Për miratimin e lejes së legalizimit mjaftojnë vetëm tri javë kohë. Drejtoresha e Drejtorisë së ALUIZNI-t Tirana-Jug, Besa Spaho, sqaron të gjithë praktikën e punës që ndiqet nga momenti që merret në shqyrtim një dosje deri në momentin që qytetari njoftohet për të tërhequr tapinë. “Duhen minimumi tri javë që një praktikë e kualifikueshme të kalojë në sektorët përkatës.
Nëse gjithçka është në rregull, njoftohet qytetari të vijë të tërheqë lejen e legalizimit”, shprehet Spaho. Në shtator pritet që të nisin edhe procedurat e reja për regjistrimin e pronës në Hipotekë, të cilat do t’u reduktojnë kohën dhe do t’u kursejnë mundin qytetarëve.
Në intervistën dhënë për gazetën, drejtoresha e Drejtorisë së ALUIZNI-t në Tiranë, ndalet edhe në praktikën që ndiqet me familjet që e kanë të pamundur shlyerjen e faturës për parcelën ndërtimore. Në këto raste, regjistrimi në Hipotekë bëhet në një kartelë të posaçme. Kjo e kufizon qytetarin për ta shitur apo për ta lënë kolateral.
INTERVISTA
Këto muajt e verës fokusi është tek emigrantët. Çfarë masash janë ndërmarrë nga ALUIZNI në shërbim të tyre?
Emigrantët kanë qenë fokusi jonë këtë periudhë, kërkesat e tyre po merren parasysh. Po bëhet përshpejtim i praktikave, duke filluar që nga matjet në terren dhe deri në procedimin final të dosjes. Qytetarët kanë treguar interes të madh, gjë që do të thotë se ata besojnë te ky proces që realisht po ecën me hapa të shpejtë. Kemi hapur sportele shtesë, kemi vënë staf shtesë në dispozicion të tyre, ku çdo kërkesë e tyre trajtohet në kohë rekord.
Si kanë qenë këto ditë, a është regjistruar fluks?
Po, ka pasur fluks të lartë emigrantësh, të gjithë janë pritur dhe sqaruar mbi ecurinë e procesit të legalizimit të objekteve të tyre. Sigurisht që procedura është e njëjtë, plotësimi i dokumentacionit duhet bërë, por ajo që merr prioritet është shpejtësia e trajtimit të tyre. Objektet po maten brenda ditës dhe po kalojnë në sektorët përkatës me prioritet të lartë, duke u munduar t’u japim zgjidhje. Fluksi i emigrantëve vazhdon dhe ne jemi në dispozicion të tyre me staf dhe sportele shtesë edhe jashtë orarit.
Në shtator nis zbatimi i udhëzimit të firmosur mes kreut të ALUIZNI-t Lame dhe atij të Hipotekës Muho. Çfarë lehtësirash do të kenë qytetarët?
Udhëzimi i firmosur midis drejtorit të Përgjithshëm dhe atij të ZVRRP-se do t’i japë procesit një tjetër dimension. Do të jetë vetë ALUIZNI, ai i cili do bëjë edhe aplikimin për regjistrim të lejeve.
Regjistruesi, brenda 10 ditëve punë nga data e paraqitjes së kërkesës, është i detyruar të kryejë regjistrimin e lejes së legalizimit.
Nëse çdo dokumentacion i dërguar pranë ZVRRP-së është në rregull, atëherë brenda 5 ditëve nga data e regjistrimit të lejes së legalizimit ZVRRP-ja i kërkon ALUIZNI-t të njoftojë subjektin përfitues për të kryer pagesën e tarifave të shërbimit. Ky udhë- zim lehtëson më tej procedurat e qytetarëve për të mbaruar punë më shpejt dhe për të pritur më pak sporteleve.
Sa kohë do t’i duhet ALUIZNI për të shqyrtuar një dosje dhe për ta dërguar në Hipotekë? Cilat janë procedurat që do të ndiqen?
Ritmi i lartë i punës pranë zyrave të ALUIZNI-t bën që në një ditë të zakonshme të trajtohen shumë praktika. Problematikat e tyre janë nga më të ndryshmet, ka praktika që për momentin nuk mund të marrin zgjidhje për shkak të studimeve urbanistike që i prekin. Ka edhe praktika, të cilat kërkojnë plotësim dokumentacioni dhe ju bëj thirrje qytetarëve të tregohen më bashkëpunues për ta çuar në fund këtë proces.
Një procedurë normale nis me verifikimin e objektit në terren, më pas kalon në sektorin e përpunimit hartografik, ku gjykohet në lidhje me afatin e ndërtimit dhe azhurnimin në hartë. Me planimetritë dhe genplanin e hartuar nga sektori i parë, dosja kalon në sektorin e çështjeve të pronësisë.
Në këtë sektor shumë të rëndësishëm gjykohet nëse objekti është ndërtuar në tokë të poseduesit, në tokë me pronarë, apo në tokë shtet. Secili rast më vete merr zgjidhje nga ky sektor, bashkëpunimi me Hipotekën është shumë i rëndësishëm për t’i dhënë përgjigje në kohë qytetarit.
Sektori i fundit është ai i urbanistikës, ku praktika shihet në raport me studimet urbanistike, nëse është e kualifikueshme apo jo. Nëse praktika kualifikohet, qytetari pajiset me lejen e legalizimit dhe menjëherë bëhet dërgimi i saj në Hipotekë për t’u pajisur me certifikatë pronësie.
Por për lëshimin e tapisë, çfarë afatesh ka?
Duhen minimumi tri javë që një praktikë e kualifikueshme të kalojë nëpër sektorë. Nëse gjithçka është në rregull, njoftohet qytetari të vijë të tërheqë lejen e legalizimit.
Për praktika që kanë nevojë për plotësim dokumentacioni, kjo kohë është disi më gjatë, në varësi të predispozicionit që kanë qytetarët për të plotësuar dokumentet e kërkuara nga ne.
Është shumë e rëndë- sishme faza e plotësimit të dokumentacionit, ky është një proces shumë i rëndësishëm nga i cili secili duhet të marrë atë që i takon.
Si do të veprohet me ata që nuk do të paguajnë faturën për parcelën ndërtimore?
Çdo muaj dërgojmë në qeveri kalime pronësie. Qytetarët, të cilët kanë nevojë për kalim pronësie për objektet e tyre, fillimisht pajisen me lejen e legalizimit të objektit dhe më pas u bëhet kalimi i pronësisë.
Qytetarët, përgjithësisht, tregohen të gatshëm për të bërë pagesën e truallit, por ka edhe të tjerë që, për arsye të ndryshme, nuk paraqiten për të tërhequr faturat.
Fatura dërgohet me postë dhe brenda 45 ditëve qytetari duhet të bëjë pagesën e truallit, përtej këtij afati praktika niset në Hipotekë për regjistrim me barrë hipotekore. Barra hipotekore hiqet në momentin që qytetari shlyen detyrimet për parcelën ndërtimore.
Çfarë penalitetesh do të ketë për këtë kategori?
Penalitet për këtë kategori qytetarësh është se leja e tyre kalon për regjistrim në Hipotekë me barrë hipotekore. Ndërkohë, nëse nuk e paguan brenda 45 ditëve nga tërheqja e faturës, humbet 30 për qind të zbritjes (20% nga pagesa e menjëhershme dhe 10 për qind nga pagesa e energjisë elektrike.
Parashikohen ndryshime të tjera ligjore për thjeshtimin e procesit legalizues?
Po patjetër. Ne, gjatë gjithë kohës kemi pasur VKM që i vijnë në ndihmë procesit dhe sërish do të ketë. Pritet që shumë shpejt të kalojë për miratim në Qeveri një projektvendim për të legalizuar pallatet stok që ka në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera. / Panorama
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.