Është çelur sot (e mërkurë 13 nëntor), në Pallatin e Kongreseve, Panairi i 16-të i Librit “Tirana 2013”. I shtrirë në të dyja katet e tij, me pjesëmarrjen e 94 ekspozuesve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia dhe me 1200 tituj të rinj, për pesë ditë me radhë Shoqata e Botuesve Shqiptarë do t’i ofrojë lexuesit një bibliotekë gjigande, takim me autorë, promovime dhe trajtim problematikash kryesore me të cilat ndeshet sot bota e botimeve. Në ceremonin e çeljes, e zhvilluar në sallën e konferencave, merrnin pjesë Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Alexander Arvizu dhe Ambasadorja e Francës, Christine Moro.
Këtë vit Panairi i Librit i ka çelur dyert me moton “Pirateria dhe informaliteti po e vrasin librin”. E përqendruar në këtë problematikë ka qenë edhe fjala e hapjes e mbajtur nga Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri.
“Duhet të flasim më shumë për librin, që lexuesi t’i perceptojë si instrumente të dijes dhe kënaqësisë, dhe si pjesë të pasionit dhe jetës sonë të përditshme. Sepse ne kemi vite që ne u biem burive të alarmit. Prej kohësh një politikë e drejtë, nxitëse vlerash e standardesh, mbështetëse për librin ka qenë çështje e ditës”, tha Ymeri në fjalën e tij. “Sot duhet të themi që një politikë e tillë është urgjente. Jemi duke përjetuar faktin e mbylljes së mjaft librarive ose pikave të shitjeve në Tiranë, në Fier e qytete të tjera. Kriza e pagesave është duke u rënduar gjithmonë e më shumë. Jemi në dy vite kur shitjet kanë rënë në përqindje mjaft të dukshme, 20 deri në 30 për qind. Numri i botimeve gjithashtu është ulur (1086 deri sot, krahasuar me 2866 te vitit te kaluar). Motivet ekonomike të krizës së përgjithshme, nuk arrijnë të shpjegojnë këtë dukuri që ka mjaft efekte të tjera, por pa dyshim është në radhë të parë një goditje ndaj dijes e kulturës, që lipset ta konsiderojmë si një infrastrukturë të vërtetë të vendit, pa të cilën nuk bëhet dot përpara. Nëse nuk ndërmerren shpejt politika publike për të mbështetur libraritë, do të mbeten fare pak prej tyre dhe aksesi tek libri do të ulet”.
Ymeri ka shtuar se botuesit presin ato gjëra që thuhen në programin e qeverisë për librin, por edhe të dallohet roli i librit në realizimin e objektivave kulturore. Prej kohësh botuesit shqiptarë shohin dhe bëjnë krahasime midis situatës shqiptare dhe vendeve të zhvilluara përreth, ku situata nuk është rozë, por ku prapëseprapë fondet e qendrave kombëtare të librave janë marramendëse. “Tek ne këto fonde kanë qenë të pakta ose më saktë fluide dhe aspak transparente, ato janë harxhuar mjaft herë në forma preferenciale e të panjohura. Një punë e hapur dhe transparente, një punë e programuar për kolana e projekte të mëdha e të vogla, për letërsi afatgjatë dhe që pa dyshim duhen bërë në mënyrë kolegjiale e profesionale, duhet të jenë orientime të politikave të librit. Këshilli kombëtar i librit që ka vite që nuk funksionon, madje ka vite që nuk mblidhet, do të ishte një ndihmë e madhe në skicimin dhe realizimin e këtyre politikave”. Ymeri ka shprehur në emër të botuesve shqiptarë gatishmërinë për të marrë pjesë në takimet konkrete ku përcaktohen politikat afatgjata të punës për të mbështetur leximin. “E gjithë bota e letrave sot flet për të ulur TVSH mbi ebook-un, por në Shqipëri përveç faktit të mungesës së strukturës për këtë produkt të ri libror, mungon besimi i plotë për shkak të piraterisë, dukuri e cila po mbyt prej disa vitesh botimet shqiptare dhe në raste të formës alternative, të ebook të gjithë mendojmë: a do të piratohet edhe ky produkt? Në një kohë kur në Europë përpiqen të ulin tvsh-në mbi ebook-un, te ne kemi ende këtë tatim më të lartin në Europë me 20 për qind, një absurd që nuk kemi ditur kurrë ta kuptojmë. Në programin e qeverisë përmenden trajnimet dhe digjitalizimi i bibliotekave, por nuk thuhet asgjë për pasurimin e fondeve të bibliotekave, për bibliotekat publike, të shkollave, madje edhe të lagjeve. Padyshim duhet mbështetje për bibliotekat, madje duhet të përbëjnë një prioritet, por duhet të kuptojmë që pasurimi i bibliotekave duke filluar nga Biblioteka Kombëtare nuk duhet të bëhet me kopjet e detyrueshme që merren në mënyrë intolerante, shpronësuese të botuesit privat, me detyrim, me dhunë nga shteti. Është i vetmi vend në Europë ku shteti me dhunën e ligjit u merr botuesve 5 kopje për çdo botim dhe pesë për çdo ribotim. Është e tepërt të kujtojmë si e ka bota jashtë nesh: detyrimi është një kopje, që shërben si kopje dokumentimi në Bibliotekën Kombëtare”, ka thënë ai.
Si një problem më vete Petrit Ymeri ka dalluar edhe librat shkollorë, universitarë. Ai e ka quajtur një revolucion apo evolucion çështjen e hapjes së teksteve alternative shkollore, por e ka quajtur edhe të gabuar praktikën që në një vend kaq të vogël sa yni, krijohet dilema në sistemin shkollor me deri në dhjetë variante për një libër, për më tepër libra të cilët hartohen çdo vit. “Ky proces mendojmë që duhet organizuar dhe vigjëluar në mënyrë profesionale, për të rritur cilësinë e botimeve shkollore dhe për të shmangur shpenzimet, por edhe duke shmangur preferenca të ndryshme në përzgjedhjen e teksteve. Në këtë kontekst çështja e librit universitar është imediate, kontrolli i teksteve për plagjiaturë (nëpërmjet softuerëve të veçantë a me mjete të tjera) nga kompilimet që janë bërë një dukuri mbizotëruese në tregun e botimeve universitare. Autorë të njohur dhe të panjohur kompilojnë tekste, a doktoratura, duke u vënë emrat përsipër. Përfundimi: niveli bashkëkohor i dijeve të këtyre kompilimeve është i dyshimtë, por nuk është e dyshimte e ardhmja e librit: është ai që rekomandohet në universitet, pavarësisht se të tjerët, autorët origjinalë në gjuhë të huaj, kanë prapa një jetë studimesh, kur arrijnë tek libri”.
Si një nga pikat kryesore të angazhimeve të botuesve shqiptarë, kreu i Shoqatës ka përmendur angazhimin për çështjen e piraterisë dhe informalitetit, të cilat jo rastësisht janë edhe motoja e panairit të këtij viti. “Nuk është normale që sot në tregun shqiptar të librit janë me dhjetëra autorë të piratuar nga gjithë gjuhët e mëdha dhe nuk ndodh asgjë, nuk është normale që kemi informalitet në rritje në tregun e botimeve, duke filluar nga shtypshkrimet informale, e deri te fotokopjime masive të teksteve universitare”, ka thënë Ymeri. Nuk është normale që subjekte që kanë mbyllur veprimtarinë e tyre ligjore botuese, vazhdojnë të shtypin libra dhe të furnizojnë përsëri libraritë. Nuk është normale që persona fizikë pa asnjë lloj licence furnizojnë libraritë me tekste të tyre, kur nuk paguajnë asgjë në zyrat e shtetit. Nuk është normale që me plot organizata jofitimprurëse që në fakt janë biznese por me kostumin e OJF, botojnë libra pafund duke spekuluar me këtë status dhe duke i kaluar fitimet, gjoja në veprimtari shoqërore, duke u përjashtuar kësisoj nga detyrimet fiskale. A duhen ndryshime dhe përmirësime në ligje, në qoftë se po, le t’i bëjmë”. Sepse kështu sipas Ymerit duhet të jetë diskutimi themelor: përmirësimi i standardit, rritja e tij më shumë sesa rritja e produktit dhe sasisë së titujve që hidhen në treg.
Gjithashtu në ceremonin e hapjes së panariti ka folur edhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro. “Ministria e Kulturës mbështet në këtë panair mendimin krijues: çmimet letrare, mendimin e jurisë, debatet dhe promovimin e ideve dhe të leximit. Sepse ky do të jetë një ndër objektivat tanë kryesorë. Faleminderit Zoti Ymeri për sugjerimet që i marrim me po aq vëmendje sa dhe ato të krijuesve dhe të lexuesve dhe nuk dua të kthej këtë mikrofon në podium të programit politik të Ministrisë së Kulturës sepse kjo është skena e librit dhe e krijuesve të tij, por do të shpreh publikisht angazhimin për një tryezë të posaçme të parashikuar për librin si kulturë dhe jo thjeshtë si mall. Dhe po këtë vëmendje e kemi edhe ndaj piraterisë e pronësisë intelektuale për të cilën Ministria e Kulturës sa po ka ndërmarrë një kantier të parashikuar duke patur parasysh nenin 73 te MSA-s, pronësia intelektuale, industriale dhe tregtare” ka thënë Ministrja Kumbaro.
Ndërsa Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi ka thënë se pothuaj dy muaj më parë Komisioni Europian shpalli fituesit e çmimit të Letërsisë së Bashkimit Evropian për vitin 2013 në Suedi. Ky çmim sipas Sequi është një aktivitet shumë i rëndësishëm, sepse tërheq vëmendjen mbi autorët e rinj pak të njohur. “E përmend këtë sepse do të doja të inkurajoja edhe autorët shqiptarë të marrin pjesë dhe të aplikojnë për këtë çmim sepse p.sh. sivjet fituesit kanë qenë nga Bosnje Hercegovina dhe nga Maqedonia. Pse mos të ketë fitues edhe nga Shqipëria”.
Sequi ka trajtuar gjithashtu në fjalën e tij edhe problematikën e piraterisë. Ai ka thënë se Komisioni Evropian tregon vëmendje të veçantë sa i takon zbatimit të legjislacionit shqiptar për të drejtën e autorit dhe standardeve për të drejtën e autorit në Shqipëri, kjo në kuadër të angazhimeve që ka marrë qeveria shqiptare dhe që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me BE, e cila hyri në fuqi në vitin 2009. “Edhe këtë vit në Progres Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2013 për Shqipërinë u theksua shqetësimi se duhen bërë hapa të mëtejshëm edhe më të mëdha për të siguruar “zbatimin efikas të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe industriale”, ka cituar ai. “Në këtë sallë kemi ekspertë që vijnë nga Bashkimi Evropian me një mision disa ditor në Shqiopëri, ekspertë që merren pikërisht me fushën e të drejtës së autorit, pra pronësinë intelektuale dhe industriale. Gjatë kësaj jave ata do të bëjnë një vlerësim të legjislacionit shqiptar të kësaj fushe por edhe të zbatimit të tij. Në fund ata do të japin edhe rekomandimet përkatëse”.
Ndërsa ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu e ka cilësuar krim që duhet ndërshkuar vjedhjen e të drejtës së autorit. Gjatë fjalës së tij ai theksoi se vjedhja e pronësisë intelektuale nuk është problem vetëm për Shqipërinë. “Dua të flas për mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Është me të vërtetë problem jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë botën. Ajo që ndodh me dhunimin e pronësisë intelektuale është në fakt vjedhja. Është krim, i privon njerëzit nga ajo që është e drejta e tyre, nga e drejta e autorit. Është gjithashtu inkurajuese që kjo qeveri është e angazhuar që të luftojë krimin në forma të ndryshme.”- deklaroi Arvizu. Ai theksoi vlerën e përkthimit i cili mundëson leximin në gjuhë të ndryshme i veprave të ndryshme. Ai shpjegoi se se Ambasada Amerikane ka ndërtuar tre kënde në Tiranë , Vlorë dhe Kukës ku ofron libra dhe internet falas.
Fjalë përshendetëse për të pranishmit ka mbajtur edhe Ambasadorja e Francës në Tiranë. Christine Moro. Kjo amabasadë ka qenë aktive në çdo panair libri këto vitet e fundit, por në këtë edicion programi i saj është edhe më i veçantë sepse do të bëhet një homazh i gjithanshëm i figurës së shkrimtarit të njohur francez Albert Kamy, me rastin e njëqind vjetorit të lindjes. Pas ka falenderuar organizatorët Moro ka theksuar se ditën e dytë të panairit, të enjten Jean Yves Guerin do të jetë protagonist i një aktiviteti të zgjeruar mbi krijimtarinë e Albert Camus. Përveç kësaj në stendën e Ambasadës Franceze do të ketë edhe një ekspozitë interaktive mbi jetën dhe veprën e tij. Pjesë e programit të panairit këtë vit është edhe çmimi për përkthyesin më të mirë në shqip, të librave të Albert Kamy-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.