Lëngjet e frutave, industria që po shtrydhet

07/08/2018 4:07 PM 0 komente

Prodhuesit e lëngjeve të frutave në vend, një industri ende modeste por me interes, shprehen se operimi i tyre në sektor është vështirësuar, e lidhur kjo me taksat e importit për lëndën e parë apo me klimën në përgjithësi. Ata konsiderojnë si frenues klimën e përgjithshme të të bërit biznes, problematikat me infrastrukturën dhe energjinë, por sidomos paragjykimin e konsumatorëve për produktet shqiptare.
Prodhimi i lëngjeve të frutave ka ardhur në rritje nga viti në vit, por kompanitë shprehen se po shtrydhin fitimet e tyre për të mbijetuar në luftë me barrën e rritur dhe konkurrencën e importit. Në treg po përvijohet edhe një tendencë e re, ajo e dyqaneve të dedikuara me lëngje frutash të shtrydhura në moment.

 

Nga Nertila Maho

 

Emil Jaho investoi vitin e kaluar në fabrikën e tij të lëngjeve të frutave në Berat 600 mijë euro për linjën e re teknologjike. Sot shprehet i penduar për këtë lëvizje, pasi sheh se kthimi i investimit do të dojë një kohë të gjatë, ndërkohë që situata në treg nuk duket edhe aq optimiste. Ai shprehet se qeveria ka rritur taksën e importit për lëndën e parë, duke e bërë më të shtrenjtë koston e prodhimit ndërkohë që ky sektor, pra prodhimi i lëngjeve të frutave po shtrydh fitimin e tij vetëm për të mbijetuar para “lumit” të madh të importit.

Vit pas viti, prodhimi i lëngjeve të frutave ka njohur rritje, por ende mbetet modest si treg po të kemi parasysh sasinë totale. Në vitin 2015, ky treg prodhoi 144 800 hektolitra lëngje frutash ndërkohë që në vitin 2016, kjo shifër do të arrinte në 182 270 litra pra me një rritje 25.8% brenda një viti. Ky zgjerim i përket futjes në punë të operatorëve të rinj. Në vitin 2017, prodhimi i lëngjeve të frutave ishte 186 470 hektolitra, me një rritje prej vetëm 2.3% në raport me një vit më parë. Ndërsa të ardhurat e kompanive kanë rezultuar përgjithësisht me rënie.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se në prodhimin e lëngjeve të frutave, që përfshihet tek agroindustria operojnë sot në gjithë vendin të paktën katër operatorë; Partner Ballkanik (Amita); Dea; Fresh; Kop.Frut.Dibër.2012; Alfa Glina.

Ndërsa A & B Group, që prodhonte markën Gerfrut, me qendër në Vlorë dhe i krijuar në vitin 2006, ka bërë kërkesë për faliment për arsye ristrukturimi në 2017-n, si rrjedhojë e borxheve ndaj tatimeve e bankave, sipas vendimit të kërkesës për faliment, depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Prodhuesi më i madh i lëngjeve në vend është Partner Ballkanik, me markën “Amita”. Sipas të dhënave të bilancit, të ardhurat nga aktiviteti të kompanisë ishin 632 milionë lekë, me një rënie prej 4% me bazë vjetore.
DEA, e krijuar që në vitin 1997, raportoi të ardhura prej 115 milionë lekësh në 2017-n, me një tkurrje prej 8% me bazë vjetore.

Fresh Kompani arriti të rrisë të ardhurat me vetëm 1.5% në 97 milionë lekë.
Dyfishim të aktivitetit raportoi Kop.Frut.Dibër.2012, një nga operatorët më të rinj në treg, i specializuar në lëngun e mollës, por gjithsesi duke u nisur nga një bazë e ulët. Të ardhurat e këtij operatori ishin 10 milionë lekë në 2017-n.

 

Importet në rritje, eksportet në rënie

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tregojnë se importet në grupin e lëngjeve të frutave kanë pasur një rritje të vazhdueshme nga viti në vit. Raportimi në këtë grup përfshin edhe mushtin e rrushit dhe lëngjet e zarzavateve dhe në vitin 2016, ky grup regjistroi një sasi importi prej 2.2 milionë kilogramësh dhe një vlerë prej 286 milionë lekë. Në vitin 2017, importet për grupin u zgjeruan me 27% duke regjistruar një sasi 2.8 milionë kilogramë dhe një vlerë në lekë prej 364 milionësh.

Të dhënat për 5-mujorin e parë të këtij viti tregojnë se importet në sasi ishin 1.1 milionë kilogramë për këtë grup dhe 139 milionë lekë në vlerë. Eksportet, nga ana tjetër, në vitin 2016 regjistruan një total prej 123 mijë kilogramësh dhe një vlerë prej 11 milionë lekësh kurse në vitin 2017 kemi rënie të theksuar me gati 82%. Në vlerë eksportet e këtij grupi në vitin e kaluar ishin vetëm 1.9 milionë lekë.

Viti 2018 duket të jetë edhe më i vështirë nëse shohim shifrat krahasuese zyrtare. Në janar-maj 2018, eksportet kanë rënë me 80% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2017-s. Në sasi, këto eksporte janë 1992 kilogramë, kurse në vlerë vetëm 274 mijë lekë, shifra këto që tregojnë për një tkurrje të dukshme të eksporteve në këtë grup edhe pse nuk është përfaqësues direkt i tendencës së lëngjeve të frutave.

 

 

Taksa mbi lëndën e parë, prodhuesit: Është e lartë, të rishihet

Prodhuesit e lëngjeve të frutave janë në unison nëse i pyet se cila është problematika e tyre kryesore. Taksa që aplikohet mbi lëndën e parë shënoi rritje në fillim të 2018-s sipas tyre duke rënduar edhe situatën. Aktualisht kjo industri ndesh një konkurrencë agresive me importin dhe në këto kushte, është e detyruar që të shtrydhë fitimet e saj vetëm për të mos prekur çmimin final.

Shumica e kompanive janë të vogla, të shpërndarja lokalisht, duke mbuluar zona të kufizuara. Përjashtim bën vetëm Partner Ballkanik (Amita) e cila është kompania më e madhe vendase dhe që ka të mbuluar totalisht territorin shqiptar. Duke pasur kryesisht një tendencë lokale, disa prej tyre mundohen që çmimin ta kenë elementin konkurrues, diçka që është bërë më e vështirë pas rritjes së taksës në import. Prodhuesit shprehen se qeveria duhet të rishohë këtë aspekt duke i dhënë kështu një dorë të mirë industrisë vendase të prodhimit të lëngjeve të frutave.

Aktualisht gjithë pureja e frutave importohet jashtë dhe është pikërisht ideja e mbrojtjes së prodhimit vendas në qendër të logjikës së taksave të larta të importit. Por sot në Shqipëri nuk ka prodhues të mirëfilltë të saj, pra politika e ndjekur nuk është se po mbron ndonjë prodhim vendas, por nuk do të ishte e gabuar nëse do të nxitej kjo pjesë.

Prodhuesit vlerësojnë se plotësimi i zinxhirit do t’i shërbente vetëm pozitivisht ekonomisë. “Pra të shihet një skemë stimulimi që nis nga bujqësia, te prodhuesit e lëndës së parë dhe më pas prodhuesit e lëngjeve të frutave. Kjo do të mbyllte ciklin. Ndoshta nuk do të ishte një industri udhëheqëse, por do të ishte një industri e qëndrueshme që hap vende pune, investon dhe shton vlerë në vend”, shprehen prodhuesit.

 

 

Infrastruktura dhe energjia ende mbeten frenues

Prodhuesit shprehen se kur vjen puna te problemet, ato janë të natyrave të ndryshme. Të bësh biznes në Shqipëri nuk është edhe aq e thjeshtë dhe në disa raste, kjo lidhet me elemente që jashtë nuk perceptohen. Për shembull, infrastruktura është një nga pengesat kyçe që hasen.

Së dyti, linjat teknologjike që instalohen nëpër fabrika janë të destinuara që nëse fillojnë punën, të mos kenë ndërprerje energjie në të kundërt ato kanë kosto të lartë. Pjesës më të madhe i duhet që të kenë sisteme “back up” (sisteme mbështetëse) ose transformatorë. Edhe pse ndërprerjet e energjisë kanë qenë të reduktuara, ato sërish nuk mungojnë duke bërë që automatikisht të rriten kostot e biznesit.

 

Importet çfarë gjen në treg dhe çfarë preferojnë konsumatorët

Sot ka një numër të madh markash te lëngjet e frutave, të cilat i gjen në raftet e supermarketeve shqiptare. Por cila është panorama e shitjeve në supermarket. “Monitor” mori të dhënat e përpunuara nga rrjeti i supermarketeve “Conad”, ku rezulton se tregtohen të paktën 12 marka lëngje frutash nga të cilat 6 marka të importuara direkt, 4 marka importi të blera nga distributorë vendas, dhe 2 marka të prodhuara në vend. Në total kemi 2 vendase dhe 10 importi.

Lidhur me raportin e shitjeve, të paktën 16% e totalit është prodhim vendas dhe 84% import. Prodhimi vendas është kryesisht në 1 lt karton, 250 ml karton (marka Amita) dhe në formatet qelq 1 lt marka Agrofruit.

Për markat e importit, vendi i origjinës është kryesisht nga Italia dhe Serbia. Formati më i preferuar në blerje nga ana e konsumatorëve është ai 1 litër, ndërkohë që vetëm 4% të gjithë shitjeve e zënë formatet voluminoze prej 2 litrash. Mjaft i preferuar mbetet edhe formati 200-250 mililitra që zë 31% të peshës totale të shitjeve në marketet “Conad” .

 

Si po “lulëzojnë” dyqanet e lëngjeve të freskëta

Ka një theks të vazhdueshëm këto kohë për jetesën e shëndetshme dhe në shumicën e menuve ditore të konsumit nuk përjashtohet edhe një lëng frutash, kombinimet e të cilit mund të jenë nga më të ndryshmet. Është pikërisht kjo tendencë që ka bërë që në Tiranë të nisë “lulëzimin” një biznes i ri i dedikuar vetëm për lëngjet e freskëta të frutave të shtrydhura në moment, në prani të klientit. Gerhard Veizi ka vetëm një muaj që ka hapur dyqanin e tij “Gjelbër” në Bllok, i cili ka në themel të aktivitetit vetëm lëngjet e freskëta të frutave.

“Kam studiuar rrugën nga Ura për te Drejtoria e Policisë deri te sheshi ‘Wilson’ dhe më rezultoi që nuk kishte një dyqan të tillë. M’u desh të prisja të paktën një vit për t’u liruar një ambient që ta merrja me qira dhe të nisja aktivitetin që kam sot.

Interesi ka qenë i kënaqshëm dhe shitjet janë relativisht në nivele të mira” tregon ai. Nismën e mori pas një përvoje të gjatë me kroçerat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Janë të paktën 11 kombinime lëngje frutash që ofrohen në dyqanin e tij ku një pjesë janë të shkarkuara nga interneti dhe një pjesë edhe të eksperimentuara vetë. Edhe në këtë rast emrat që kanë lëngjet janë të lidhura direkt me shëndetin.

Për shembull “Immmunity Booster” është pagëzuar lëngu që ka në bazë portokallin, mollën, limonin dhe xhinxherin apo Migrain Reliver që përfshin ananasin, mollën, spinaqin, selinonë, lime dhe xhinxher. “Gjithsesi më i preferuar mbetet lëngu i jetës që ka panxhar, mollë dhe karotë. Të paktën 80% e atyre që blejnë lëngje të freskëta frutash janë femra dhe kryesisht i përkasin grupmoshës 30-30 vjeç por sigurisht ka edhe të tjerë”, – shprehet Gerhardi.

Furnizimin me fruta e bën te tregu Agro-Ushqimor në kryeqytet duke kërkuar që të sigurojë një kosto sa më të ulët, që në finale të ruajë edhe çmime mesatare për klientët, ndërkohë që shprehet optimist për vijimin.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of