Një sërë ligjesh e rregullash të reja tatimore, që kanë hyrë në fuqi njëherësh, kanë çoroditur bizneset, sipas kontabilistëve më të vjetër në vend. Qershia mbi tortë është sistemi i ri i deklarimit online. Mangësitë e deklarimit online i pranoi edhe administrata tatimore, e cila vendosi të shtyjë afatet e pagesave e raportimeve për herë të parë pas shumë vitesh përtej kufijve ligjorë. Kontabilistët, përveçse harxhojnë shumë kohë, po operojnë në mëdyshjen e ndonjë gjobe të mundshme jo për fajin e tyre
Pemët e Vitit të Ri në ambientet e sipërmarrjeve private nuk kanë munguar. Dhe vetëm nëse nuk keni qenë të kujdesshëm, nuk keni arritur të merrni dy kartolina të drejtuara nga administrata shtetërore e Kryeministria.
I pari do t’u drejtohej juve me urimin-urdhër që të paguani energjinë, madje me çmim të rritur, të paguani taksat e diçka më shumë për fitimet e kursimeve tuaja, të deklaroni çdo punonjës, etj. “Shija” e hidhur e kësaj kartoline nuk do të ishte te detyrimet ligjore që duhet të përmbushini, por te masat e ashpra me të cilat mund të përballeni po shkelët ndonjë prej tyre. Që në muajt e fundit të vitit të kaluar, disa sipërmarrës u futën në burg për shkak të detyrimeve apo lidhjeve të paligjshme, e së fundi kryeministri ka treguar se dera e burgut është e hapur edhe për ata që nuk deklarojnë punonjësit. Pra, kujdes se me çdo hap mund të gjendeni para masave të rrepta të qeverisë.
Por, ju thamë që kartolinat do të ishin dy (edhe pse nuk i keni gjetur poshtë pemës). Tjetra është për kontabilistët apo financierët tuaj, të cilëve u kërkohet të zbatojnë ligje të reja tatimore e doganore, por pa udhëzimet përkatëse. Të veprojnë në bazë të rregullave të reja për të deklaruar online te tatimet, ndonëse shpesh ankohen këto ditë se nuk arrijnë të raportojnë dot. Sistemi është i ri dhe problemet janë të pranueshme. Kontabilistët tuaj u duhet të shikojnë edhe një herë sa është paga maksimale, për efekt të pagesës së kontributeve, pasi sërish ka ndryshuar. E në këto kushte, rreziku për ju sipërmarrës nuk janë vetëm masat e ashpra të dënimit. Ato mund të shoqërohen edhe me “garniturën” e gjobave të administratës shtetërore, jo për faj të kontabilistëve tuaj.
E gjithë kjo mund të ndodhë ndërsa po bëni llogaritë si do ta përballoni krizën e konsumit të ulur, si do të paguani borxhet në banka. Ama, një pyetje shpresojmë të mos e ngrini: “si të përzëmë punonjës në shtëpi”.
Administrata po nxitohet….
Kontabilistët thonë se kompanitë rrezikojnë gjoba. Deklarimet po bëhen me vështirësi, ndërsa ka mëdyshje si të zbatohen ligjet…
Të shqetësuar e kanë filluar vitin ata që mbajnë llogaritë e sipërmarrjeve. Sipas tyre, ka pasur ndryshime të mëdha në legjislacionin tatimor e doganor, e mungojnë pjesa më e madhe e udhëzimeve. Pyetja që ngrenë është “si t’i aplikojmë këto ligje, me udhëzimet e vjetra?”.
Artan Xhihani, administrator i UHY Elite, kompani audituese dhe e konsulencës së taksave, është i mendimit se ndryshimet ishin të nevojshme dhe janë pozitive, “por mbase duhet të ishin planifikuar pak më mirë në aspektin kohor të implementimit dhe mundësinë që duhet t’u jepej bizneseve të njiheshin më parë me këto ndryshime, sidomos me deklarimin elektronik, sepse u gjendën përballë një situate ku sistemi kishte shumë gjëra që nuk funksiononte”.
Sipas tij, fakti që është shtyrë deklarimi do të thotë që kishte nevojë që sistemi të koalidohej para se të hidhej në funksionim.
Ai vë në dukje dhe vonesat në nxjerrjen e udhëzimit për ligjin e ri të TVSH-së. “Ligji për TVSH ka dalë në maj dhe brenda katër muajsh duhet të kishte nxjerrë udhëzimin, por ai doli shumë vonë”. Dhe ka dalë vetëm drafi, ende nuk është publikuar ende varianti zyrar.
Sa herë ndodhin ndryshime në gjithë botën i jepet kohë bizneseve prej një viti apo një viti e gjysmë, që të adoptohen dhe njihen me ndryshimet. “Ne nuk kemi një biznes që i asorbon kaq shpejt ndryshimet dhe na lihet vetëm një muaj kohë”, thotë Xhihani.
Disa prej kontabilistëve të tjerë të kontaktuar nga “Monitor” pohojnë se kanë arritur të bëjnë deklarimet, por theksojnë se për këtë u është dashur shumë kohë. Lidhur me plotësimin e listë-pagesave, për të cilat ende nuk ka skaduar afati, ata tregojnë se po hasin probleme.
Ditën e premte, një prej kontabilistëve pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit” thekson, se po humbet shumë kohë me kalimin e listë-pagesave. “Në këtë moment që flasim, nuk i merr sistemi të dhënat”. Kontabilisti që mban llogaritë e disa kompanive të mëdha, nuk e pëlqen “vrullin” e administratës. Sipas tij, çdo gjë do kohën e vet për t’u konsoliduar, për t’u bërë e njohur, ndërsa thekson se nga ekonomistët e financiarët këto ndryshime të shumta duan kohë për t’u përvetësuar.
Kjo duket në fakt edhe te trajnimet që po bëhen, të cilat, megjithëse të shumta në numër, nuk vlerësohen të mjaftueshme. Ndërsa në zyrat e tatimpaguesve në Tiranë, ka tre trajnime në ditë, Erion Prifti, drejtor i Marrëdhënieve me Publikun, pohon se “kemi trajnuar mbi 40 mijë tatimpagues për aplikimet online. Ndërkohë, mes kontabilistëve, paqartësitë vazhdojnë të jenë të mëdha. Edhe për këtë, zgjidhja është menduar, pasi sipas z. Prifti, probleme të vogla teknike të kompanive përballohen nga stafi i drejtuesve të tatimeve.
Për ndryshimet e reja ligjore dhe mundësinë e zbatimit të tyre, përfaqësues të Shoqatës së Kontabilistëve pohojnë se do të zhvillohen trajnime. Ata janë më të frenuar në ankesat e tyre, çka mund të vijnë si rezultat i shtyrjes së afateve nga ana e tatimeve për pagesat e deklarimet, ose nga përvoja e tyre disavjeçare e kontakti me ndryshimet e vazhdueshme të ligjeve.
Gjithsesi, duhet kujtuar, se kësaj radhe, ndryshimet kanë ardhur si një dosje e rëndë mbi tavolinë, e jo një ligj i vetëm. Pikërisht për këtë, ekspertët kujtojnë se, nuk është hera e parë që ndodhin ndryshime ligjore, dhe që udhëzimet nuk dalin në të njëjtën kohë me ligjet përkatëse. Por kësaj radhe, ata kujtojnë se çështja është e ndjeshme pasi ndryshimet kanë ndodhur në pothuajse të gjitha fushat e veprimit tregtar, prodhues apo shërbime dhe rreziku për shkelje e rrjedhimisht, edhe për gjoba të mundshme, është më se i lartë.
Shqetësimi i parë vjen për ligjin e ri të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Ai duhet të merret për bazë tashmë nga sipërmarrjet, por kontabilisti Agim Binaj, ngre pyetje të drejtpërdrejta për Ministrinë e Financave. “Doli ligji i ri i TVSH, ku është udhëzimi? Bizneset vijnë vërdallë. Përse nuk është miratuar nga Ministria e Financave, pse ka kufizime?
Në zyrat më të mëdha të kontabilitetit ka mbërritur projekt-udhëzimi, volumi i të cilit arrin në rreth 200 faqe. Ata ngrenë pyetjen se çfarë duhet të bëjnë deri në miratimin e udhëzimit. Edhe përgjigjja nga administrata tatimore se nuk do të ketë penalizime nuk i qetëson ata që e kanë pësuar më parë në situata të ngjashme. Sipas Binajt, “në të shkuarën, ligji ka hyrë në fuqi në mars, udhëzimet në shtator. Kompanitë u penalizuan”. Ai kujton se kompanitë po zbatojnë ligjin. Sipas tij, “nëse flasim për administratë serioze, kur bëhet ligji, është gati edhe udhëzimi. Ky është paradoks. Pse duhet të krijojmë çoroditje e të penalizojmë subjektet për gjëra që nuk u takojnë?!”.
Pikëpyetjet e zotit Binaj
Agim Binaj, kontabilist ngre një sërë pikëpyetjesh lidhur me zhvillimet e fundit të sistemit tatimore në vend:
Sistemi i ri i deklarimit online
Një sistem i ri mund të ketë problemet e fillimit, por unë si profesionist që merrem me sistemet informatike të kontabilitetit apo të tjera më habisin disa gjëra. E para: Ky sistem që është hedhur në treg a është i certifikuar nga profesionistë e auditorë që sistemi është vërtet i sigurt. A është sistemi i sigurt? Se kur fut një software, pyetja e parë është “sa i sigurt është ky sistem”. Këtë pyetje e bëjnë gjithë profesionistët. Sepse sistem kishte edhe Banka e Shqipërisë, por a ishte i sigurt? Sistem kishim më parë edhe te tatimet, por një ditë të bukur i gjithë informacioni u fshi.
A është i integruar ky sistem me Qendrën Kombëtare të Regjistrimit? Po bëhet një investim dhe nuk kemi përse të bëjmë eksperimente dhe prova. Kemi 20 vjet që po eksperimentojmë. Është lidhur me QKR, doganë, tatimet, taksat lokale? Unë duhet të hap një kuti siç e ka Sllovenia, Kroacia e të tjera, pse duhet të trokas në disa dyer?!
Sa është informuar drejtoresha që ky sistem nuk po ecën. Rreth 50% e kompanive që mbaj nuk kanë arritur të bëjnë raportimin e librave të shitjeve deri më 10 janar. I gjithë ky program me një trajnim, që nuk zgjat asnjë orë, u jepet në një copë letër. Ku ka program pa manual, përse një program hidhet në treg pa u testuar. Që të bëhet një projekt pilot, provohet programi e shikohet si funksionon, pse duhet të gjej unë defektet sot?
Nëse pyesni për gjoba për deklarimet, nuk ka gjoba, por thuhet që mund të paguhet pa problem, edhe në data të tjera pa penalizim. Pse e prish rregullin? Ose lëre datën e ligjit për TVSH-në, datën 14 të muajit. Rregullo sistemin, duhet të jetë i tillë që njerëzit ta kuptojnë thjesht, të bëjnë trajnimet e duhura deri në tremujor. Ky nuk është seriozitet. Subjektet rrinë një ditë e nuk i hedhin dot shifrat. Cili është faji? Nuk jam i sigurt a është i duhur ky sistem, apo shqiptarët e buxheti i shtetit kanë para për të hedhur. Nesër mund të bëhet shumë problem. Duhet të ngrihet një grup me ekspertë që të auditojë programin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.