Vetëm 12 nga 94 biznese, në tension 35 kilovolt, që kanë detyrimin e daljes në tregun e parregulluar të energjisë, ia kanë dalë të gjejnë furnizues. Liberalizimi në sektorin energjetik mbetet një gotë gjysmë bosh dhe problemet në treg shfaqen si në kahun e kërkesës, ashtu edhe të ofertës. Bizneset hezitojnë, ndërkohë furnizuesit nuk hyjnë në marrëveshje me konsumatorë modestë, sepse fitimi nuk është joshës. Ndarja e OSHEE-së, që parashikon një kompani si Furnizuesi i Tregut të Lirë, që pritet të ketë rol të rëndësishëm në liberalizim, është një hap pozitiv, por do kohën e vet të finalizimit, ashtu si edhe Bursa e Energjisë, e cila mbetet peng i akteve nënligjore të pamiratuara. Pavarësisht kësaj, qeveria shprehet e vendosur të vazhdojë me hapin e radhës, duke nxjerrë në 2019-n në treg të lirë 1100 biznese të lidhura në tension 20 kilovolt
Nertila Maho
Asllan Barajt iu desh që në janar të këtij viti të dilte në tregun e parregulluar të energjisë, për të siguruar furnizimin e kompanisë KID-ALB sh.p.k. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike e kishte njoftuar më herët se ishte në grupin e konsumatorëve të lidhur në tension 35 kilovolt dhe që me ligj duhet të gjenin një furnizues privat. Kompania e tij, që prodhon tulla, sigurisht është një konsumator i konsiderueshëm dhe kjo e favorizoi që të nënshkruante një kontratë njëvjeçare. Sipas tij, kjo i ka rezultuar më mirë sesa kur furnizohej nga kompania publike.
“Jam më mirë nga furnizimi në tregun e lirë për çmimin dhe shërbimin. Çmimi që kam marrë është 10-15% më i ulët se ai që merrja nga OSHEE. Kam nënshkruar një kontratë njëvjeçare dhe besoj se do të përsëris të njëjtën gjë edhe për vitin e ardhshëm.
Kompania ka një konsum vjetor prej 8 milionë kilovat/orë energji, është një sasi relativisht e lartë, e cila më kushton 60-70 mijë euro në muaj, ndaj edhe furnizuesin e gjeta shpejt. Si kompani jemi të lidhur edhe në tension 35 kilovolt, edhe në tension 20 kilovolt, që besoj do të dalë së shpejti në treg të lirë. Është një linjë alternative. Njëkohësisht kemi dhe tre sisteme me nga 3 megavat që janë me gjeneratorë. Pra në çdo rast kemi marrë masat që furnizimi të mos mungojë”, shprehet Baraj.
KID-ALB është një ndër 94 kompanitë që kishin detyrimin për të dalë në tregun e parregulluar, pasi ishin të lidhur në tensionin 35 kilovolt. Sigurisht nga ky total, vetëm 12 prej tyre kanë guxuar dhe ia kanë dalë të gjejnë një furnizues, të tjerët vijojnë të furnizohen nga OSHEE përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.
Romeo Koca, administrator i 2 AT sh.p.k. CHEMICALS, një kompani që ka në qendër të aktivitetit lëndët e para dhe kimikate, kryesisht për detergjentë, dezinfektim apo kimikate për ujësjellës e trajtim të ujit të pijshëm, ka dalë gjithashtu në treg të parregulluar në fillim të këtij viti. Fabrika e tij e vendosur në zonën e Korçës konsumon 300-400 mijë kilovatë/orë energji çdo muaj dhe duke qenë një konsumator i këtij niveli, nuk e ka pasur të vështirë të gjejë furnizues, madje ka ndodhur krejt e kundërta, oferta i është bërë nga vetë furnizuesi.
“Në janar të këtij viti nënshkruam një kontratë njëvjeçare me furnizuesin që na siguroi energjinë. Nuk e kërkuam ne, por na kërkuan vetë ata. Kjo puna e furnizuesve është ende problem, ngaqë nuk ka shumë, por ne arritëm të siguronim këtë pjesë dhe energjinë e kemi marrë më lirë sesa nga OSHEE. Sigurisht që pjesa e cilësisë dhe vazhdimësia e furnizimit nuk varet vetëm në dorën e furnizuesit, sepse ka defekte, rrjeti është i OSHEE-së dhe ka situata të paparashikueshme, por gjithsesi mendoj se si fazë e parë ka qenë mirë”, – shprehet Koca.
Ai nënvizon se edhe në vijim do ndiqet e njëjta praktikë, pra kontratë e re me furnizuesin në përpjekje të një çmimi të mirë. Këto janë dy raste suksesi, por nuk ka rezultuar njëlloj për Qeramikën “Apollonia”, e cila së fundmi po tenton të dalë në tregun e parregulluar. Çmimet e rritura të energjisë në bursë, në gusht, shtator dhe tetor kanë ndikuar edhe te çmimi me të cilin OSHEE siguroi energjinë në tregun e lirë, duke kapur një vlerë 12.86 lekë kwh. Këto çmime, që konsiderohen të kripura, kanë vënë në lëvizje, sipas OSHEE, disa operatorë të lidhur në 35 kilovolt që furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit të kërkojnë një furnizues të ri.
Çmimet në tregun e lirë vijnë në rritje, prej tre muajsh 12.86 lekë/kwh
Furnizuesi i Mundësisë së Fundit siguron energjinë nga tregu i parregulluar që prej janarit të këtij viti, për të gjithë bizneset e lidhura në 35 kilovolt dhe që nuk kanë gjetur një furnizues. Çmimet nga muaji në muaj kanë qenë në lëvizje, por së fundmi ato janë rritur, duke shtrenjtuar kostot e bizneseve që, për rrjedhojë, janë vënë në lëvizje për të gjetur furnizues të ri. Por si ka qenë ecuria e këtyre çmimeve nga janari në shtator.
Referuar shifrave zyrtare, në janar, OSHEE siguroi energjinë për këtë kategori me një çmim final prej 11.6 lekë/kwh dhe po kaq ishte edhe çmimi që u miratua nga Enti Rregullator si tarifë që duhej të paguhej.
Në shkurt, çmimi me të cilin u sigurua energjia ishte 8.86 lekë/kwh, por ERE vlerësoi se ky çmim nuk ishte stimulues për të nxitur bizneset që të dalin nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit dhe për këtë arsye, ata nuk duhet të blejnë më lirë, sesa konsumatori fundor në tregun e rregulluar. Kjo bëri që për disa muaj rresht, tarifa të ishte 9.5 lekë kwh, edhe pse OSHEE e siguronte atë më lirë. Në tarifat e lira ndikoi edhe situata e mirë hidrike në vend gjatë pjesës së parë të vitit, e cila ndryshoi në qershor. Në këtë muaj, OSHEE e siguroi energjinë me një tarifë 9.82 lekë dhe po kaq e vendosi edhe ERE tarifën finale.
Duhet të kemi parasysh që në tarifë, sipas metodologjisë e cila pësoi ndryshime, duke pasur parasysh zgjatjen e fazës tranzitore, përfshihen, mes të tjerash, çmimi i blerjes, kostot e transmetimit dhe shpërndarjes, si dhe kostot administrative të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, përfshi edhe një marzh minimal fitimi. Që prej korrikut, tarifa do të kërcente me 35% më shtrenjtë në raport me çmimin që paguanin më herët bizneset e lidhura në tension 35 kilovolt. Për muajt korrik, gusht, shtator, tarifa që rezultoi nga përllogaritjet ishte 12.86 lekë dhe gjasat janë që, duke ndjekur trendin e bursës, rritja të jetë më e madhe në muajt në vijim.
Liberalizimi, radhën në vitin 2019 e kanë bizneset e lidhura në 20 kilovolt
Ligji për sektorin e energjisë elektrike sanksionoi se nga tregu i rregulluar do të dalin gradualisht bizneset e lidhura në 35 kilovolt, më pas ato në 20 kilovolt, 10 dhe 6 kilovolt dhe në fund edhe 0.4 kilovolt. Në janar, mbi 90 biznese të lidhura në 35 kilovolt u gjendën të papërgatitura. Shumica prej tyre, duke pasur një konsum modest energjie, nuk shiheshin si atraktiv për të hyrë në marrëveshje nga furnizuesit e tregut. Këta të fundit nuk shohin leverdi në konsumatorë të vegjël, ku sasia e limituar, u jep shumë pak mundësi për fitim. Këto biznese, me vendndodhje larg, nga njëri-tjetri dhe me profile të ndryshme në aktivitet, nuk gjetën as mundësi grupimi.
Në këto kushte, qeveria pa të arsyeshme të ndryshonte ligjin, duke shtyrë fazën tranzitore të furnizimit nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit me dy vjet, nga dy muaj që ishte afati fillestar. Kjo do të thotë që këto biznese do të furnizohen nga OSHEE me energjinë e blerë në tregun e parregulluar, deri në fund të vitit 2019. Tashmë radha është për bizneset e lidhura në tension 20 kilovolt që të dalin në tregun e parregulluar. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se është duke u instaluar infrastruktura e nevojshme që do të bëjë matjen, pra matësit “smart” si dhe elemente të tjera të sistemit dhe me shumë gjasa, kjo përfundon në mes të vitit të ardhshëm.
Në momentin që përfundon kjo pjesë, biznesi do të njoftohet për të gjetur furnizues. Sipas të dhënave zyrtare të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, janë në total 1100 subjekte, të cilët janë të lidhur në tension 20 kilovolt dhe që do të jenë të detyruar të blejnë energjinë nga furnizues privat. Sigurisht edhe kësaj kategorie do t’i lihet një afat dyvjeçar tranzitor për furnizimin nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, me çmime tregu nëse ata nuk gjejnë dot një tjetër alternativë.
Paraprakisht, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po përgatit një fazë të gjerë informimi dhe konsultimi me këtë kategori subjektesh, në mënyrë që të qartësohet çdo element. Për institucionet mendohet se fasha 20 kilovolt do të jetë më e përgatitur për të dalë në tregun e parregulluar, sepse kanë mundësi më të mira grupimi dhe shanset që të sigurojnë një çmim më të leverdishëm, janë të mëdha. Një pjesë e mirë e tyre janë konsumatorë të rëndësishëm të sistemit dhe sasia në vetvete është edhe më joshëse për furnizuesit.
Gotën gjysmë bosh e shohin bizneset dhe furnizuesit, problem si oferta edhe kërkesa
Fakti që sot 1 në 10 biznese, që ka detyrimin e sigurimit të energjisë nga tregu i parregulluar, e ka bërë këtë në mënyrë të pavarur, tregon se kemi një problem hezitimi. Të paktën kështu shprehet Entela Çipa, Këshilltare për Çështjet e Energjisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Pra biznesi e sheh me frikë daljen në treg dhe mjaftohet me ofertën e OSHEE-së që, së fundmi, ka rezultuar me çmim të kripur për shkak të çmimeve që ka imponuar bursa. Problemi me procesin e liberalizimit nuk shihet vetëm nga bizneset që hezitojnë, sepse në fund të ditës, përpjekjet e tyre kanë rezultuar të kota. Problemi shihet edhe te furnizuesit.
Pra në treg nuk po funksionon siç duhet as oferta, as kërkesa, çka e bën ecurinë e deritanishme pesimiste për palët. Nga mbi 80 furnizues që kanë licencë në vend për këtë lloj aktiviteti, vetëm 2 prej tyre, sipas Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, bëjnë furnizimin e 12 bizneseve që kanë dalë në treg të lirë. Kjo është e lidhur me një sërë aspektesh ku, përveç sasisë së kufizuar që kërkohet, ka një problem të theksuar me disbalancat dhe parashikueshmërinë që bëjnë bizneset për konsumin.
Sipas OSHEE, parashikueshmëria është ende në nivele minimale, duke rezultuar më pas në disbalanca të konsiderueshme që furnizuesit nuk i marrin përsipër si kosto. Kjo ka bërë që tregu të ketë shumë pak ndjeshmëri dhe gjasat që të zgjohet interesi janë vetëm kur të instalohen sistemet e monitorimit të konsumit në gjithë fashat, duke qartësuar edhe situatën dhe për rrjedhojë, duke u dhënë furnizuesve komoditet më të madh për parashikueshmërinë dhe për hyrjen në marrëdhënie kontraktuale me bizneset në tregun e lirë.
Plani për 10 dhe 6 kilovolt mbetet në tryezë, ndryshon skenari për 0.4 kilovolt
Qeveria do t’i mbetet besnike planit të saj për të nxjerrë në tregun e parregulluar në një fazë tjetër grupin e subjekteve të lidhur në 10 dhe 6 kilovolt. Në numër, sipas të dhënave zyrtare të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, janë në total 4800 subjekte që i përkasin këtij grupi dhe që do të duhet të gjejnë një furnizues në tregun e lirë.
OSHEE llogarit që në 3-4 vitet e ardhshme, rreth 22% e abonentëve aktualë përbëjnë treg potencial për t’u furnizuar në tregun e lirë, sigurisht me problematikat e tyre, që lidhet me ngarkesën orare të çrregullt dhe me parashikueshmërinë e ulët të konsumit. Planet duket se nuk janë më të njëjtat për bizneset e lidhura në tension të ulët 0.4 kilovolt. Kjo kategori ka një potencial furnizimi, nëse del në tregun e parregulluar, prej 2.4 milionë megavat energji në vit, por investimet që duhen për të implementuar sistemet smart që kërkon liberalizimi janë shumë të larta.
Kjo do të reflektohej në rritje tarifash për energjinë, sepse kompanitë do të duhej të investonin qindra milionë euro nëpër rrjet. Situata problematike, me nevojë të lartë investimi për këtë kategori konsumatori, është shfaqur në vende të rajonit që kanë avancuar më shumë me liberalizimin. Kjo ka bërë që edhe Sekretariati i Energjisë i cili lobon aq shumë pro liberalizimit, të hedhë në tryezë një mundësi për të zhvilluar një studim unifikues. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shprehet se kjo mbetet në diskutim dhe nuk është marrë një vendim, por gjasat janë që të bëhet një studim që do të ketë në bazë unifikimin e disa profileve të bizneseve të lidhura në këtë tension, duke nxjerrë në fund edhe çmimet për secilin lidhur me furnizimin me energji. Kjo do t’i nxirrte këto biznese nga furnizimi universal, por do t’i trajtonte me një mënyrë më të drejtë dhe me kosto sa më të ulët investimi.
Ndarja e OSHEE, roli i Furnizuesit të Tregut të Lirë në procesin e liberalizimit
Ndarja e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duket të jetë një hap para, edhe në ndihmë të procesit të liberalizimit. Kompania mëmë OSHEE regjistroi në prill të këtij viti tre kompani të tjera nën vete, siç ishin Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, Furnizuesi i Tregut të Lirë dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal. Të tria këto kompani do të kenë në fokus aktivitete të ndryshme, ndërkohë pritet që ndarja e llogarive dhe aseteve të finalizojë gjithë procesin, por kjo nuk do të jetë e shpejtë, të paktën pjesa e aseteve.
Por si e ndikon ndarja procesin e liberalizimit? Deri më tani, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka kërkuar që liberalizimi i tregut të bëhet sa më shpejt, duke u dhënë mundësinë subjekteve të gjejnë vetë furnizues. Këtë rol, aktualisht për ata që nuk kanë gjetur një të tillë, po e bën OSHEE. Në të ardhmen, kur gjithçka do të jetë e ndarë mes tre kompanive të reja, rolin e furnizuesit do ta bëjë Furnizuesi i Tregut të Lirë.
OSHEE parashikon që ky furnizues të listohet mes gjithë të tjerëve, duke u ofruar si një mundësi më shumë për të liberalizuarit dhe duke qenë një kompani publike të ofrojë edhe çmime më konkurruese, të cilat gjithsesi varen nga tregu.
Në këtë rast, nuk kemi prekje të interesave të konsumatorëve të tjerë, të cilët furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal. Zgjidhja ku një furnizues shtetëror, por i pavarur nga OSHEE, të hyjë në lojë si gjithë konkurrentët e tregut, është pranuar edhe nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë. Furnizuesi i Tregut të Lirë mori licencën që e autorizon për veprimtarinë e tij në treg nga Enti Rregullator i Energjisë vetëm një muaj më parë, duke i hapur rrugë vijimit të proceseve të tjera dhe hyrjes në treg. Rreth dy javë më parë, ERE licencoi edhe dy kompanitë e tjera të krijuara nën OSHEE.
Konkretisht, bëhet fjalë për transferimin e licencës së furnizimit të energjisë elektrike dhe detyrimit të shërbimit universal të furnizimit të energjisë elektrike të shoqërisë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a. te shoqëria “Furnizuesi i Shërbimit Universal” sh.a., e vlefshme deri më datë 8 korrik 2021. Po kështu, ERE ka miratuar transferimin e licencës së operimit të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga OSHEE tek OSSH. Kjo licencë ka vlefshmëri deri më 27 tetor 2044. Kompanitë tashmë duhet të paraqesin ndarjen e strukturave përkatëse.
Bursa e Energjisë ende në letër, pritet miratimi i disa akteve
Bursa e Energjisë është bërë shpesh pjesë e debateve sa herë flitet për sektorin energjetik. Gjithsesi, kjo hallkë mbetet në letër edhe pse 2018-a parashikohej fillimisht të ishte një vit me zhvillime më dinamike. Aktualisht, sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, është hartuar forma finale e vendimit, e konsultuar me OST-në dhe konsulentët tekniko-ligjorë, përfshi edhe palën nga Kosova dhe pritet që të miratohet në Këshillin e Ministrave.
Pas kësaj, pritet që të ngrihet një Komision i Posaçëm që do të përcaktojë edhe kriteret, procedurën, rregulloren për organizimin e procedurave përzgjedhëse të aksionerëve. Gjasat, sipas MIE, janë që ky proces të mbyllet brenda këtij viti dhe më pas të kemi një kompani të regjistruar. Krijimi i bursës pritet t’i japë një tjetër shtytje procesit të liberalizimit, edhe pse fillimisht ajo duhet të ketë të përcaktuar detaje që lidhen me shërbimet që do të ofrohen, sasinë e energjisë që do të tregtohet, pra volumet, cilët do të jenë aksionerët.
Gjithsesi, MIE vlerëson se do të ketë nevojë për një periudhë testimi të bursës që pritet të zgjasë 3-6 muaj ku do të kryhen transaksione reale, do të raportohet gjithçka, sikur të jetë reale, por në fakt do të jetë test. Sipas të gjitha gjasave, nëse gjithçka shkon mirë, bursa pritet të jetë efektive brenda qershorit të vitit të ardhshëm. Duhet pasur parasysh se KESH dhe OSHEE, si kompani publike që operojnë në tregun e rregulluar, nuk mund të listohen të dyja.
Sipas të dhënave të raportuara nga Operatori i Tregut, që është nën varësi të Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe që do të jetë përgjegjës për bursën, janë aktet ligjore ato që vendosin për sasinë që do të tregtohet nga këto kompani në bursë vit pas viti. Hallka ende e paezauruar është ndarja e Operatorit të Tregut nga OST fizikisht dhe me dokumente njëlloj siç veproi OSHEE me ndarjen e saj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.