Enti Rregullator i Energjisë këtë vit do të përfshihet në një proces intensiv të përcaktimit të kostove dhe tarifave sipas nivelit të tensionit. Afatet përcaktohen në metodologjinë e “Përcaktimit të Çmimeve për Shitjen e Energjisë Elektrike me Pakicë tek Klientët Fundorë që Furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (OSHEE).
“ERE do të shqyrtojë propozimin e të licencuarit dhe do të bëjë ndryshimet që i gjykon të nevojshme me qëllim që deri më 31 dhjetor 2017 të miratojë tarifa që reflektojnë plotësisht kostot për çdo kategori klientësh, në mënyrë që t’i mundësojë ata të dalin në tregun e liberalizuar”, thuhet në metodologjinë e re të përcaktimit të çmimeve.
Konsumatorët në rrjetin 35 kilovolt dhe ata 20 kilovot, të cilët përfaqësojnë rreth 6300 biznese në të gjithë vendin, do të dalin që nga muaji tjetër për furnizimin në tregun privat të energjisë. Për pasojë, përveç çmimit të energjisë, këto biznese do të paguajnë edhe tarifa shtesë që lidhen me përdorimin e rrjetit të transmetimit dhe atij të shpërndarjes.
Por bizneset që do të gjedhin të furnizohen nga rrjeti i OSHEE-së do t’i duhet të paguajë këto kosto.
1-Kostoja për blerjen e energjisë elektrike dhe kapacitetit.
2-Kostoja për përdorimin e sistemit të transmetimit.
3-Kostoja për përdorimin e sistemit të shpërndarjes.
4-Kostot e operimit dhe të mirëmbajtjes.
5-Kosto e amortizimit të aseteve.
6-Marzhi i fitimit.
7-Vlera e kostos së financimit të kapitalit të punës.
8-Borxhi i keq
9-Korrigjimi i të ardhurave të realizuara mbi/nën kërkesën e lejuar për të ardhura për vitin paraardhës.
Sipas ERE-s, kostot e energjisë elektrike dhe kapacitetit do të ndahen sipas kategorive të klientëve bazuar në grafikun e ngarkesës, duke reflektuar kohën e përdorimit, përfshirë modelet sezonale të konsumit në periudhën e pikut dhe atë jashtë saj për secilën kategori klientësh.
Pagesat e përdorimit të sistemit të shpërndarjes do të ndahen për çdo kategori klientësh bazuar në nivelin e tensionit në të cilin ofrohet shërbimi.
Pagesat e përdorimit të sistemit të transmetimit do të caktohen sipas kategorive te klientëve bazuar në përqindjen e kwh që përdoren nga secila kategori klientësh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.