hyrë në një cikël të ri, pas konfigurimeve të viteve të fundit. Në vitin 2016, ato rritën të ardhurat me rreth 21%, ndërkohë që vihet re një rënie e numrit të operatorëve që raportojnë humbje.
Operatorët e tregut vlerësojnë se ka një ecuri pozitive edhe në 2017-n, por sfidë mbetet edukimi i konsumatorëve, zhvillimi i tregut sekondar dhe ofrimi i produkteve sa më afër kërkesës së segmenteve të caktuara në ekonomi.
Nga Nertila Maho
Pas një dekade të zhvillimit të tregut të qirasë financiare (leasing) aktorët kryesorë po fokusohen tek rritja e peshës së tyre në treg, marketimi i fortë i produkteve sipas segmenteve dhe kujdesit në përzgjedhjen e klientit.
Kjo nuk vjen rastësisht, pasi janë orientime që imponohen nga situata reale në terren, ku së pari ka përfunduar procesi i përthithjes së operatorëve nga mëmat, kemi ende një konsumator skeptik, në disa raste prej mungesës së informacionit dhe në të tjera, prej besimit tek ekonomia dhe së treti, sepse mbetemi me një treg sekondar anemik. Përtej të gjitha sfidave që has një treg relativisht i ri, me disa emra të konsoliduar dhe të tjerë që hyjnë dhe dalin për arsye nga më të ndryshmet, viti 2016 ka shënuar një pikë kthese, ndërkohë që viti 2017 pritet të jetë një vit më i mirë për disa arsye.
Leasing ose Qiraja Financiare, është një mënyrë për financimin e autoveturës së individëve ose bizneseve, makinerive e pajisjeve të punës për bizneset.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2016 kishte 9 shoqëri të licencuara për shërbimin e qirasë financiare; Raiffeisen Leasing; Landeslease; Credins Leasing; Tranzit (kredidhënie, leasing, faktoring), Fin-Al (kredidhënie, leasing), Porsche Leasing, Albania Leasing, Crimson Finance Fund Albania (CFFA- faktoring, leasing), Albanian Financial Institution (kredishënia, faktoring, qira financiare).
Portofoli bruto i kredive të dhëna nga subjektet e qirasë financiare në fund të vitit 2016 arriti në 6.1 miliardë lekë, me një rritje prej gati 4% me bazë vjetore, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë. Peshën kryesore e zënë financimet për automjetet personale dhe ato me qëllime transporti biznesi, me rreth me rreth 80% të totalit.
Sfidat që has sot tregu
“Është një fenomen i njohur për leasing, që kërkesat më të mëdha për mjete pune vijnë kur projekte të mëdha iniciohen nga qeveria apo operatorë të mëdhenj privatë. Ne presim që në fund të 2017-s të shohim një rritje të këtij zëri, pikërisht për shkak të një dinamike më pozitive në sektorin e investimeve publike dhe private”, – shprehet Ida Shehu, Drejtore e Përgjithshme e Raiffeisen Leasing.
Nga ana tjetër, zhvillimi duket se frenohet nga një sërë faktorësh që kërkojnë zgjidhje, por ajo nuk mund të vijë brenda natës. Edukimi i vazhdueshëm i konsumatorit është një sfidë ku tregu duhet të jetë i unifikuar, duke fokusuar jo pak vëmendjen në këtë drejtim. Një konsumator i informuar i shërben rritjes.
“Konsumatori individ është gjithmonë e më pak prezent në këtë treg, si pasojë e mungesës së edukimit në këtë drejtim e për rrjedhojë, mosnjohje të avantazheve të sektorit dhe produktit në veçanti, por edhe si pasojë e vështirësive ekonomike të tyre përgjatë viteve të fundit, të cilat kanë bërë që individi të orientohet më së shumti tek asetet e përdorura dhe me kosto afatshkurtër më të ulët, pa marrë kështu në konsideratë kostot në terma afatgjatë që lidhen me asetin e përdorur, të cilat patjetër që janë më të larta”, – shprehet Dorin Maraku administrator i Landeslease.
Tregu i qirasë financiare, edhe pse në rritje të lehtë mbetet një pjesë shumë e vogël e tregut të përgjithshëm financiar në vend. Rregullimet ligjore, gjithsesi, kanë synuar lehtësim të burokracive dhe kjo në letër, por në praktikë duket se nuk reflektohet dhe aq shumë. Kjo sigurisht që kërkon një vëmendje të re nga ana e ligjvënësve dhe strukturave institucionale shtetërore.
“Përditësimet e fundit të ligjit për qiranë financiare dhe aktet nënligjore të saj datojnë në vitin 2007. Në aspektin e ndryshimeve të tjera që bëhen dhe prekin aktivitetin e qirasë financiare është shtuar kërkesa e vërtetimit të detyrimeve për mjetet motorike, të cilat në udhëzim përcaktohet se merret online nga noteri, ndërkohë duhet që klienti të shkojë ta marrë fizikisht, gjë që tregon mosfunksionim të zbatimit të udhëzimit”, – u shpreh Elion Martini nga Credins Leasing.
Banka e Shqipërisë raportoi se në dhjetor 2016, totali i aktiveve të institucioneve financiare jobanka arriti në vlerën e 35.03 miliardë lekëve, duke përbërë 2.5% të totalit të aktiveve të sistemit bankar.
Në raport me një vit më parë, aktivet e subjekteve financiare jobanka regjistruan një rritje me 3.22 miliardë lekë ose 10.12%. Nga ana tjetër, portofoli i kredisë së subjekteve financiare jobankare, që dominohet tradicionalisht nga kredidhënësit dhe mikrokredia, ka ruajtur të njëjtën panoramë.
Të paktën 67.8% të portofolit i përkiste pikërisht këtyre subjekteve që më pas ndiqen nga ato të qirasë financiare me 29.4%. Rritja bruto e portofolit të institucioneve financiare jobanka në fund të 2016-s ishte 1.8 miliardë lekë ose 9.5%, duke arritur vlerën e 20.76 miliardë lekëve. Subjektet e qirasë financiare mbanin një peshë prej 11,45% të portofolit të sistemit jo bankar. Raporti i mbikëqyrjes i bankës qendrore jep edhe detaje mbi aspektin strukturor të kredidhënies dhe qirasë financiare. Financimet për biznes përbëjnë 87.5% dhe këto, të orientuara drejt sektorëve të “Tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë” (24.3%), “Të tjera” (20%), si dhe “Bujqësisë, gjuetisë dhe silvikulturës” (13.6%).
“Për sa i përket objektit të financimeve, portofoli i qirasë financiare vazhdimisht dominohet nga financimet për mjete transporti personal (54.8%) dhe mjete transporti pune (24.1%)” thuhet në raport.
Të ardhurat e tre kompanive kryesore u rritën me rreth 21% në vitin 2016
7 kompani, që operojnë në tregun e qirasë financiare raportuan në vitin 2016 një qarkullim të ardhurash mbi 616 milionë lekë dhe një fitim para taksave në nivelin 131 milionë lekë, por këto shifra janë më të larta po të kemi parasysh që Credins Leasing e përthithur nga kompania mëmë Credins nuk ka një bilanc më vete, si dhe mungojnë të dhënat e Tranzit (nuk ka dorëzuar bilanc në 2016-n).
Në përqindje, rritja totale e të ardhurave të operatorëve ishte rreth 20%. Aktiviteti i leasingut po rezulton me kthime të kënaqshme, teksa operatorët e konsoliduar në treg deklarojnë një normë fitimi prej rreth 30%.
Bilancet e dorëzuara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se ende ka kompani në humbje, por krahasuar me dy-tre vite më parë, ky numër është reduktuar dhe disa kompani ia kanë dalë të jenë me fitim.
Operatori më i madh në treg është Raiffeisen, me të ardhura 310 milionë lekë, me një rritje vjetore 10%. Fitimi para taksave gjithsesi ishte në ulje 10.7%, duke arritur në 90 milionë lekë. Kujtojmë se Raiffeisen përthithi në vitin 2015 Tirana Leasing, e cila në vitin 2014 raportonte humbje 146 milionë lekë.
Edhe Landeslease ka shënuar rritje prej 11% të të ardhurave, që kanë arritur në 110 milionë lekë. Fitimi para taksave u dyfishua në 35.3 milionë lekë.
Porsche Leasing raportoi një rritje me 68% të të ardhurave të saj, duke regjistruar një vlerë mbi 70 milionë lekë, kurse fitimi para taksave në raport me vitin 2015 u trefishua në 30 milionë lekë.
Albanian Leasing, një tjetër kompani që operon në treg prej vitesh, rriti qarkullimin e saj me 77.3% në vitin 2016 në raport me vitin paraardhës, në 65 milionë lekë. Edhe pse me një qarkullim të rritur dukshëm, kompania nuk ka mundur të dalë me fitim, por gjithsesi ka ngushtuar humbjen. Nëse në vitin 2015, humbja e saj ishte mbi 37 milionë lekë, në vitin 2016 ajo zbriti në 24 milionë lekë.
Final zgjeroi të ardhurat nga aktiviteti i qirasë financiare me 6%, në 55 milionë lekë. Crimson Finance Fund Albania dhe Albanian Financial Institution kanë aktivitet minimal.
“Investimet pritet të rrisin kërkesën për mjete pune”
Kompanitë që operojnë në tregun e qirasë financiare duhet që të konsolidojnë politikat për t’i përshtatur ato me segmentet e caktuara. Për Drejtoren e Përgjithshme të Raiffeisen Leasing, Ida Shehu, kjo duhet të vijë natyrshëm tanimë që konsumatori po merr çdo ditë dhe më shumë informacion. Pritshmëritë janë që 2017 të jetë një vit pozitiv për të gjithë tregun dhe në këtë aspekt pritet të ndikojë si rritja e besimit konsumator ashtu edhe investimet e parashikuara në rritje.
Tregu i leasing është shoqëruar vit pas viti me zhvillime. Si ka qenë ecuria e këtij tregu gjatë vitit 2017 nga të dhënat që keni paraprakisht?
Kemi vërejtur me kënaqësi që në 2017-n, kërkesa e klientëve në drejtim të financimit të mjeteve të reja ka pasur një rritje të mirë, sidomos për sa i përket tregut të dhënies së makinave me qira.
Cilat janë sfidat që has ky treg në lidhje me konkurrencën, edukimin financiar të qytetarëve për ta kuptuar, lehtësive që mund të ofrohen?
Konkurrenca ka pasur vetëm ndikim pozitiv mbi tregun. Edukimi i klientelës dhe vlerësimi i tyre ndaj produkteve ka ardhur në rritje. Nëse në fillim na duhej të prezantonim se çfarë ishte “qiraja financiare” dhe në shumë raste përballeshim me hezitim, tani mund të theksoj se niveli i njohjes nga tregu është pothuaj i tërësishëm dhe ne mund të ndërtojmë politikat si t’i përshtatemi sa më mirë kërkesës së segmenteve të caktuara të tregut.
Në vitin 2016, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ka pasur një rënie të zërit “mjete pune” brenda qirasë financiare. Si e vlerësoni këtë?
Është një fenomen i njohur për leasing që kërkesat më të mëdha për mjete pune vijnë kur projekte të mëdha iniciohen nga qeveria apo operatorë të mëdhenj privatë. Ne presim që në fund të 2017-s të shohim një rritje të këtij zëri, pikërisht për shkak të një dinamike më pozitive në sektorin e investimeve publike dhe private.
A kemi një situatë më të mirë konsumatore në kushtet kur kemi një rritje te blerja e mjeteve të reja?
Investimi i familjeve dhe bizneseve në makina të reja tregon vetëm rritje të besimit në performancën e tregut nga ana e popullatës. Tendenca, gjithsesi, është pozitive dhe besojmë se e tillë do të ngelet edhe në periudhën në vijim.
Si është raporti i kreditorëve të këqij kur flasim për qiranë financiare?
Tregu i qirasë financiare është përballur me të njëjtën sfidë si i gjithë tregu bankar, por duhet të theksoj që kemi një përmirësim të ndjeshëm të situatës dhe kemi besimin e plotë që do të vazhdojë të përmirësohet edhe më shumë deri në fund të vitit.
“Tregu në rritje të lehtë, por duhet edukim i konsumatorit”
Tregu i qirasë financiare po njeh rritje të lehtë nga viti në vit, pas riformatimeve që iu nënshtrua në fazat paraprake të tij, si dhe nën efektin e post-krizës. Kontributin kryesor sot po e jep segmenti i mjeteve të reja, ndërkohë që asetet e tjera mbeten pak të eksploruara.
Administratori i Landeslease, Dorin Maraku, tha për “Monitor” se sfidë mbetet edukimi i konsumatorit mbi tregun e qirasë financiare, ndërkohë që themelore mbetet zgjidhja e disa ngërçeve që ka ky treg, në mënyrë që të kemi përmirësim të ecurisë.
Si ka qenë ecuria e këtij tregu gjatë vitit 2017 nga të dhënat që keni paraprakisht?
Ecuria e tregut të qirasë financiare (leasing) gjatë 2017-s ka qenë relativisht pozitive krahasuar me tre vitet e fundit, duke shënuar rritje të lehtë, e ndikuar kryesisht nga financimi i mjeteve të reja, të cilat vijojnë të përbëjnë burimin kryesor të këtij tregu. Pritshmëritë për fundvitin, duke analizuar trendin aktual, mbeten gjithashtu pozitive, sa u përket disbursimeve të reja, pasi pritet të shënohet një rrije me 10% e këtij tregu në krahasim me vitin e mëparshëm.
Ndërkohë që portofolat e secilit prej aktorëve në treg është e vështirë të analizohen, si rezultat i informacionit të pakët në këtë drejtim, por edhe si pasojë e amortizimit të shpejtë të portofolave që derivon nga produkti i leasing. Në një pamje të gjerë duhet thënë se edhe këtu reflektohet një rritje e lehtë, trend i cili në mos të përmirësohet, mund të ruhet i njëjtë edhe për fundvitin. Duke qenë i lidhur ngushtë me tregun e automjeteve, tregu i leasing vijon të vuajë pasojat e numrit të ulët të shitjeve të makinave të reja nga koncesionarët, pasi numri i makinave të vjetra vijon të mbetet ende i lartë, kjo e krahasuar edhe me vende të tjera të rajonit. Mungesa apo moszhvillimi i tregjeve të tjera të aseteve tipike për leasing si pajisje, makineri, etj., bën që ky treg të mos njohë zhvillimin e duhur e për pasojë, të mbetet i varur në pak lloje asetesh.
Cilat janë sfidat që has ky treg në lidhje me konkurrencën, edukimin financiar të qytetarëve për ta kuptuar, lehtësitë që mund të ofrohen?
Padyshim që një ndër sfidat kryesore mbetet presioni i konsumatorit për të zgjedhur produkte me çmimin më të lirë, të cilat ofrohen nga sektorë të tjerë financiarë, si p.sh., bankat, çka ndikon negativisht në zhvillimin e sektorit të leasing në përgjithësi. Mungesa e tregjeve të ndërlidhura me sektorin e leasing, si ai i pajisjeve të cilat kanë përdorim të gjerë në prodhim, mjekësi, etj., përbën gjithashtu një dobësi, duke mos krijuar kushtet e nevojshme për zhvillim të mëtejshëm të të dy sektorëve.
Gjithashtu, konsumatori individ është gjithmonë e më pak prezent në këtë treg, si pasojë e mungesës së edukimit në këtë drejtim e për rrjedhojë, mosnjohje të avantazheve të sektorit dhe produktit në veçanti, por edhe si pasojë e vështirësive ekonomike të tyre gjatë viteve të fundit, të cilat kanë bërë që individi të orientohet më së shumti tek asetet e përdorura dhe me kosto afatshkurtër më të ulët, pa marrë në konsideratë kostot në terma afatgjatë që lidhen me asetin e përdorur, të cilat patjetër që janë më të larta.
Në vitin 2016, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë ka pasur një rënie të zërit “mjete pune” brenda qirasë financiare. Si e vlerësoni këtë?
Ritmet e ulëta të zhvillimit në sektorë të ndryshëm, të cilat përdorin këto mjete pune për aktivitetin e tyre, kanë bërë që ndërmarrjet të shfrytëzojnë më mirë kapacitetet e tyre në asete ekzistuese, faktor i cili i ndërlidhur me faktin e mosnjohjes së shumë prej ndërmarrjeve të avantazheve që sjell produkti i leasing, kanë sjellë ulje të kërkesës së tyre për këto mjete. Gjithashtu duhet evidentuar se risku që mbartin sektorë të caktuar i ka bërë që të jenë më pak atraktivë dhe të kenë vëmendje më të ulët nga aktorët e leasing e për rrjedhojë promovim më të ulët të produktit të leasing kundrejt tyre.
A kemi një situatë më të mirë konsumatore në kushtet kur kemi një rritje te blerja e mjeteve të reja?
Duke qenë tregje të ndërlidhura, rritja e flukseve të shitjes në sektorin e automjeteve të reja ndikon pozitivisht në sektorin e leasing, i cili duhet thënë se ka kapacitete për të mbuluar kërkesë konsumatore edhe më të lartë se ajo aktuale. Nga ana tjetër, kjo ndërlidhje mund të sjellë edhe efekte negative, edhe pse pritshmëritë duhet thënë se janë të moderuara në këtë aspekt, prandaj gjetja e burimeve të tjera ku sektori i leasing mund të investohet, mbetet i rëndësishëm, pasi përveç zhvillimit reciprok të sektorëve do të krijonte diversifikim edhe më të madh të portofolave dhe pse jo, edhe zgjatje të afateve të amortizimit të tyre.
A ka ngërçe ligjore ose burokraci që duhet të rishikohen për ta përmirësuar tregun, të paktën nga ajo që vëreni ju në punën tuaj ditë pas dite?
Ndër problematikat kryesore mbetet rimbursimi i TVSH-së, i cili nga momenti i aplikimit e deri në rimbursim të fondeve merr një kohë të gjatë për aktorët e leasing. Për të përballuar këtë hapësirë të gjatë kohore, aktorët detyrohen të gjejnë burime alternative fondesh/likuiditeti, të cilat shoqërohen me një kosto të caktuar, duke sjellë shtrenjtim të produktit e për rrjedhojë, ulje të atraktivitetit të tij krahasuar me produkte të ngjashme, të cilat ofrohen nga bankat në vend.
Si është raporti i kreditorëve të këqij kur flasim për qiranë financiare?
Aplikimi i filtrave të mirëstrukturuar në analizën e klientëve dhe mundësive për financim, por edhe ndjekja e tyre në vijimësi të marrëdhënies ka bërë që Landeslease të regjistrojë një nivel të ulët të kreditorëve të këqij, pra një performancë të mirë të portofolit të saj. Ndër të tjera, ndërgjegjësimi i klientëve në këtë drejtim dhe aplikimi i procedurave më të thjeshta në kuadër të rikuperimit të asetit mendoj se kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e këtij raporti.
“Qiraja financiare, e nevojshme të krijohet tregu sekondar”
Tregu sekondar është zgjidhja për të zhvilluar më shumë qiranë financiare dhe për t’i dhënë kësaj të fundit dimensione të reja. Për Drejtorin e Departamentit të Shitjes dhe Suportit të Qirasë Financiare në Credins Leasing, Elion Maraku, kjo është arsyeja pse sot kemi të zhvilluar pjesën e financimit të mjeteve motorike. Nga ana tjetër, ai sjell në vëmendje se vendimet apo udhëzimet që miratohen dhe që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo, me qiranë financiare, duhet të zbatohen në mënyrë që qytetarët t’i përfitojnë edhe në praktikë këto lehtësi.
Si ka qenë ecuria e këtij tregu gjatë vitit 2017 nga të dhënat që keni paraprakisht?
Nga të dhënat që kemi për 6-mujorin ka një rritje të tepricës në nivelin 9% në tregun e qirasë financiare krahasuar me fundvitin 2016 dhe peshën më të madhe e zënë automjetet.
Cilat janë sfidat që has ky treg në lidhje me konkurrencën, edukimin financiar të qytetarëve për ta kuptuar, lehtësitë që mund të ofrohen?
Mendoj se ky treg ka mjaft për të zhvilluar produktin e qirasë financiare. Aktualisht është i përqendruar rreth financimeve të mjeteve motorike, të cilat zënë peshë të madhe në portofolat e qirasë financiare e më pas makineri e pajisje etj. Zhvillimi i financimit të mjeteve motorike është i lidhur pikërisht me lehtësimin që i ofron tregu sekondar për tregtimin e tyre. Për kategoritë e tjera aktuale të financimit, ky treg sekondar ose mungon, ose është mjaft i vështirë për t’u krijuar. Edukimi financiar, veçanërisht te bizneset, është ende i paformatuar në lidhje me përparësitë që ka produkti në aspektin fiskal. Mbetet ende në tradicionalen për të përdorur produktin e kredisë kur financimi me qira financiare mund t’i sillte mjaft përfitime biznesit.
Konkurrenca në treg për këtë produkt është mjaft e lartë, por mendoj se një aspekt që kjo ndodh është te përqendrimi i produkteve të njëjtë të ofruar, me ndryshime të vogla. Krijimi i produkteve të reja tek qiraja financiare përmban risqe që lidhen ngushtësisht herë me legjislacionin dhe herë me mungesën e tregut sekondar.
Në 2016-n, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ka pasur një rënie të zërit “mjete pune” brenda qirasë financiare. Si e vlerësoni këtë?
Kërkesa për financime mjete pune është e lidhur drejtpërdrejtë me nevojat që kanë klientët, me politikat që kanë institucionet për financime vetëm të mjeteve të reja apo relativisht të reja, me tregun sekondar të tyre.
A kemi një situatë më të mirë konsumatore në kushtet kur kemi një rritje tek blerja e mjeteve të reja?
Patjetër që kemi një situatë më të mirë konsumatore, si dhe një siguri për të kryer financime. Në blerjen e mjeteve të reja ndikon edhe ndërgjegjësimi i klientëve për të investuar tashmë në mjete të reja.
A ka ngërçe ligjore ose burokraci që duhet të rishikohen për ta përmirësuar tregun, të paktën nga ajo që vëreni ju në punën tuaj ditë pas dite?
Përditësimet e fundit të ligjit për qiranë financiare dhe aktet nënligjore të saj datojnë në vitin 2007. Në aspektin e ndryshimeve të tjera, që bëhen dhe prekin aktivitetin e qirasë financiare, është shtuar kërkesa e vërtetimit të detyrimeve për mjetet motorike, të cilat në udhëzim përcaktohet se merret online nga noteri, ndërkohë duhet klienti të shkojë ta marrë fizikisht, gjë që tregon mosfunksionim të zbatimit të udhëzimit. Rast tjetër për t’u përmendur është mungesa e rregullave të qarta të rasteve të importit të makinerive që, sipas VKM-së në fuqi, përjashtohen nga TVSH në momentin e ndërmjetësimit të kompanive leasing.
Si është raporti i kreditorëve të këqij kur flasim për qiranë financiare?
Ashtu si edhe çdo produkt tjetër bankar në aspektin e financimit, edhe qiraja financiare ka kategorinë e kreditorëve të këqij. Krahasuar me produktin e kredisë, kjo përqindje është mjaft e ulët, pasi përveç rolit administrues ka të bëjë me specifikën e produktit. Sendi i qirasë financiare nuk është në emër të klientit, por në atë të bankës. Kjo sjell që çdo problematikë që krijohet në shlyerjen e kësteve të qirasë, të shkojë drejt dorëzimit të sendit dhe të ritregtohet ose nëpërmjet shitjes në tregun sekondar ose me rifinancim.
Qiraja Financiare (Leasing) përfaqëson një marrëdhënie konkraktuale, në të cilën Qiradhënësi delegon të drejtën e përdorimit dhe zotërimit të makinës ose pajisjes tek Qiramarrësi me kërkesë të këtij të fundit, për një periudhë të caktuar kohe dhe kundrejt një pagese periodike në drejtim të Qiradhënësit e cila quhet “kësti i qirasë financiare”
E drejta e pronësisë transferohet tek Qiramarrësi pas pagesës së këstit të fundit të qirasë financiare.
Qiradhënia financiare (Leasing) është e rregulluar juridikisht në bazë të ligjit mbi Qiranë Financiare në Republikën e Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.