Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ende nuk e ka dekretuar Ligjin për Paga. Afat që ta bëjë këtë ka vetëm edhe sot. Të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend, presidenti mund ta shfrytëzojë vetëm një herë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kohë vetëm edhe sot që ta bëjë dekretimin e ligjit për paga.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, afati ligjor për dekretimin e një ligji nga ana e presidentit të Kosovës, është 8 ditë, e cila skadon sot. Ky ligj pas votimit në Kuvendin e Kosovës i është dërguar presidentit Thaçi për vendim.
Në zyrën e Presidentit të Kosovës, kanë treguar për Monitor.al se deri tash nuk është marrë vendimi për dekretim e këtij ligji.
Deri më tash shumë sindikata të cilat janë pjesë e ligjit të pagave kanë kërkuar nga presidenti që ky ligj të mos dekretohet.
Sa i përket pakënaqësive kjo është vërejtur me protestat të shumta dhe greva. Këto kanë vazhduar edhe ditëve të fundit, kur Sindikalistët e Shërbimit Korrektues mbajtën protestë.
Sindikalistët kërkuan që koeficienti i tyre të rritet nga 1.85 në 2.2 në mënyrë që të jenë të barabartë me policinë dhe zjarrfikësit. Pakënaqësi për Ligjin e Pagave kanë edhe Sindikata e Re e KEK-ut dhe Sindikata e Punëtorëve të Navigacionit Ajror. Drejtuesit e këtyre sindikatave kanë paralajmëruar se pritet të radikalizohen nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
Ligji për pagat ka kaluar në Kuvend më 2 shkurt, me 63 vota për dhe 1 abstenim. Nëse presidenti Thaçi nuk e dekreton, atëherë ligji i kthehet Kuvendit për rishqyrtim. Të drejtën e kthimit të një ligji, presidenti mund ta shfrytëzojë vetëm një herë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pati deklaruar se kjo është një fitore e drejtësisë në paga, dhe Ligjin e ka quajtur hap historik të Kosovës.
Po ashtu, Veseli ka thënë se pagat do të rriten për shumicën e punëtorëve në sektorin publik. Ndërkaq partitë opozitare kanë vlerësuar se ky ligj me mos votimin e amendamenteve të propozuara është ‘masakruar’.
Por presidenti Hashim Thaçi po qëndron indiferent ndaj këtij vendimi.
Ai në një konferencë për media është shprehur i shqetësuar për ankesat dhe pakënaqësitë e ligjit për paga.
“Sapo jam i informuar se kanë ardhur shumë ankesa, shumë shkresa në zyrën time, sa i përket Ligjit për Paga. Nuk jam i informuar në detaje, por pashë se janë dhjetëra ankesa dhe shkresa, të cilat në javën e ardhshme dhe brenda kornizave, zyra ligjore dhe autoritetet përkatëse këtu do t’i shqyrtojnë”, ka thënë Thaçi. .Monitor.al. http://www.monitor.al/ligji-per-pagat-ne-kosove-ne-duar-te-presidentit-ankesat-skane-te-ndalur/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.