Krahas rritjes së tatimit mbi të ardhurat, të gjithë ata që marrin paga relativisht të larta, do të duhet të përballen dhe me një rritje të sigurimeve.
Një nga pikat që po diskutohet në paketën e re fiskale, është që të “hiqet tavani i llogaritjes së kontributeve shëndetësore me pesëfishin e pagës minimale”. Lajmi bëhet i ditur për Monitor.al nga shoqatat e biznesit që janë pjesë e diskutimeve të paketës fiskale.
Kjo do të sillte një rritje automatike të sigurimeve për të gjithë ata që kanë paga më të larta se 100 mijë lekë.
Aktualisht, kontributi i sigurimeve shëndetësore është 3.4% e pagës, e cilat paguhet 1.7% nga punëmarrësi dhe 1.7% nga punëdhënësi. Pavarësisht pagës reale, individët që paguheshin më shumë se 100 mijë lekë (që është aktualisht pesëfishi i pagës minimale) i paguanin kontributet e sigurimeve shoqërore për pagën maksimale.
Propozimi tjetër është që të vetpunësuarit t’i paguajnë kontributet shëndetësore në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale, nga 7% e pagës minimale që paguajnë aktualisht.
Krahas kësaj rritjeje, individët me paga mbi 100 mijë lekë do të përballen dhe me ndryshimin e taksës progresive, e cila do të ketë një efekt negativ mbi ta.
Sipas shkallëve të propozuara:
– pagat nga 0 deri në 30 mijë lek/muaji do të kenë një tatim prej 0%;
-pagat nga 30 mijë lek/muaji deri në 100 mijë lekë në muaj do tatohen 15%
-pagat mbi 100 mijë lek muaj do tatohen 20%
Varianti tjetër është që për pagat mbi 300 mijë lekë të ketë dhe një shkallë tjetër tatimi prej 25%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.