Qeveria e Serbisë është interesuar për të zhvilluar ciklin e mbyllur për markat e njohura globale. Agjencia për Zhvillim e Serbisë rendit markat e mëposhtme si përfitues të subvencioneve për fabrikat prodhuese në Serbi për marka të tilla: GEOX, Benetton, Calzedonia, Pompea, Golden Lady (të gjitha me qendër në Itali) dhe Falke (me seli në Gjermani) si dhe kompaninë turke Aster. Përveç kësaj, fabrikat e prodhimit të markave kanë furnizues në Serbi ose furnizuesit kanë nënkontraktorë aty pranë. Ekspertët vlerësojnë se rreth pesë nënkontraktorë prodhojnë për fabrikën GEOX në Vranjë, rreth 20 të tjerë për furnizuesit e Benetton në Nish mbështeten në nënkontraktuesit që ndodhen ndonjëherë në të njëjtin ambient.
Serbia, jo vetëm që ofron një forcë të lirë pune, për shkak të pagës së ulët minimale, por është edhe një shtet, qeveria e të cilit ofron përfitime bujare financiare për investitorët e huaj. Lehtësitë që qeveria serbe ofron përfshijnë grante për investitorët në formën e financimeve cash. Komunave u lejohet të shesin tokën me çmime më të ulëta se tregu, ose ofrohet edhe falas.
Në zonat e lira tregtare ka përfitime të tjera si ofrimi i materialeve të ndërtimit, energjisë, transportit, kostot e karburantit pa TVSH, heqja e detyrimeve doganore për lëndët e para, pajisjet dhe materialet e ndërtimit. Përveç kësaj, ekziston një ofertë tatimore 10-vjeçare për investime me mbi 100 punonjës dhe më shumë se 8.5 milionë euro. Gjithashtu, Serbia ka hapur rreth 30 shkolla profesionale për sektorin e tekstilit. Për rrjedhojë, gjatë 10 viteve të fundit, industria e modës serbe ka evoluar nga një prodhim vendas, i bazuar në prodhim, në një sektor që po orientohet nga dizajni për tregun global. Shumë studentë serbë dizajnues tashmë punojnë në shtëpitë e modës nëpër botë, të cilat promovojnë industrinë e modës serbe jashtë vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.