Monedha shqiptare u shkëmbye të martën për 124 lekë, niveli më i ulët i shënuar që nga janari i vitit 2009 ndërsa stoku i parasë ka shënuar rënie të ndjeshme gjatë muajve të fundit, një fenomen i rrallë dhe me shkaqe të panjohura.
Monedha e përbashkët europiane, Euro, humbi 0.71 lekë ose 0.6% në kursin e shkëmbimit me lekun, duke shënuar nivelin më të ulët në një dekadë dhe duke u shkëmbyer me vetëm 124.17 lekë. Që nga fillimi i majit, leku është forcuar me 2.9% kundrejt euros ndërsa që nga fillimi i këtij viti leku është forcuar me 6.7%. Ritmi i forcimit ka qenë i paprecedent në historinë e shkurtër financiare të Shqipërisë dhe tendenca e forcimit ka qenë në përshpejtim, veçanërisht gjatë muajve të fundit. Kështu, përgjatë të gjithë vitit 2016, leku u forcua me 1.6% ndërsa përgjatë vitit 2017 u forcua me 1.9% të tjera. Por vetëm përgjatë 5 muajve të këtij viti, leku është forcuar me 6.7%, nga të cilat, 2.9% ishte forcimi i shënuar vetëm gjatë muajit maj.
Pyetja që ekspertët ngrenë tani është nëse leku do të fillojë të nënçmohet apo do të vijojë të forcohet dhe nëse forcimi i muajve të fundit është i përkohshëm apo “normaliteti i ri”. Për shkak se një pjesë e konsiderueshme e forcimit të lekut i dedikohet parave me origjinë të panjohur në valutë të fortë në treg, spekulimi për ecurinë në vijim duket një parashikim i vështirë.
Banka e Shqipërisë e ka bërë të qartë më herët se e konsideron forcimin e lekut gjatë muajve të fundit si një “fenomen të përkokshëm”. Por deklarata e BSH mbi këtë temë i përket fillimit të majit dhe që kur ky institucion e shpalli forcimin të shkaktuar nga fenomene kalimtare, leku ka vijuar të forcohet, e madje me ritëm më të shpejtë se sa më parë.
Më shumë euro, më pak lekë
Forcimi i shpejtë i lekut gjatë viteve të fundit dhe në veçanti gjatë muajve të fundit, është shoqëruar me debate mbi shkaqet e këtij forcimi si dhe pasojat për ekonominë. Opozita politike thotë se paratë e sjella nga aktivitetet e paligjshme dhe të kanalizuara në ekonominë shqiptare kryesisht përmes sektorit të ndërtimit janë burimi i forcimit të lekut. Një pjesë e ekspertëve të ekonomisë thonë se burimi i eurove të tepërta në ekonomi nuk shpjegohet dot me të dhënat e ekonomisë së ligjshme, të tilla si eksporti dhe importi, deficiti tregtar apo çmimet relative.
Por përveç teprisë së euros në treg, një fenomen më pak i njohur sugjeron se aktualisht në ekonominë shqiptare ka edhe mungesë leku. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë mbi agregatët monetarë tregojnë se paraja në qarkullim në lekë, i njohur teknikisht si Agregati Monetar 2 (M2) ka shënuar një rënie të ndjeshme gjatë muajve të parë të këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Qendrore, M2 ishte në masën 715 miliardë lekë në fund të muajit prill, nga 738 miliardë në dhjetor. Sipas përkufizimit të dhënë nga BSH, M2 përfshin paranë fizike si dhe llogaritë bankare me apo pa afat në lekë të rezidentëve me përjashtim të qeverisë qendrore. (Agregati monetar M3 përfshin edhe depozitat në valutë).
Rënia e masës monetare M2 në lekë është një fenomen i pazakontë. Paraja është shpikur që ajo të shtohet, jo të pakësohet. Në teorinë e monetarizmit, nuk vihet në diskutim shtimi i masës monetare, por diskutohet përqindja e rritjes dhe shpejtësia e qarkullimit të saj në ekonomi. Përgjatë historisë së shkurtër të politikës monetare, M2 është shtuar me 8 apo 10 për qind në vit në periudhën para krizës së vitit 2008 dhe me 3 deri në 5% në periudhën pas krizës. Por që nga viti 2016, ritmet e rritjes kanë qenë të ulëta ose negative. Për vitin 2016, M2 u shtua me 1.9% me luhatje të konsiderueshme nga muaji në muaj ndërsa në vitin 2017 shtimi i M2 ishte me vetëm 0.3%. Në prill, kur leku u forcua më shumë se kurrë më parë, ndryshimi vjetor i masës monetare M2 ishte minus 1.2%. Rënia është çuditëse para së gjithash se kur një lek hyn në qarkullim, ai vështirë se mund të zhbëhet përveçse në rast se qeveria mbledh nga taksat më shumë nga sa shpenzon, duke i mbajtur paratë e tepërta në llogarinë e vet në Bankën e Shqipërisë.
Rënia e masës monetare në terma vjetorë në masën 1.2% gjithsesi nuk e shpjegon dot forcimin e shpejtë të lekut. Më shumë se sa mungesa e lekut, dukshëm është prania më e madhe e euros ajo që ka sjellë forcimin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.