Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike ka shumë paqartësi dhe rrezikon të futet në ngërç. Teksa më 1 mars, 83 bizneset që furnizohen në tensionin 35 kv duhet të shkëputen nga OSHEE dhe të dalin në treg të parregulluar, asnjë prej tyre nuk ka gjetur furnitor alternativ. Këta të fundit pohojnë se nuk kanë aspak interes të merren me biznese që nuk kanë konsum të lartë energjie. Ekspertët pohojnë se liberalizimi nuk do të funksionojë nëse nuk ndahet divizioni i tregtimit të OSHEE. MIE këmbëngul: Bizneset të dalin, ka kohë që i kemi njoftuar
Nga Ornela Liperi
Fabrika e këpucëve, Donianna, një ndër më të mëdhatë në vend, me mbi 1,000 të punësuar, furnizohet me energji në tensionin 35 kilovolt (kv). Deri në fund të muajit shkurt, fabrika duhet të shkëputet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe të gjejë një furnizues alternativ. Nëse nuk arrin ta sigurojë vetë energjinë, ndërmarrja e këpucëve, së bashku me 82 sipërmarrje të tjera private, shumë prej tyre prodhuese, rrezikon ndërprerjen e energjisë dhe mund të mbetet pa furnizim në mars.
Kjo lëvizje vjen në kuadër të procesit të liberalizimit të energjisë, të parashikuar në nenin 109 të ligjit 43 të vitit 2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, i cili parashikonte që bizneset që furnizoheshin në 35 kv do të duhet të dilnin në treg të pavarur deri më 30 qershor 2016, por ligji u shty disa herë dhe filloi zbatimin më 1 janar 2018. Deri në fund të vitit 2018 do të duhet të dalin edhe bizneset e linjës 20 kv, ku janë rreth 1,000 të tillë. Nëse bizneset nuk gjejnë asnjë furnizues tjetër, ligji nuk parashikon asnjë alternativë përveç ndërprerjes së energjisë elektrike për subjektin në fjalë.
Donika Mici, administratore e Donianna, pohon se ajo nuk ka arritur ende të siguroje një furnizues alternativ, ndonëse ka kontaktuar disa prej tyre. “Kompanitë private të shitjes së energjisë nuk janë ende gati për të përmbushur furnizimin me energji”, pohon ajo.
Sigurimi i energjisë u shtohet tashmë andrallave të pafundme të biznesit, me të cilat hasen sipërmarrësit shqiptarë.
“Si mund të heqësh fabrikat e prodhimit nga rrjeti shtetëror e t’ia kalosh një privati kur nuk e ke testuar ende sistemin dhe e di që furnitorët nuk janë gati”, pohon ajo, duke e quajtur absurde këtë situatë.
“Pse duhet të shkoj unë te privati. Në radhë të parë nuk kam siguri në furnizimin me energji, sepse s’janë gati. Në radhë të dytë është 20% më shtrenjtë. Një subjekt duhet të jetë i mbrojtur, nuk mund të luajë me një privat dhe një sistem që është i testuar. Biznesi duhet ta kishte këtë si një alternativë, ku të siguronte energji më të lirë”, pohoi ajo. Mici shton se kjo lëvizje është e pastudiuar dhe ligji ka pengesa dhe për ta aplikuar, duhet kohë.
Asnjë biznes nuk e ka siguruar energjinë, në janar e blenë 22% më shtrenjtë, në shkurt më lirë
Elton Sevrani, Drejtori i Shitjes dhe Tregtimit të Energjisë në OSHEE, tha për “Monitor” se deri tani, asnjë nga 83 bizneset private të linjës 35 kv nuk ka dalë aktualisht nga rrjeti i OSHEE. Ka pasur 10 kërkesa dhe 6 kontrata janë gati, por asnjë nga bizneset nuk ka sjellë deri tani një listë të furnitorëve alternativë.
Në janar, thotë Sevrani, bizneset zgjodhën të furnizoheshin nga OSHEE me çmim më të shtrenjtë, edhe pse, nëse do t’ia kishin dalë ta siguronin vetë energjinë në treg të lirë, do ta kishin blerë, në bazë të çmimeve të tregut, me 10.3 lekë/kvh.
Në janar, OSHEE ua shiti energjinë bizneseve me çmim të llogaritur sipas metodologjisë së Entit Rregullator të Energjisë, sipas formulës më poshtë:
-çmimi i blerjes në tregun e rregulluar 8.5 lekë/kvh -kosto direkte e furnizimit me pakicë (10%) 0.85 lekë/kvh -tarifa e përdorimit të rrjetit të transmetimit 0.75 lekë/kvh -tarifa e përdorimit të shpërndarjes 1.5 lekë/kvh -çmimi i energjisë aktive 11.6 lekë/kvh
Ndërsa në shkurt, 90 bizneset që furnizohen në nivelin e tensionit 35 kilovolt do ta blejnë energjinë nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) me çmim 8.85 lek (pa TVSH), rreth 7% më lirë se në dhjetor, pasi OSHEE ka arritur ta blejë më lirë energjinë nga tregtuesi GEN-I. http://www.monitor.al/bizneset-e-tensionit-35kv-e-blejne-energjine-7-lire-ne-shkurt/
OSHEE u ka dërguar shkresën e tretë bizneseve ku do t’i rikonfirmojë çmimin për muajin janar, do t’u bëhet i ditur çmimi i faturimit për muajin shkurt dhe do të njoftohen që të marrin masat për gjetjen e një furnizuesi alternativ brenda datës 15 shkurt. Kjo bëhet me qëllim që në përputhje me rregulloren dhe ndryshimin e furnizuesit, OSHEE të marrë masat, në të kundërt do të bëhet stakimi i furnizimit.
Operatorët alternativë: Nuk kemi interes të furnizojmë tensionin 35 kv
Të kontaktuar nga “Monitor”, operatorët e mëdhenj të tregtimit të energjisë pohojnë se ata janë në gjendje të furnizojnë bizneset e tensionit 35 kv. Infrastruktura është e thjeshtë, pasi me pagesën e një tarife shpërndarje dhe transmetimi, energjia e siguruar nga importi, ose në shitje të lirë në tregun vendas, lëvrohet te konsumatori, pra nuk ka nevojë për një infrastrukturë të mirëfilltë.
Problemi është se furnizuesit e mëdhenj, që përfaqësojnë shoqëri europiane, nuk janë të interesuar të merren me subjektet e këtij tensioni, për shkak të konsumit të ulët të tyre. Të gjithë konsumatorët në rrjetin 35 kv kanë një konsum vjetor të barabartë me atë që shpenzon një biznes i lidhur në tension të lartë për një muaj.
Ndonëse kanë pasur kërkesa nga biznesi, disa operatorë nuk e kanë parë me interes t’i furnizojnë, pasi është treg i vogël dhe nuk u kanë bërë oferta.
Kompanitë e mëdha furnizuese të energjisë e kanë të vështirë të aksesojnë këtë treg dhe vetë konsumatorët biznese nuk janë të familjarizuar me procedurat, p.sh, që duhet të hapin garanci bankare për energjinë.
Pa interes shfaqen dhe prodhuesit privatë të enegjisë. Dalip Spahiu, zotëruesi i HEC Gjancit, por edhe disa HEC-eve të tjera thotë se energjia që prodhohet në HEC-et e tij është e pamundur të shitet në tregun vendas. E para se HEC-et private nuk kanë basen dhe si rrjedhojë nuk mund të garantojnë sigurinë energjetike për një periudhë të gjatë kohe.
Dhe arsyeja e dytë sipas Spahiut ka lidhje me mentalitetin e bizneseve shqiptare që nuk janë korrekte në zbatimin e kontratave afatgjatë dhe të kryejnë pagesat e rregullta. “Nuk kam ndërmend të lidh asnjë kontratë me bizneset shqiptare që konsumojnë energji, pasi nuk kanë likuiditet”, thotë Spahiu. Ai pohon se, edhe tani kishte kërkesë nga klientë të kualifikuar për të shitur energjinë që prodhon nga HEC-et, mirëpo nga verifikimet që ka bërë, ka rezultuar se, i interesuari ka borxhe dhe kredi të këqija në banka, detyrime tatimore dhe për pasojë, mundësia për të marrë pagesat në kohë është e pakët.
Shkodra: Ka shumë problematika, procesi të shtyhet deri në fund të vitit
Në Shoqatën e Prodhuesve, liberalizimi i tregut të energjisë ishte shqetësimi kryesor i mbledhjes së zhvilluar në fund të javës së kaluar. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë, pohon se ata do ta ngrenë fort këtë çështje, pasi kanë rezultuar problematika të shumta përgjatë procesit.
Së pari ai pohon se është e papranueshmë që ka një kapërcim të tarifës së transmetimit nga rreth 0.6 lekë/kvh që është për tensionin 110kv në 3.9 lekë/kvh për rrjetin 25 dhe 35kv. “Nuk e kuptojmë pse paska një kosto kaq të madhe për këtë rrjet”.
Së dyti, ai ankohet se nuk ka transparencë përsa i përkët të gjithë listës së kompanive të licencuara nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) për shpërndarjen e energjisë dhe nuk ka një kontratë standarde të miratuar, se si do rregullohet marrëdhënia mes tyre. Meqë energjia është mall utilitar, ERE duhet të vërë në dispozicion një model kontrate që duhet të jetë e mirë që të mos lërë shkak për abuzime.
Shkodra thotë se nuk janë të përgatitur që të liberalizohet tregu kaq shpejt, por ai propozon që të pilotohet ky proces me dy deri në tre kompani dhe nga ky pilotim të shikohet ecuria të verifikohen problemet dhe në fund të vitit të liberalizohet gjithë tregu. Ajo që ka munguar, pohon ai, është konsultimi teknik mes palëve, ndonëse deri tani janë zhvilluar disa takime.
Prodhuesit kërkojnë që ERE të vendosë që furnizuesi të ketë një fond garanci në bankë për çdo mosmarrëveshje të mundshme që mund të lindë mes palëve. “Nëse energjia e furnizuar nuk është e një cilësie të mirë, më parë ankoheshim tek OSHEE, tashmë duhet të ankohemi te furnitori dhe ai më pas te OSHEE dhe çështja zgjatet zinxhir”.
Shoqata e Prodhuesve do t’i drejtohet këtë javë Ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri dhe Entit Rregullator të Energjisë me një letër, ku do t’i kërkohet të zgjidhë paqartësitë e këtij procesi.
“Energjia elektrike është mall utilitar dhe i sigurisë kombëtare dhe nuk mund ta lëshosh në tregun e lirë dhe të mos mbash asnjë përgjegjësi”, pohon Shkodra.
Arben Shkodra
“Energjia elektrike është mall utilitar dhe i sigurisë kombëtare dhe nuk mund ta lëshosh në tregun e lirë dhe të mos mbash asnjë përgjegjësi”
Ngërçi i mosfurnizimit
Por, çfarë ndodh nëse asnjë furnizues alternativ nuk pranon që t’u bëjë ofertë dhe të furnizojë me energji një biznes të tensionit 35 kv. Ligji nuk ka alternativë tjetër furnizimi, teksa OSHEE është e detyruar të ndërpresë energjinë.
Sevrani e pranon se situata është e komplikuar, por OSHEE është e detyruar që të veprojë në përputhje me ligjin për liberalizimin e tregut, i cili ka qenë një rekomandim i institucioneve ndërkombëtare. Zgjidhja e vetme për bizneset është që të adresohen direkt te furnizuesit alternativë (tregtuesit e energjisë). Por, furnizimi ka elemente të ndërlikuara teknike. Bizneset nuk i dinë rregullat e tregtimit të energjisë, si balancat apo disbalancat. Në rastet kur falimenton furnizuesi, procedurat mund të jenë të gjata dhe rrezikohet furnizimi. Në kahun tjetër, edhe furnizuesi nuk ka shumë leverdi të negociojë me subjekte që nuk kanë konsum të lartë energjie.
Një tjetër problem është fakti që nga 83 bizneset që do dalin në treg të lirë, 20 prej tyre janë debitorë ndaj OSHEE dhe paguajnë me këste. Kjo është zgjidhur me një aktmarrëveshje të parashikuar mes tre palëve, ku OSHEE-së i lind e drejta të ndërpresë energjinë në rast se subjekti nuk paguan këstet apo energjinë deri në momentin që ka qenë i lidhur me OSHEE.
Sevrani propozon edhe një variant B, nëse nuk arrihet dalja e tyre në treg të lirë, deri në fund të shkurtit, që të përshpejtohet procesi i ndarjes së OSHEE-së. Me krijimin e divizionit të tregtimit të OSHEE, dhe të jetë ky i fundit që të furnizojë direkt bizneset në formë të parregulluar.
Edhe tregtuesit e energjisë janë të mendimit se nuk do të gjendeshim përpara kësaj alternative të munguar, në rast se do të ishte funksional OSHEE Trading.
Ndërsa e pranojnë që procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është i vonuar, operatorët alternativë janë të mendimit se ky proces duhet të ishte natyral dhe të kishte dhënë mundësi zgjedhjeje. Sipas tyre, OSHEE ka pasur 4 vjet kohë që të prezantonte në treg OSHEE Trading, që do të furnizonte me çmim tregu klientët, që nuk përfitonin nga shërbimi universal. Kjo ka ndodhur në vendet e rajonit, ndërsa në Shqipëri, konsumatorëve nuk iu dha mundësia të furnizohen nga OSHEE me çmime tregu, por u nxorën fare nga ky treg.
Një proces liberalizimi natyral efektiv i tregut do të mundësonte bizneset që të vendosnin vetë nëse do të merrnin shërbimin nga furnizuesi universal me çmime të parregulluara, apo do të arrinin ta siguronin nga operatorët privatë me çmim më të lirë. Koncepti i liberalizmit nuk është që bizneset të nxirren nga tregu, por që të mos furnizohen me tarifa të subvencionuara, pohojnë tregtuesit e energjisë.
Për operatorët, për sa kohë që do të jenë vetëm 83 subjekte në tregun e parregulluar, ata nuk mund ta hapin tregun për kaq pak. Do të ishte ndryshe nëse do të ishin të gjitha bizneset në treg të lirë, pohojnë ata.
Edhe Arben Shkodra pohon se duhet furnizuesi i mundësisë së fundit. Nëse falimenton një furnizues privat, ose nëse zgjidhet kontrata me të, do të duhen disa ditë deri sa të lidhet kontrata me një tjetër. Çfarë ndodh ato ditë deri sa të lidhet kontrata me operatorin tjetër. “Ka fabrika që për tu hapur i duhen 24 orë të vërë në punë sistemin”, shton ai.
Të pambrojtur nga çmimi
Bizneset, fillimisht ata të tensionit 35 kv dhe më pas të tjerët, duhet të përgatiten që ata do ta blejnë energjinë me çmime tregu, që mund të jenë të luhatshme gjatë gjithë vitit dhe që në periudha krize mund të shtrenjtohen e t’i kalojnë 15 lekë/kvh, ashtu siç mund ta blejnë më lirë se 10 lekë/ kvh në periudha të mira të prodhimit të energjisë. Por, ashtu si lëndët e tjera të para, energjia nuk do të ketë më kosto fikse dhe subjektet nuk do të jenë të mbrojtur nga luhatjet e tregut të çmimit të energjisë. Këtë do të duhet ta mbajnë parasysh çdo fillimviti, kur bëjnë parashikimet për kostot e pritshme të aktivitetit.
Reagimi zyrtar i Ministrisë e Infrastrukturës dhe Energjisë:
“E çuditshme që bizneset më të suksesshme shqiptare hezitojnë për të përmbushur parimet e tregut”
Në një prononcim zyrtar për “Monitor”, pas shqetësimit të ngritur nga bizneset dhe operatorët e tregut për ngërçin e furnizimit me energji të subjekteve që furnizohen nga tensioni 35 kv, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tha:
“Vazhdimi i reformës për liberalizimin e tregut të energjisë është një detyrim ligjor, i cili sigurisht që has edhe në vështirësitë e veta në hapat e parë të implementimit, që prej më shumë se dy vitesh, nga ana e Qeverisë, në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent, po punohet për të bërë të mundur daljen në tregun e lirë të këtyre bizneseve.
Për këtë qëllim, nga ana jonë janë marrë të gjitha masat ligjore, rregullatore, teknike dhe organizative, duke garantuar ndërkohë një furnizim të qëndrueshëm dhe pa kosto shtesë të të gjithë konsumatorëve që duhet të përmbushin këtë detyrim ligjor.
-Në zbatim të nenit 109, të ligji nr. 43/2015, të gjithë klientët e lidhur në tension të mesëm, janë të detyruar të dalin në tregun e liberalizuar sipas një grafiku të përcaktuar.
-Kompania OSHEE, me fondet e saj, kreu investimin për instalimin e sistemit të matjes të rreth 80 klientëve të lidhur në nivelin e tensionit 35 kV.
-Nga ana e ERE, është miratuar Rregullorja për ndryshimin e furnizuesit dhe Metodologjia për përcaktimin e çmimit të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, gjë që plotëson kuadrin rregullator për realizimin e kësaj procedure. Gjithashtu nga ana e ERE-s, janë miratuar tarifat e aksesit në rrjet për të gjithë klientët sipas nivelit të tensionit në 35/20/10/0.6/04/kV.
-Në datën 17 janar 2017, është bërë njoftimi zyrtar për klientët në 35 kV, me qëllim marrjen e masave për gjetjen e furnizuesve alternativë në përputhje me ligjin 43/2015;
-Në datën 16 shkurt 2017 është zhvilluar takimi i parë në MEI me përfaqësues të OSHEE-së dhe klientëve të lidhur në 35 kV;
-Në datën 19 prill 2017, u zhvillua takimi i dytë me përfaqësues të MEI, OSHEE dhe klientëve të 35 kV për informacion më të detajuar mbi platformën e leximit online dhe liberalizimin e tregut;
-Në datën 31.10.2017, ju është dërguar njoftim të gjithë klientëve të lidhur në nivelin e tensionit 35 kV nëpërmjet Postës Shqiptare;
-Në datat 24.11.2017 dhe 30.11.2017, janë realizuar gjithashtu takime me klientët në zyrat e OSHEE-së, për të sqaruar në lidhje me procedurat për kalimin e klientëve të lidhur në nivelin e tensionit 35kV në tregun e liberalizuar;
-Takimi i fundit është realizuar nga OSHEE më datë 18.12.2017, pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
Në përputhje me njoftimet e mësipërme, data 31 dhjetor 2017 ishte data e fundit ku subjektet e lidhur në 35kV do të furnizoheshin me çmim të rregulluar nga OSHEE (9.5 lekë/kWh). Duke filluar nga data 01.01.2018 dhe 60 ditë në vazhdim OSHEE ka njoftuar abonentët se do të vazhdojë furnizimi në funksionin e FMF (Furnizuesi i Mundësisë së Fundit) me çmim sipas Metodologjisë së përcaktuar nga ERE.
Pas një sërë takimesh sqaruese me përfaqësues të biznesit, është pak e çuditshme që ende promovuesit e parimeve të tregut të lirë, pikërisht bizneset më të suksesshme shqiptare, të hezitojnë për të përmbushur parimet e tregut, përfitimet e të cilave ata më shumë se kushdo duhet t’i kenë të qarta. Liberalizimi dhe integrimi rajonal i tregut të energjisë elektrike, është rruga e vetme drejt integrimit europian që ne aspirojnë. Sigurisht, në çdo rast, Qeveria garanton që ky proces do të vazhdojë në mënyrë transparente, pa kosto shtesë dhe pa cenuar vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për zhvillimin e aktivitetit ekonomik të këtyre bizneseve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe Zëvendës Presidentja për Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore Antonella Bassani kanë nënshkruar Marrëveshjen për Financimin e Politikave Zhvillimore për Politikën Fiskale, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore. Në…
Turizmi po shënon një ecuri dukshëm më të mirë se viti 2023 qysh në muajt e parë të tij. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për strukturat akomoduese në shkurt tregojnë se numri i të huajve në hotele u rrit ndjeshëm në raport me…
Banka e Shqipërisë vlerëson se vitin e kaluar shqiptarët kryen mesatarisht 21 pagesa elektronike për frymë. Shifrat tregojnë se përdorimi i pagesave elektronike është rritur me ritme të shpejtë në vitet e fundit. Në vitin 2022, numri i pagesave elektronike kishte qenë 17 për frymë…
Inflacioni bazë pësoi rënie të mëtejshme në muajin mars, duke forcuar besimin se rritja e çmimeve në ekonomi, për momentin, po kthehet brenda objektivit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë në muajin mars zbriti në 2.73%, nga 2.91% që kishte qenë në…
Tani kur sezoni i parë i serrave në vendin tonë është në kulmin e tij, tregu vendas po furnizohet në masë nga importet. Të dhënat zyrtare nga tregtia e jashtme tregojnë se në 3-mujorin e parë, importet e zarzavateve u rritën me 70% dhe ato…
Subjektet në tregun e parregulluar, të cilat kishin detyrimin të siguronin të vetëm energjinë, por në fakt e kanë marrë atë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), pasi nuk kanë gjetur furnizues privat, kanë paguar çmime më të lira në 2023 në raport me…
Importet e kafshëve të gjalla po tregojnë se sektori i blegtorisë në vend po përkeqësohet nga viti në vit. Të dhënat nga tregtia e jashtme në tremujorin e parë të vitit 2024 tregojnë se importi i kafshëve të gjalla në sasi u rrit me 62%,…
Buxheti i shtetit shpenzoi në vitin 2023 gjithsej 674 miliardë lekë, ose rreth 6.4 miliardë euro. Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit, rreth 60% e kësaj shume përdoret…
Ekzaminimet e para mjekësore me skaner në Shqipëri në vitin 1995 janë kryer në klinikat private. Sektori privat mjekësor është gjithashtu ndër të parët që po përdor Inteligjencën Artificiale dhe sistemet e automatizuara. Sa ka arritur t'i reduktojë kostot për mbajtjen e personelit mjekësor përdorimi…
Edhe raundi i katërt rezultoi i pasuksesshëm në Bruksel për dinarin. Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të bëjnë asnjë marrëveshje. Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje…
Kina dhe Europa, mund të përballen me një "aksident të ngadaltë", paralajmëroi kreu i një grupi tregtar europian, një ditë pasi kancelarja gjermane përcolli shqetësimet e…
Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe institucionet e saj duhet të ndërmarrin masa të balancuara që adresojnë nevojat e ekonomisë dhe të konsumatorëve, duke mbajtur nën…
FMN përmend gjithashtu, shqetësimet për "mungesën e ekuilibrit" fiskal në Mbretërinë e Bashkuar, Kinë dhe Itali. Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka paralajmëruar SHBA-në, se deficitet masive fiskale,…
Platforma Telegram “po përhapet si zjarri”. Ajo pritet të arrijë 1 miliard përdorues këtë vit, tha bashkëthemeluesi i saj në një intervistë dhënë këtë të mërkurë…
Sipas një studimi të fundit të European Sponsorship Association (ESA) në bashkëpunim me Nielsen Sports, tregu europian i sponsorizimeve u rrit në 30.9 miliardë euro, duke…