Në bibliotekën tuaj nuk duhet të mungojnë kurrsesi disa libra (ne kemi përzgjedhur dhjetë) që janë sa të këndshëm, aq edhe të dobishëm për t’u lexuar. Janë libra që motivojnë dhe orientojnë, por që fare mirë mund të lexohen edhe në ditët e pushimeve.
Ndihuni të lirë t’i shtoni kësaj liste titujt që ju dëshironi.
“Baba i pasur, baba i varfër”, autori Robert Kiyosaki
E nisim me një klasik, gati–gati perfekt e që ngjason pothuajse me një roman. Ky libër nis me një alfabet financiar që për fat të keq nuk mësohet në shkollë. Këshillat jepen në formën e anekdotave, që nënvizojnë gjithmonë rëndësinë që ka arritja e pavarësisë financiare, si dhe ilustrojnë disa principe se si mund të arrihet kjo.
“Njeriu më i pasur në Babiloni”, autor George S. Clason
Ky libër synon që të zgjidhë problemet personale që lidhen me paranë, falë rishikimit të 11 parabolave antike babilonase. Clason i rikthehet Babilonisë, ku nënvizon se janë ndërtuar themelet e sistemeve tona dhe besimet monetare. Duke studiuar së bashku me të anekdotat antike (si të ishim qytetarë të atij civilizimi) mund të vlerësojmë paranë, të mësojmë si të blejmë në mënyrë të shëndoshë, si të ndërmarrim veprime financiare të shëndosha dhe të fitojmë më shumë.
“Milioneri fqinj”, autor Thomas J. Stanley
Libri trajton shtatë rregulla të thjeshta që mund të zbatohen për t’u bërë njerëz të pasur, me një pasuri që mund të kalojë mbi një milion dollarë. Libri paraqet një studim të realizuar nga dy autorë mbi profilet e disa milionerëve.
“Milioneri automatik”, autor David Bach
Siç mund të kuptohet edhe nga titulli, autori është një përkrahës i fortë i nevojës për të automatizuar jetën financiare mes kursimit, mirëkuptimit, aftësisë për të jetuar me mjetet që janë në dispozicion dhe me konceptin që “vetja shpërblehet e para”.
Ky libër rekomandohet më së shumti për ata që e kanë të vështirë të kursejnë, prandaj është i dobishëm si për fillestarët, ashtu edhe për ekspertët.
“Si të trajtosh të tjerët dhe të bësh miq”, autori Dale Carnegie
Libri është botuar për herë të parë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe sot e kësaj dite është një “bestseller”.
Po përse ky libër mund të jetë pjesë e listës mbi ato të pasurisë dhe financës personale? Në fakt, nuk lidhet ngushtësisht me menaxhimin e parave apo të investimeve, por pavarësia financiare shkon përtej parasë dhe teknikave. Ajo nënkupton edhe aspektin psikologjik, motivimin në jetë, si dhe ecjen drejt lumturisë që duket se na largohet gjithmonë. Për të “blerë” këtë lumturi, raportet njerëzore janë shumë të rëndësishme. Tek e fundit, suksesi financiar, siç shkruan edhe autori, varet shumë edhe nga aftësia për të shprehur idetë, për të marrë rolin e drejtuesit dhe për të ngjallur entuziazëm mes personave. Libri është i mbushur me anekdota praktike që ilustrojnë më së miri mundësitë për të krijuar marrëdhënie. Ky libër është një guidë që ju ndihmon të krijoni marrëdhënie më të mira, ndoshta jo veçanërisht emocionale, por që kanë jetëgjatësi.
“Katër orë në javë. Të pasur dhe të lumtur duke punuar dhjetë herë më pak”, autor Timothy Ferriss
Dy fjalë: të ardhura pasive. Libri shpjegon sesi mund të ndërtohen dhe të zbatohen sisteme që me pak punë mund të zhvillojnë në mënyrë autonome pasurinë.
Nuk bëhet fjalë për një shkop magjik, por për disa reflektime interesante.
“Kush e ka lëvizur djathin tim?”, autor Spencer Johnson
Një klasik që është gjithmonë koherent, një parabolë gjithnjë motivuese. Janë leksione të thjeshta mbi jetën financiare për të vendosur një mentalitet të qëndrueshëm nga ana ekonomike. Shumë i thjeshtë dhe i lehtë për t’u lexuar, një “detyrim” për fillestarët e financës personale.
“Një shëtitje në Wall Street”, autor Burton G. Malkiel
Ky libër është interesant për të gjithë ata që duan të kuptojnë më shumë se përse është gati e pamundur që të “mundet” tregu, përse është e nevojshme që të ndiqen këshillat e një guruje.
Autori “zhytet” në thellësitë e sjelljeve financiare dhe studion psikologjinë sociale të vendimeve për të investuar, por nuk mungojnë edhe diskutimet dhe komentet mbi “flluskat” e tregut të aksioneve të së kaluarës. Ky libër mund t’ju ndihmojë që të mendoheni më mirë kur të ndërmerrni një investim dhe jo vetëm duke ndjekur këshilla financiare nga faqe të ndryshme, publikime ose nga ekspertët financiarë të vetëshpallur, të cilët mund të të ndodhen edhe në ekranet televizive. Sipas Malkiel, këto burime kanë vlerë parashikuese të barabartë me zero. Ju lutem vini re, libri është më shumë teknikë dhe për disa njerëz mund të mos rezultojë interesant.
“Rënia dhe ngritja e parasë”, autor Niall Ferguson
Njohja e historisë sot është më e rëndësishme se kurrë dhe Ferguson e ilustron këtë me ngjarje nga historia financiare në botën tonë. Bëhet edhe një “udhëtim” në dinastinë e bankierëve. Në të do të gjeni histori të ndryshme zgjerimi. Pra, është një udhërrëfyes i mirë mbi rënien dhe ngritjen e parasë.
“Mendo si të pasurohesh”, autor Napoleon Hill
Një “bestseller” motivues për zhvillimin personal i frymëzuar nga përvoja e miliarderit Andrew Carnegie, pronari i parë në botë që zotëroi një miliard dollarë. Hill ka studiuar të gjitha karakteristikat e atyre që arritën një pasuri dhe renditi 13 principe që mund të ndihmojnë gjithkënd për të arritur suksesin.
Te gjithe jan libra shume interesant, qe duhet te lexohen!