EDITORIAL MONITOR 780/ Tre muaj më parë (po aq sa ka edhe “Çadra”), askush nuk e mendonte që fushata elektorale për zgjedhjen e Presidentit të ri të Francës do të përfundonte me duel mes një pothuaj të panjohuri në politikë dy vjet më parë, Emanuel Macron, dhe lideres populiste, Marine Le Pen, të Frontit Nacional.
Në më pak se tre muaj, sistemi politik bipolar francez, që për gati 50 vjet dominoi në Republikën e ashtuquajtur të Pestë, u shkërmoq. Nga sa parashihet, edhe në zgjedhjet e ardhshme që do të zhvillohen së shpejti, partitë tradicionale të të dy krahëve do të jenë në vështirësi të mëdha për të arritur kuotat e mëparshme të përfaqësimit në Parlament.
Krahu i majtë, veçanërisht socialistët e Presidentit Hollande, vuajtën qëndrimin penalizues të qytetarëve, si një kundër-reagim për një qeverisje të dobët dhe jo rezultative kundrejt premtimeve të bëra. Por, çudia më e madhe ndodhi kur edhe kandidati republikan i së djathtës konservatore pati rezultate larg nivelit që do ta fuste në duelin final të balotazhit. Dështimi i erdhi, pavarësisht vlerësimeve pozitive që i bënë kritikët profesionistë programit të tij në fazën e primareve, brenda kampit të djathtë dhe mbështetjeve më të mëdha në sondazhet e opinionit.
Çfarë ndodhi?
Mjaftoi vetëm “skandali i pagave” (se në Francë skandal konsiderohet qoftë edhe punësimi formalisht i rregullt i gruas si asistente e burrit parlamentar) i publikuar nga revista satirike “Le Canard enchaîné” që ndezi shkëndijën që i vuri zjarrin së ardhmes së kandidatit të djathtë, republikanit Fillon. Sondazhet e opinionit e reflektuan menjëherë rënien drastike në vend të tretë.
Shumë, por veçanërisht media tradicionale, e vlerësoi ngjarjen me një dëm minimal, që do të tejkalohej, dhe shpresuan se Fillon do ta rikuperonte shpejt. Por, kjo nuk ndodhi.
Cili ishte shpjegimi? Çfarë ndodhi ndryshe këtë herë?
Interneti dhe mediat sociale këtë herë patën ndikim të jashtëzakonshëm në përcjelljen e mesazheve dhe formimin e opinioneve te publiku, duke luajtur edhe me lajmet e vërteta, por edhe me “fake news”. Me sa u pa, në këtë fushë, 39-vjeçari Macron është ndier shumë më komod se gjithë kandidatët e tjerë dhe e shfrytëzoi me shumë sukses për të formësuar lëvizjen e tij “En Marche!”. Kjo lëvizje, që më shumë se përkthimi fjalë për fjalë “Në ecje” ka kuptimin “Përpara”, u projektoi francezëve një plan dhe imazh të qartë të Francës së të ardhmes, tek e cila ata ishin të ftuar ta përqafonin dhe të hidhnin me guxim hapin për t’ju bashkuar, të cilën ai e definoi si “La République En Marche!” (Republika përpara)
Mesazhet e qarta për të favorizuar demokracinë, solidaritetin por edhe diversitetin, lirinë e tregut, lehtësimin fiskal, uljen e shpenzimeve shtetërore, duke shkurtuar administratën, por edhe duke riparë e duke përmirësuar Bashkimin Europian, ngjizën te francezët. Ky projekt që ju paraqit atyre në mënyrë të brishtë më pak se një vit më parë, nga një delfin, por edhe një mbështetës i Presidentit Hollande, i larguar nga qeveria e tij socialiste për pamundësinë e zbatimit të reformave të thella që kërkonte të ndërmerrte si ministër i Ekonomisë, u mbështet në mënyrë të paprecedentë me dy të tretat e votave në raundin e dytë. Macron njëkohësisht vendosi një precedent të paparë, duke fituar në një vend të dominuar nga dy parti që për 50 vjet janë alternuar në kontrollin e Presidencës apo qeverisë së shtetit të dytë më të fuqishëm të Europës. Kjo ndodhi në Francë merr më shumë përmasa, pasi ky vend përfaqëson për botën, simbolikën më të veçantë për dimensionet e mëdha të lirisë, demokracisë, kulturës dhe qytetërimit perëndimor.
Epilog
Që prej tre muajsh, nga 18 Shkurti, kur opozita filloi protestën, Shqipëria ndodhet në udhëkryqin dhe pozicionet e palëve të përfshira në krizë janë ende të ngrira. Protesta e çadrës nisi si demonstrim qëndrese dhe nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme nëpërmjet një qeverie teknike.
Por është lehtësisht e dukshme që për rithemelimin e “Republikës”. lideri i Partisë Demokratike, ka po kaq kohë që po mban një diskurs të ndryshëm nga palët e tjera, madje të ndryshëm edhe nga paraardhësi e mbështetësi i tij politik. Kur thirri për qëndresë dhe besim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, përpara dy institucioneve më të larta, Kryeministrisë dhe Kuvendit, mbështetësit që besonin dhe te republika e re, nuk ishin të paktë.
A mund të jetë Macron me “La République En Marche!” një leksion francez: Ai ia arriti përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme të francezëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.