Arben Ahmetaj, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të ketë në dorë “fatin” e invetimeve publike për vitin 2015, sipas kompetencave që i janë dhënë atij në ligjin e buxhetit të shtetit 2015, të publikuar së fundmi. Vetëm pasi të marrin konfirmimin nga Ministria e Ekonomisë, projektet do të paraqiten për miratim pranë ministrit të Financave dhe për njoftim pranë njësive të qeverisjes qendrore
Ligji specifikon që detajimi i fondeve për investime të miratuara në ligjin nr. 160/2014, datë 27.11.2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, si dhe kërkesat për rishpërndarje apo për fonde shtesë për investime, nga ana e njësive të qeverisjes qendrore do të paraqiten për konfirmim pranë ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Pas shqyrtimit, konfirmimi përkatës, nga ana e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të paraqitet për miratim pranë ministrit të Financave dhe për njoftim pranë njësive të qeverisjes qendrore. Ministritë dhe institucionet qendrore, në detajimin e planeve të miratuara të investimeve, do të mbajnë parasysh këto kritere dhe përparësi në financimin e projekteve:
a) Projektet e investimeve të propozuara për financim duhet të jenë pjesë e projekteve të propozuara dhe të shqyrtuara nga Këshilli i Ministrave dhe të paraqitura në Kuvend, për vitin 2015;
b) Projektet në vazhdim nga viti 2014 ose më parë do të financohen me përparësi dhe duhet të jenë pjesë e prioriteteve të propozuara për financim gjatë vitit 2015;
c) Detyrimet lokale për TVSH-në, taksa doganore ose bashkëfinancimet nga buxheti i shtetit për projektet me financim të huaj, do të financohen në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet financiare të projekteve dhe në përputhje me vlerën e financimit të huaj të planifikuar për vitin 2015. Financimi i projekteve me financim të huaj nuk duhet të tejkalojë tavanin e miratuar në ligjin e buxhetit për vitin 2015;
d) Projektet e reja të propozuara për financim duhet të kenë kaluar procedurat e miratimit në kuadër të PBA-së 2015–2017, sipas prioriteteve sektoriale të propozuara nga ministritë e linjës dhe institucionet buxhetore. Propozimet për financimin e projekteve të reja do të shoqërohen me relacionin dhe formularëtpërkatës në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara në shtojcën 6 të udhëzimit “Për procedurat e menaxhimit të investimeve publike”.
e) Propozimet për projekte të reja të papërfshira në sa më sipër, do të financohen vetëm në kushtet e emergjencës, të shoqëruara me një relacion të hollësishëm për domosdoshmërinë e investimit të kërkuar, dhe pas miratimit paraprak nga ana e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETS).
Projektet e reja që plotësojnë kushtet e mësipërme, dhe me vlerë deri në 700 milionë lekë, do të financohen vetëm pas miratimit paraprak të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Projektet prioritare me vlerë mbi 700 milionë lekë do të financohen vetëm pas shqyrtimit dhe miratimit paraprak në Komitetin Ndërministror për Zhvillimin Ekonomik.
Shtesat në planin e miratuar të projekteve të investimeve publike në kuadër të kontratave për punime shtesë ose të ndryshimeve në planin e projekteve, si dhe rialokimet e fondeve ndërmjet projekteve gjatë zbatimit të buxhetit, do të bëhen me miratim paraprak të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, bazuar në relacionin dhe argumentet mbi domosdoshmërinë e tyre. Nëse projekti i propozuar nuk ka qenë pjesë e PBA-së 2015–2017, dhe nëse nuk plotëson asnjë nga kushtet e mësipërme, kërkesa për financim duhet të paraqitet vetëm në kuadër të rishikimit të buxhetit vjetor.
Projektvendimet e Këshillit të Ministrave, të cilat lidhen me investime publike, duhet të paraqiten për mendim në Ministrinë e Financave, pas marrjes së miratimit nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Ministria e linjës duhet të paraqesë pranë Ministrisë së Financave një kopje të shkresës së MZHETS-së dhe konfirmimi nga MZHETS-ja duhet të jetë pjesë e relacionit shoqërues të projektvendimit të paraqitur për miratim.
Fondet për projektet e reja të investimeve për blerjen e pajisjeve elektronike / informatike, të cilat nuk e kanë ndjekur ciklin e planifikimit të investimeve publike dhe që lidhen me teknologjinë e informacionit, bëhen efektive pas konfirmimit nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Në rastet kur në marrëveshjen dypalëshe, të nënshkruar për zbatimin e projekteve me financim të huaj, është përcaktuar që disbursimi nga donatori/kreditori do bëhet pasi të jetë kryer shpenzimi dhe pasi të jetë vlerësuar performanca e projektit, atëherë për kryerjen e shpenzimit, ministritë/ institucionet, në rast se nuk kanë parashikuar fondet përkatëse në planin e buxhetit vjetor, do të shqyrtojnë mundësinë e një rialokimi për të siguruar fondet e nevojshme brenda tavanit të miratuar të financimit të huaj.
Fondet e rimbursuara nga financuesi sipas projekteve përkatëse, do të regjistrohen në një zë të veçantë për t’u dalluar nga grantet dhe kreditë e tjera, me emërtimin “Rimbursim i shpenzimeve pas vlerësimit të performancës”.
Investimet, realizim i ulët në 2014
Ministria e Financave raporton se, i ka realizuar investimet publike gjatë vitit 2014 në 60.5 miliardë lekë, nga 66 miliardë lekë që e kishte planin në buxhetin e rishikuar, ose 9 % për qind më pak.
Por një akt normativ që është miratuar në ditët e fundit të vitit që shkoi bëri ndryshime në buxhetin e vitit 2014. Në këtë akt shpenzimet për investime arrijnë në 67 miliardë lekë. Sipas kësaj shifre investimet kapitale për 2014, jo vetëm që janë realizuar, por edhe janë tejkaluar karahasuar me planin. Ndërsa vetë ministri Ahmetaj ka pohuar se, investimet u realizuan 91 % pra, 60.5 miliardë lekë. http://www.monitor.al/ne-dhjetor-realizohet-28-e-planit-te-investimeve-te-2014