Ethet e shitje-blerjeve në sistemin banker nuk janë më një sekret. Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë ka deklaruar se këtë vit pritet të ketë shkrirje dhe blerje në sistemin bankAr. Brenda sistemit ziejnë zërat për shitje të një banke te tjetra, apo dhe të një pjesE të portofolit. Ndaj një nga zhvillimet më interesante në 2015-n e më tutje ka të ngjarë të jetë një proces konsolidimi i sistemit bankar.
Një bankë është tashmë në shitje (ka përfunduar procesin e due diligence dhe është në pritje të ofertave nga bankat e tjera). Bankat me kapital grek, nga ana tjetër, janë nën dilemën e mëmave, të cilave po u kërkohet nga Banka Qendrore Europiane që të “heqin qafe” filialet e tyre në rajon.
Të tjera banka pritet të jenë blerës, në linjë me strategjinë e tyre të zgjerimit. BKT ka deklaruar se ka ambicie për të blerë një bankë rajonale. Union Bank gjithashtu, pas blerjes së Lansedlease, kërkon të zgjerohet më tej (shiko prononcimett në vijim)
Drejtuesit e bankave janë të mendimit se ky process konsolidimi do të jetë pozitiv dhe do të rrisë konkurrencën në sistemin bankar. Por ka dhe nga ata që janë skeptikë nëse tregu do të ketë kapacitet për të përthithur të gjithë ofertën për shitje, çka mund të bëjë që disa banka që duan të dalin nga tregu, të shkojnë drejt mbylljes.
BKT dhe Union Bank në rolin e blerësit
Z. Seyhan Pencapligil – Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Kombëtare Tregtareka pohuar në një intervistë për Monitor se BKT është ende në përpjekje për të kapur objektivin tonë të fundit strategjikisht të rëndësishëm, që është ai i blerjes së një banke tjetër në rajon.
Lidhur me shkrirje blerjet, z.Pencapligil thotë se “disa shkrirje dhe blerje janë të pashmangshme në sistemin bankar shqiptar. Këto blerje ose shkrirje të mundshme do të ndodhin dhe kjo do të ndihmojë në fuqizimin e stabilitetit të sektorit financiar, duke çuar gjithashtu në konkurrencë të ashpër në treg, nga i cili do të përfitojnë klientët dhe ekonomia. Si rrjedhojë, kjo do të rezultojë në një sistem me përfitueshmëri më të larta, gjithashtu do të jetë i tillë dhe për aksionerët.Për momentin, ka 16 banka në sistemin financiar. Gjithsesi, peshën më të madhe në fitimin e sistemit e zënë 3-4 bankat kryesore. Disa banka janë shumë të vogla për të qenë ekonomikisht të shëndetshme dhe ato nuk kanë bërë para për shumë vite radhazi. Si rrjedhojë, ato nuk janë investime me përfitueshmëri për aksionerët e tyre. Këto banka as nuk janë aktive, as nuk janë në gjendje të mbështesin ekonominë. Ato kanë një numër shumë të vogël të degëve. Sistemi bankar shqiptar nuk është fizibël me kaq shumë banka”.
Edhe drejtori i Union Bank, z.Gazment Gadriu pohon se “Për Union Bank, viti 2015 pritet të sjellë vazhdim të rritjes sonë konstante dhe përmirësim të të gjithë parametrave të punës. Por kryesorja është që ne presim të bëjmë edhe një blerje tjetër gjatë këtij viti, nga dy mundësi të tilla, duke përshpejtuar rritjen tonë edhe në këtë mënyrë. Kjo blerje do të jetë momenti më i rëndësishëm dhe më impaktues për bankën tonë, jo vetëm për vitin 2015, por edhe për më gjerë”. Në 2014-n Union Bank mbylli brenda vitit e procesin e blerjes së Landeslease sh.a., një ndër kompanitë e leasing-ut financiar që operon me sukses prej vitesh në tregun shqiptar. Kjo blerje, sipas Kadriut, ishte shumë e rëndësishme për bankën në aspektin e hyrjes në sektorin e leasing-ut, një veprimtari që e shohim shumë komplementare dhe të mirëkombinueshme me veprimtarinë tonë themelore bankare.
Lidhur me procesin e konsolidimit, z.Kadriu pohon se “Një sfidë e rëndësishme që kalojnë të gjitha vendet e rajonit, por në Shqipëri mund të rezultojë më e theksuar, ka të bëjë me procesin e uljes së ambicieve të disa bankave përnjëherë, qoftë edhe për arsye të ndryshme, qoftë edhe në kontekste të ndryshme (ulje ambiciesh edhe për bankat ekzistuese në vend, edhe për ata jashtë vendit që do të pritej të kenë interes të hynë në Shqipëri). Një proces konsolidimi do të ndodhë. Në qoftë se ky proces rrjedh mirë, atëherë kjo sfidë jo vetëm që do të zgjidhet, por do të sjellë edhe stabilizim dhe forcim të sistemit bankar. Në qoftë se ky proces nuk rrjedh mirë, atëherë shkërmoqja që do të pasonte, do të ishte negative nga më shumë aspekte, me pasoja që pastaj do të kërkonin një kohë të gjatë për korrigjim”.
Bankierët: Ndikimi pritet të jetë pozitiv
Për z. Frédéric Blanc, drejtor i Përgjithshëm i Societe Generale Albania, “Ky është një zhvillim shumë pozitiv dhe disa shkrirje dhe blerje janë të nevojshme. Numri i bankave është i lartë në Shqipëri në krahasim me popullsinë dhe potencialet e tregut. Këto bashkime do të kontribuojnë në pasjen e bankave më të mëdha, më eficiente dhe më të zhvilluara, që nga ana tjetër do të sjellin shërbime më të mira për klientët”.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv (i komanduar) i Tirana Bank, z. Dritan Mustafa pohon se sfidat kryesore të sistemit mbeten: konsolidimi i tregut bankar, ristrukturimi i shtrirjes së bankave në treg për të optimizuar kostot, si dhe në mënyrë të veçantë ulja e nivelit të kredive me probleme.
Adela Leka – Drejtuese e Drejtorisë Ekzekutive, ProCredit Bank, mendon se shkrirja dhe blerja e kompanive nuk është një proces që shfaq përkeqësimin e situatave, por, përkundrazi, një proces që ndikon në përmirësimin dhe iniciativën për të ecur përpara. E rëndësishme në këtë proces është që të tregohet kujdesi dhe planifikimi i nevojshëm nga fillimi deri në fund të ndryshimit. Z. Bozhidar Todorov, Drejtor i Përgjithshëm i First Investment Bank pohon se “Shkrirjet dhe blerjet në sistemin bankar janë procese normale dhe ndodhin si zhvillime normale biznesi. Ndikimi pritet që të jetë pozitiv”.
Ka dhe skeptikë
Më skeptik është z. Silvio Pedrazzi, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania. Sipas tij, në çdo situatë, në të cilën një industri, përfshirë bankat, nuk tregon një nivel të qëndrueshëm përfitueshmërie dhe rritje në afatin e gjatë, është shumë normale të pritet një proces konsolidimi, ku mund të shihni aktorë që hyjnë dhe dalin nga tregu. Por, ai shton se aktualisht sistemi bankar shqiptar nuk i plotëson këto dy kushte dhe për më tepër, madhësia e tregut përfaqëson një kufizim. “Një tjetër faktor i rëndësishëm që duhet marrë në konsideratë është domosdoshmëria, për investitorët, që të sigurojnë një alokim optimal të kapitalit, që privilegjon ato vende që kanë kombinimin më të mirë të kthimit, rrezikut dhe kërkesave për kapital. Për këto arsye, unë jam dakord me opinionin e guvernatorit dhe mund të presim ndryshime. Pavarësisht kësaj, do të isha shumë i kujdesshëm për të folur për shkrirje dhe blerje, duke qenë se kjo varet nga situatat specifike dhe, veçanërisht për shkrirjet, në ekonominë e pritur të shkallës, që unë e shoh të vështirë për t’u arritur në këtë moment.
Për më tepër, në rastin e blerjeve, nuk është e thënë që, ata që teorikisht mund të pëlqejnë të lënë tregun, mund të gjejnë një blerës që është i gatshëm të hyjë në të; ndoshta ne mund të vëzhgojmë vetëm shitje dhe blerje të thjeshta të pjesëve të aktiveve midis bankave që janë tashmë të vendosura këtu. Le të mos harrojmë që investitorët e mundshëm të huaj do të vendosnin të hynin në tregun shqiptar jo vetëm në bazë të nivelit aktual të përfitueshmërisë, por gjithashtu dhe të perspektivës së ardhshme të vendit. Si rrjedhojë, është koha të tregojmë se Shqipëria ka të gjitha kushtet e duhura për një të ardhme më të mirë, për shembull, mjedis biznesi më të qartë dhe më të qëndrueshëm, stabilitet, respekti për zbatimin e rregullave të lojës, harmonizim me standardet europiane. Gjithçka duket se po shkon në drejtimin e duhur, por ka shumë për të bërë, që kam shumë besim se do të bëhen. Në këtë rast, me siguri, ka të ngjarë të ketë më shumë aktorë, që do të kenë interes të hyjnë në sistemin bankar”, thotë z.. Pedrazzi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.