Lehtësimi monetar nuk i vjen në ndihmë qeverisë, rriten interesat e borxhit

11/03/2015 9:05 AM 0 komente

Interesat e borxhit të qeverisë vijuan rritjen edhe në ankandin e fundit të bonove të thesarit. Tendenca e rritjes së yield-it ka vijuar për afatin 1 vjeçar të bonove dhe ka pësuar një ulje të lehtë për maturimin 6 mujor.

Yiled-i (interesi) për bonot me afat maturimi një vjeçar arriti në 3.60% nga 3.59% që ishte në ankandin e datës 24 shkurt. Ky është niveli më i lartë i interesit që nga muaji shkurt i viti të kaluar.

Qeveria kërkoi 10,800,000,000 lekë për rifinancimin e interesave të borxhit , por në fund të ankandit ka pranuar 10,475,300,000 lekë, ose 97 për qind të shumës së kërkuar.

Në ankandin 6 mujor qeveria kërkoi 4,600,000,000 lekë. Duke qenë se, bankat ofruan për këtë afat 20 për qind më shumë se, shuma e kërkuar nga qeveria, interesi pësoi një rënie të lehtë , në 3.17% nga 3.22 për qind që ishte në ankandin e mëparshëm.

Por ndërkohë që bankat janë më të gatshme të financojnë borxhin afatshkurtër, interesi i qeverisë është që të marrë sa pak hua në këtë formë është më i ulët

Muajt e fundit, financat po përballen me një rritje të kostos së borxhit, pavarësisht “ndihmës” që i është dhënë nga banka qendrore përmes uljes së normës bazë, që ka zbritur në nivele minimale historike prej 2%. Norma bazë është ulur pesë herë në 2014-n.

Bankat, që janë blerëset kryesore të borxhit të qeverisë janë tërhequr nga blerja e bonove të thesarit, teksa po e perceptojnë me rrezik të rritur investimin e parave të tyre në borxhin e qeverisë, një dukuri kjo e konfirmuar dhe nga Ministria e Financave.

Një ditë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin e fundit ‘Ballkani Perëndimor, 15 VJET TRANZICION EKONOMIK” jep një panoramë të politikave fiskale, duke veçuar sfidat dhe duke dhënë rekomandime për politikat që duhen ndjekur. Për Shqipërinë sfida kryesore, theksohet në raport, është borxhi i lartë dhe nevojat e financimit, të cilat janë gjerësisht të varura nga bankat. (http://www.monitor.al/fmn-borxhi-i-larte-dhe-varesia-e-financimit-nga-bankat-rreziku-i-ekonomise-shqiptare)

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of