Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kohë deri më datën 20 të këtij muaji që ta bëjë dekretimin e ligjit për paga. Sipas kushtetutës së Kosovës , afati ligjor për dekretimin e një ligji nga ana e presidentit të Kosovës, është 8 ditë, e tani kanë kaluar 4 ditë nga kur ky ligj ka arritur në presidencë.
Kanë kaluar rreth dy javë që kur në Kuvendin e Kosovës është votuar Ligji i Ri për Pagat. Por, nga atëherë e deri tani nuk janë ndalur pakënaqësitë për këtë ligj, ka pasur protesta e greva të shumta.
Ky ligj pas votimit në Kuvendin e Kosovës i është dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për dekretim. Ai po vazhdon ta mbajë në sirtar ligjin, duke mos i dhënë dritën jeshile.
Shumë sindikata të cilat janë pjesë e ligjit të pagave kanë bërë apel tek presidenti dhe avokati i popullit që ky ligj mos të dekretohet.
E sipas kushtetutës, afati ligjor për dekretimin e një ligji nga ana e presidentit të Kosovës, është 8 ditë. Thaçi për të menduar ka kohë deri me datën 20 të këtij muaji.
Njohës të Kushtetues së Kosovës në deklarime të ndryshme në media kanë bërë me dije se ligji mund të kthehet në Kuvend në rast se vendos presidenti.
Sipas tyre një gjë e tillë është procedurë eksplicite që mund të ndodhë në rastet kur ka pakënaqësi.
Kurse, Vjollca Shala nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK) ka treguar se pakënaqësitë ekzistojnë tek mësimdhënësit e ciklit të ulët ose klasor, të cilët kërkojnë të koeficienti i tyre të mos jetë për 15% më i vogël sesa i mësimdhënësve të ciklit të mesëm të ulët.
Sa i përket pakënaqësive kjo është vërejtur edhe ditëve të fundit me protestat dhe grevat.
Fillimisht Sindikalistët e Shërbimit Korrektues para dy ditëve mbajtën një protestë një orësh para Qeverisë së Kosovës si shenjë pakënaqësie me Ligjin e Pagave.
Sindikalistët kërkuan që koeficienti i tyre të rritet nga 1.85 në 2.2 në mënyrë që të jenë të barabartë me policinë dhe zjarrfikësit.
Pakënaqësi për Ligjin e Pagave kanë edhe Sindikata e Re e KEK-ut e Sindikata e Punëtorëve të Navigacionit Ajror.
SPERK, pas protestës së mbajtur para dy ditëve, ka konfirmuar se pritet të radikalizohen masat nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre. Ata thonë se do të futen në grevë.
Ndërsa të premten është pezulluar greva e punëtorëve të Navigacionit Ajror të cilët po ashtu kanë kërcënuar dhe kanë kushtëzuar punën me plotësimin e kushteve të tyre.
Ligji për pagat ka kaluar në Kuvend më 2 shkurt, me 63 vota për dhe 1 abstenim.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pati deklaruar se kjo është një fitore e drejtësisë në paga, dhe Ligjin e ka quajtur hap historik të Kosovës.
Po ashtu, Veseli ka thënë se pagat do të rriten për shumicën e punëtorëve në sektorin publik. Ndërkaq partitë opozitare kanë vlerësuar se ky ligj me mos votimin e amendamenteve të propozuara është ‘masakruar’.
Por presidenti Hashim Thaçi po qëndron indiferent ndaj këtij vendimi.
Ai në një konferencë për media është shprehur i shqetësuar për ankesat dhe pakënaqësitë e ligjit për paga.
“Sapo jam i informuar se kanë ardhur shumë ankesa, shumë shkresa në zyrën time, sa i përket Ligjit për Paga. Nuk jam i informuar në detaje, por pashë se janë dhjetëra ankesa dhe shkresa, të cilat në javën e ardhshme dhe brenda kornizave, zyra ligjore dhe autoritetet përkatëse këtu do t’i shqyrtojnë”, ka thënë Thaçi.
Mbetet të shihet në afatin ligjor të paraparë nëse ky ligj do të dekretohet nga presidenti ose do t’i kthehet përsëri Kuvendit për rishqyrtim. /Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.