Ministri i Energjisë dhe Industrisë Gjiknuri, në një dalje për mediat sot, ka deklaruar se ligji i ri për energjinë do të krijojë platformën e duhur për zhvillimin e sektorit.
I pyetur rreth nenit, sipas të cilit shtohet barra hipotekore mbi banesat, ai u shpreh se fatura e energjisë është titull ekzekutiv dhe titujt ekzekutiv kanë mënyra se si ekzekutohen, përfshirë edhe vendosja e barrës hipotekore.
“Ky ligj, parashikon thjeshtimin e një hallke që nuk e përjashton rishikimin gjyqësor, as nuk i përjashton procedurat përmbarimore. Ju e dini shumë mirë se fatura si titull ekzekutiv është vendosur shumë vite më parë, nuk është vendosur tani. Ka qenë titull ekzekutiv dhe do të jetë. Megjithatë, për sqarim të publikut dua tu them se ka një element që është shumë interesant: po flitet për siguri prone, prona do të jetë e pastër. Që prona të jetë e pastër duhet të jetë e shlyer nga të gjitha detyrimet. Çfarë ndodh sot? Ka shumë konsumatorë të cilët marrin një pronë dhe e kanë me detyrime të mëdha nga të tjerët, detyrime nga mospagesa e energjisë dhe aktualisht kanë problem për lidhjen e energjisë. Dikush duhet ta paguaj këtë.” – ka thënë ministri, duke shtuar edhe se ky lloj parashikimi, sipas tij, do të sjellë një normim më të mirë edhe në tregun e pasurive të patundshme, pasi do të detyrojë pronarët të jenë më të kujdesshëm me pronën e tyre.
“Kur duan të shesin pronën, ta kenë të pastër dhe ti kenë shlyer të gjitha detyrimet. Nuk është normale që do të marrësh para nga prona e shitur, por nuk do të paguash detyrimet që ke ndaj utiliteteve siç është energjia elektrike.”- shtoi ministri.
Në fund, ai saktësoi për mediat se thelbi i këtij ligji nuk është ky nen. “Ligji krijon platformën e duhur për të implementuar të gjithë ato reforma aq të rëndësishme në sektorin e energjisë dhe për vendin tonë.”- tha ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.