Fondet e investimeve pritet që të rregullohen me një ligj të ri i cili aktualisht është në formën e një drafti dhe që është duke u konsultuar me palët e interesit. Duke ju referuar këtij drafti rezulton se janë bërë një sërë ndryshimesh në raport me ligjin aktual. Kështu së pari vihet re shtimi i një koncepti të ri të fondeve siç është fondi i investimeve alternative që në kuadrin ligjor aktual nuk ekziston.
Por çfarë është një fond investimi alternativ. Sipas draftit, është sipërmarrja e investimeve kolektive përfshirë edhe nënndarjet ose nënfondet e investimi të saj e cila siguron kapital nga një numër investitorësh, me qëllim investimin e tij në përputhje me një politikë të përcaktuar investimi për realizmin e përfitimeve për investitorët dhe e cila nuk licencohet si sipërmarrje e investimeve kolektive në tituj të transferueshëm sipas këtij ligji. Drafti shkon edhe më tej duke e konceptuar edhe ndarjen e fondeve të investimeve alternative vendës dhe të huaja.
Po për herë të parë hyn edhe koncepti i fondit të tregtuar në bursë që me ligjin aktual nuk rezulton si një koncept më vete. Në kuptimin e draftit të nxjerrë për konsultim fondi i tregtuar në bursë është sipërmarrja e investimeve kolektive që ndjek një indeks sipas të cilit tregtohet gjatë gjithë ditës një klasë kuotash ose aksionesh në një platforme tregtimi dhe me një krijues tregu, i cili garanton që çmimi i kuotave ose aksioneve të tij në treg nuk ndryshon ndjeshëm nga vlera neto e aktiveve dhe, sipas rastit, nga vlera neto orientuese e aktiveve. Draft ligji parashikon edhe huadhënien e letrave me vlerë ose të aksioneve si një term të ndarë.
Drafti i ri bën një detajim më të qartë të asaj se çfarë quhet sipërmarrje e investimeve kolektive në vend që ndahen në tre kategori së pari fonde investimesh ose shoqëri aksionare në bazë të ligjit për tregtaret dhe shoqëritë tregtare si dhe shoqëri komandite. Po kështu në të njëjtin nen atë 3 caktohet sesi krijohen fondet e investimit duke nënvizuar se mund të jenë në tre forma :sipërmarrje me pjesëmarrje të hapur, me intervale apo me pjesëmarrje të mbyllur. Në nenin katër draft ligji përcakton përjashtimet ku përveç bankave të nivelit të dytë rreshtohen edhe një sërë kategorish të tjera si kontratat e sigurimit, aksionet ose kuotat që nuk marketohen, kur struktura dhe organizimi është me marrëveshje franshize bazë të të cilës përfitohen të ardhura.
Lidhur me regjistrin e fondeve drafti i ri shton kërkesat lidhur me transparencën dhe pjesën e përditësimit në çdo moment të tij. Në ndryshim nga ligji aktual ku informacioni që duhet të përmbajë regjistri shprehet shkurtimisht në draftin e ri informacioni që kërkohet të përditësohet dhe shtohet në regjistër është shumë më i detajuar si për fondet edhe shoqëritë administruese të fondeve.
Për shoqëritë administruese draft ligji ka bërë një sërë ndryshimesh duke shtuar kushtet për licencimin e tyre. Lidhur me kapitalin themeltar draft ligji parashikon se shoqëria administruese zotëron kapital të shlyer jo më pak se 15,786,250 lekë. Ndërkohë që më ligjin aktual vlera minimale e kapitalit themeltar të regjistruar të shoqërisë administruese është 15 625 000 lekë, pra mungon pjesa “kapital I shlyer”.
Një tjetër risi është ajo që lidhet me zëvendësimin e shoqërisë administruese që në ligjin aktual nuk është i përfshirë. Sipas draftit shoqëria administruese e fondeve e licencuar mund t’ia transferojë të drejtën për administrimin e sipërmarrjeve të investimeve kolektive një shoqërie tjetër administruese që është e licencuar nga Autoriteti në përputhje me procedurën e cila parashikohet me akt nënligjor nga Autoriteti dhe, në rastin e shoqërisë së investimit, pasi është marrë miratimi me anë të një vendimi të jashtëzakonshëm të aksionarëve.
Draft ligji sjell një seri ndryshimesh të përgjithshme për tregun dhe aktorët pjesë e tij dhe pritet që të kalojë në një konsultim të gjatë para se të miratohet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.