Ligji i ri i falimentit, çfarë ndodh nga 23 maji

14/05/2017 8:05 AM 0 komente
Ligji i ri per falimentin

Ligji shqiptar për falimentimin Nr. 8901, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 23 maj 2002, zëvendësoi ligjin e mëparshëm, Nr. 8017, (datë 25.10.1995 “Për procedurat e falimentimit”), i cili trajtonte gjendjen e paaftësisë paguese në Shqipëri. Ligji i ri hyn në fuqi në 23 maj.
Gjatë 6 viteve të ekzistencës së ligjit Nr. 8017, nuk ka pasur as raste të regjistruara dhe as depozitime kërkesash për fillim të procedurave të falimentimit. Ligji ekzistues ishte një model gjerman, i bërë në vitin 1994 dhe nuk zgjidhte pothuajse asnjë çështje.

Akte të tjera ligjore, si për shembull: Kapitulli XIX i Kodit Civil, parashikonte një sistem vullnetar të likuidimit, që përdorej vetëm në situata të kufizuara. Nenet 190 – 205 të Ligjit Nr. 9901, datë 14 prill 2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” (Ligji i Shoqërive) trajtonin likuidimin me urdhër të gjykatës të shoqërive aksionare dhe atyre me përgjegjësi të kufizuar. Ligji Nr. 7850, datë 29 korrik 1994, përmbante vetëm disa dispozita, të cilat përcaktonin të drejtat e kreditorëve të një shoqërie në gjendje paaftësie paguese. Këto dhe mekanizma të tjerë ishin krijuar për prishjen e shoqërive (ose me fjalë të tjera për t’i dhënë fund ekzistencës së tyre), në shumicën e rasteve, kur nuk ekziston asnjë çështje që përfshin pretendimet konfliktuale të kreditorëve të ndryshëm. Për më tepër, ato nuk ishin projektuar për të lehtësuar rehabilitimin e shoqërisë ose riorganizimin, kur një mundësi e tillë është e mundshme nga pikëpamja tregtare.

Edhe pse falimentimi është rregulluar për herë të parë në Shqipëri në vitin 1992, me ligjin nr. 7631 “Mbi falimentimin e ndërmarrjeve shtetërore”, ligji nuk kishte vlerat që kanë sot legjislacionet moderne të falimentimit dhe misioni i tij ishte i përkohshëm. Ai ia “la vendin” ligjit nr. 8017, datë 25.10.1995 “Për procedurat e falimentimit”, që përshtatej me kushtet ekonomike dhe politike të Shqipërisë në atë kohë, kur ekonomia e tregut ishte në fillesat e saj, me rregulla ende të pastabilizuara, si dhe ekonomitë private ishin në hapat e tyre të parë dhe tepër të brishta.
Me zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe vendosjes së rregullave të qarta në lojën e kësaj ekonomie, lindi nevoja edhe e një ligji të ri, që të pasqyronte këtë situatë dhe të përshtatej më mirë me të. Kështu miratohet ligji aktual i Falimentimit, ligji nr. 8901, datë 23.05.2002 “Për Falimentimin”, ndryshuar dhe shtuar me ligjin nr. 9919, datë 19.05. 2008 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8901, datë 23.05.2002 “Për Falimentimin”.

Kohë e ndryshuar…

Një ekspert i IFC-së, anëtar i Grupit të Bankës Botërore, u angazhua të mbështesë përgatitjen e një ligji krejtësisht të ri mbi falimentimin në Shqipëri, për gati tre vjet. Përveç kësaj, katër ekspertë të lartë shqiptarë, në fushën e shkencave juridike dhe ekonomike, u bënë pjesë e projektit, sipas marrëveshjes së konsulencës me Ministrinë e Drejtësisë prej 23 prillit të vitit 2014. Pas një analize të plotë, një raporti diagnostikues dhe një përmbledhje të kuadrit ligjor institucional për falimentin, grupi i punës konsultoi legjislacionin respektiv. Shtatë versionet e draftligjit janë marrë në konsideratë vetëm gjatë periudhës janar-dhjetor 2015.

Arben Isaraj, zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë është lakonik kur thotë se “…jemi konsultuar shpesh dhe gjatë, me çdo aktor e faktor dhe kemi ‘peshuar’ me seriozitet e pjekuri profesionale dhe njerëzore çdo shfuqizim, ndryshim apo risi të fushës, kemi përpara një produkt ligjor, serioz, profesional dhe modern, që do të ndikojë direkt në përmirësimin e problemeve e shqetësimeve të fushës së falimentimit në Shqipëri”.
Z. Isaraj nuk gjykon se gjithçka ka përfunduar këtu, pra me hartimin e këtij ligji. Ai thotë se: “Ministria e Drejtësisë, është e hapur dhe mirëpret propozime për akte të reja ligjore dhe nënligjore në lidhje me sistemin gjyqësor, sistemin e ekzekutimeve të vendimeve dhe titujve, sistemin e shërbimeve të lira juridiko-profesionale, si dhe me çdo fushë të drejtësisë dhe kompetencës së saj ligjore”.
Igor Matijevic, drejtues i projektit të IFC-së në fjalë thotë se miratimi i një ligji të ri u pa si kusht për zbatimin efektiv të procedurës së paaftësisë paguesve të kompanive. Sipas tij, “projekti synonte një procedurë më të shpejtë dhe më efikase të falimentimit, si dhe një mbrojtje më të mirë të të drejtave të kreditorëve, të siguruara ose jo”.

Sipas Matijevic, miratimi i ligjit u parapri nga një vëllim pune të madhe në bazë dhe të përgatitjes së një Letre Hyrëse, e cila shoqëroi projektligjin duke shpjeguar zgjidhjet e propozuara dhe se si këto lidhen me problemet e rëndësishme të sistemit aktual. “Ka pasur mbi 36 tryeza të rrumbullakëta dhe seminare, me komunitetin ligjor dhe të biznesit, me qëllim identifikimin e çështjeve në zbatim dhe pengesave të procedurës së falimentimit në Shqipëri, si dhe për të shqyrtuar nevojat e veçanta dhe dispozitat që duhen përfshirë, për të siguruar funksionalitetin e ligjit të falimentimit”, tha drejtuesi i projektit.

Si rezultat i një qasjeje të tillë, ligji i ri ndjek praktikën më të mirë deri më sot dhe përfshin procedurë të thjeshtuar për NVM-të, procedurë të përshpejtuar të ristrukturimit (para-paketat), si dhe karakteristika të tjera që e bëjnë ligjin më të thjeshtë në administrim dhe më efikas. Të gjitha këto aktivitete janë mbështetur financiarisht nga Zvicra (Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike, SECO), saktëson z. Matijeviç.

Philipp Keller, zëvendësambasador i Zvicrës në Shqipëri, thotë se “një regjim i mirë i falimentimit duhet të sigurojë një mënyrë efikase dhe efektive për të rehabilituar, për të shëruar dhe për të kthyer aktivitetin e biznesit në produktivitet. Kjo e bën ekonominë e përgjithshme më të qëndrueshme dhe produktive. Ne jemi shumë të kënaqur që ligji i ri për falimentimin është përpunuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe me kontributin e të gjithë aktorëve përkatës. Një konsultim i plotë çon në ligje më të mira dhe lehtëson zbatimin e tyre më vonë. Zvicra është e përkushtuar të vazhdojë mbështetjen e saj dhe të trajnojë palët e përfshira në zbatimin e regjimit të ri të falimentimit.”

Çfarë qëllimi ka ky ligj i ri?

Qëllimi i ligjit të ri, sipas ekspertëve vendas dhe të huaj, është të caktojë rregulla të detyrueshme, të njëjta dhe të barabarta, si dhe të lehtësojë zgjidhjen dhe shlyerjen e detyrimeve të debitorit brenda dhe/ose jashtë procedurës së falimentimit.
Një nga ekspertët ndërkombëtarë që ka punuar për ligjin e ri, z. Andres Federico Martinez (specialist i Sektorit Financiar) thotë me pak fjalë: “Kompanitë në gjendje të vështirë financiare, gjejnë tek ligji i ri praktikat më të mira për t’u rehabilituar financiarisht”.
“Ka mënyra moderne për të mbrojtur mirëbesimin e debitorëve, bizneset e të cilëve janë në vështirësi, por në të njëjtën kohë, keqbesimi në këtë rast e bën të vështirë pagimin e borxheve të tyre”, – thotë gjithashtu Martinez.

“Ndonëse në Shqipëri ekziston një legjislacion ‘për falimentimin’ që nga viti 1992, rastet e trajtuara në gjykatë janë minimale”- thotë prof. dr. Vangjel Kosta, ekspert i lartë, që ka punuar për ligjin e ri.

Sipas z. Kosta, arsyet e kësaj gjendjeje shpjegohen me faktin se “procedurat e falimentimit nuk zbatoheshin për shkak të vështirësisë së terminologjisë së ligjit të falimentimit”, se ka pasur “procedura të zgjatura gjyqësore dhe mungesë të inkurajimit të debitorëve që ata vetë të kërkonin hapjen e procedurave të falimentimit, në rastet kur biznesi i tyre ishte në situatë “falimentimi”, nënvizon z. Kosta.
Po çfarë e bën të dallueshëm ligjin e ri? Z. Kosta thotë se, përpos një procedure falimentimi me mekanizma të thjeshtuar, modernizimi dhe përqasja e procedurave të falimentimit tashmë është arritur nëpërmjet zbatimit të “Rekomandimit të Komisionit Europian të muajit mars 2014, proces të cilit po i nënshtrohen të gjitha vendet e Bashkimit Europian, duke përfshirë edhe falimentimin ndërkufitar, sipas ligjit Model UNCITRAL (është njohur si organi kryesor ligjor i sistemit të Kombeve të Bashkuara në fushën e së drejtës ndërkombëtare të tregtisë)”.
Qëllimi është i thjeshtë: “Garantimi i vazhdimësisë së administrimit nga debitori, në mënyrë që të stimulohet përdorimi i procedurave të falimentimit për të rritur mundësitë e ripërtëritjes, të kapërcimit të gjendjes së paaftësisë paguese, si dhe të suksesit në shlyerjen kolektive të detyrimeve”, – thotë z. Kosta.

“Elementi kryesor që përcakton klimën e të bërit biznes në vend nuk është vetëm lehtësia me të cilën bizneset futen në sistemin ekonomik të një vendi, lehtësia e krijimit dhe themelimit të tyre, por është dhe lehtësia për të dalë nga biznesi. Shpeshherë, vendet përpiqen të përmirësojnë klimën e biznesit në hyrje, duke krijuar një lloj ‘burgu’, sepse firmat e kanë të vështirë të dalin nga sipërmarrja. Normalisht, një klimë e përshtatshme për sipërmarrjen është ajo që e bën po kaq të thjeshtë edhe daljen prej saj në mënyrë që ky proces të mos jetë me kosto të mëdha”, – ka thënë për median, z. Selami Xhepa, profesor i njohur i ekonomisë.

“Qytetarët në sistemin e kapitalizmit kanë interes dhe dëshirë të eksperimentojnë me kosto sa më të ulëta, në mënyrë që të provojnë suksesin e tyre, duke bërë që çmimi i dështimit të mos jetë penalizues. Në këtë kuptim, ndryshimet që kanë ndodhur në ligjin për falimentin janë në vazhdën e reformave për të përmirësuar klimën e biznesit në vend, dhe ky është edhe një nga elementet më thelbësore të legjislacionit”, thotë Xhepa, duke komentuar ligjin e ri të falimentit.

Për Xhepën është i pashmangshëm zinxhiri i problemeve që një kompani e dështuar jep në ekonomi. Infeksioni shkon që nga palët e lidhura, që janë punonjësit, bizneset me të cilat kryen shërbime e deri te bankat, të cilat janë sektori më i rëndësishëm i sistemit financiar. “Fakti që ligji i deritanishëm ka qenë jashtëzakonisht kompleks, sepse është përpjekur të imitojë dhe zbatojë direktivat e Bashkimit Europian, e pati bërë legjislacionin shqiptar që të mos ishte shumë i zbatueshëm. Një sërë çështjesh që janë krijuar nga keqfunksionimi i ekonomisë së sotme kanë bërë që në shumë raste, marrëdhëniet midis debitorëve, kreditorëve, pra sipërmarrësve dhe pjesës tjetër të ekonomisë, të krijojnë probleme duke ndikuar në gjithë zinxhirin e debive apo kredive të këqija, në veçanti në sistemin bankar.” shton eksperti.

Risitë e ligjit të ri…

Ligji aktual ndjek versionin fillestar të ligjit gjerman të vitit 1994, me pak ose aspak përshtatje me kushtet e vendit tonë.
Problemi i kredive me probleme është konsideruar si një problem shqetësues për Shqipërinë. Edhe pse vendi ynë nuk vuajti menjëherë pasojat e krizës globale financiare dhe krizës në euro, niveli i kredive me probleme u rrit në mënyrë të qëndrueshme. Një pjesë e madhe e kredive me probleme është e kolateralizuar me pasuri të patundshme dhe është e koncentruar kryesisht në sektorin e ndërtimit. Ky problem është evidentuar edhe nga FMN-ja dhe Banka Botërore si një nga problemet më kryesore me të cilën përballej vendi. Ministria e Drejtësisë u caktua institucioni përgjegjës për hartimin e një ligji të ri për falimentimin. Ky institucion përcaktoi pa ekuivok se “procedura e falimentimit të shlyejë, në mënyrë kolektive, detyrimet e debitorit nëpërmjet likuidimit të të gjitha pasurive të tij dhe shpërndarjes së të ardhurave, ose nëpërmjet riorganizimit ose arritjes së një marrëveshjeje tjetër të re, me synim kryesor ruajtjen e veprimtarisë së debitorit”.

Një ligj me procedura të qarta ndihmon në arritjen e këtij qëllimi. Që mund të realizohet nëpërmjet:
a) likuidimit, b) riorganizimit, c) ristrukturimit të borxhit për konsumatorët me të ardhura të rregullta,
ç) ristrukturimit të borxhit për subjektet tregtare përmes marrëveshjeve jashtëgjyqësore, të miratuara nga gjykata e falimentimit. Çdo debitori të ndershëm, nëpërmjet procedurës së falimentimit, i jepet mundësia të shkarkohet nga pjesa e mbetur e detyrimeve.
Ligji parashikon zgjerimin e diametrit të rrethit të subjekteve, tek të cilët shtrin efektet e veta falimentimi ku përfshihen: personat fizikë (të tillë si individë, konsumatorë apo tregtarë); personat juridikë (të tillë si, personat juridikë privatë dhe publikë, fitimprurës dhe jofitimprurës); si dhe njësitë
administrative vendore.

Lidhur me rrethin e veprimtarive me interes të publikut, parashikohet që këto subjekte t’u nënshtrohen rregullave të përgjithshme të falimentimit, kur falimentimi rregullohet nga ligjet e posaçme, duke mbetur në këtë pikë në parashikimet që ka edhe ligji ekzistues, duke parashikuar që ky rregullim të ndikojë mbi subjektet që ushtrojnë veprimtari në interes publik, vetëm për sa kohë ato janë të licencuar për kryerjen e këtyre veprimtarive.

Ligji i ri hyn në funksionim edhe në rast se ligjet e posaçme, që rregullojnë sektorët publikë apo strategjikë, nuk parashikojnë rregullat e falimentimit. Çdo subjekt, ka të drejtë të kërkojë hapjen e procedurës së falimentimit, vetëm pasi të marrë lejen paraprake nga autoriteti rregullator përkatës.

Tashmë si anëtarë të komitetit të kreditorëve mund të emërohen edhe persona që nuk janë kreditorë, por përfaqësues të një autoriteti rregullator, në rastet kur debitori ushtron veprimtari në sektorin e interesit publik të tillë që kontrollohet prej tij.
Kompetencat dhe procedurat e vendimmarrjes së gjykatës janë qartësuar, duke e bërë më fleksibël dhe të shpejtë ndërhyrjen e gjykatës, nëpërmjet vendimeve apo urdhrave që jepen vetëm me bazë konsultimi mbi aktet, pa nevojën e një seance dëgjimore të detyrueshme.
Subjektet monitoruese, që kanë të drejtën të jenë të mirinformuara lidhur me procedurat e falimentimit, mbeten jo vetëm në kuadrin e AMF-së, të Gjykatës së Falimentimit, të mbikëqyrësit, apo të kujdestarit, (siç është në ligjin ekzistues), por shtohet edhe roli i Prokurorisë, i Kontrollit të Lartë të Shtetit apo i autoriteteve mbikëqyrëse të sektorëve të ndryshëm me interes publik. Roli i këtyre subjekteve lidhet me marrjen dijeni apo verifikimin e dokumenteve, vendimeve gjyqësore, të planit të riorganizimit, ristrukturimit të borxheve apo të transfertave të tre viteve të fundit të subjektit para falimentimit. Kjo me qëllim shmangien e abuzimit apo mashtrimit me procedurat e falimentimit.
Roli dhe pozita e AMF-së lidhet ngushtë me mundësinë e zgjerimit të spektrit të subjekteve kontrollues dhe mbikëqyrës, të aktorëve të rinj pjesëmarrës, që do të bëjnë kujdes për të kontrolluar jo thjesht procedurën e falimentit, por në mënyrë të veçantë do të mbikëqyrin rastet që lidhen me abuzimin dhe mashtrimin në faliment. “… AMF kërkon të paktën një raportim në çdo 3 muaj nga ana e administratorit të falimentimit, një kopje të të cilit ia dërgon edhe Gjykatës së Falimentimit”.

Ligji aktual parashikon mbylljen ose mosfillimin e procedurës së falimentimit dhe çregjistrimin nga regjistri kombëtar të debitorit, i cili nuk ka mjetet e mjaftueshme për të mbuluar kostot e procedurës së falimentimit. Ky rregullim krijon mundësi të mëdha për skema mashtrimi nëpërmjet falimentimit.
Lidhur me çështjet e kostove apo të shpenzimeve të falimentimit, të cilat figurojnë si një nga pengesat që bllokojnë procedurën kur subjekti ka paaftësi paguese, ligji parashikon krijimin e një depozite garancie për të mbuluar këto shpenzime. Kjo depozitë parashikohet të krijohet si një fond i posaçëm nga subjektet tregtare apo sipërmarrësit pas vitit të tretë të veprimtarisë së tyre dhe depozitohet në bankë në emër të tyre, me kusht që depozituesi rifiton të drejtën e përdorimit të saj në rastin kur e mbyll veprimtarinë e vet me anë të likuidimit.
Ligji parashikon një mundësi që një fond publik të menaxhohet nga AMF-ja dhe të shmangë bllokimin e procedurave për shkak të dorëheqjes së administratorit apo të refuzimit të detyrës prej tij. Parashikimi i riskut të falimentimit që në zanafillën e një aktiviteti tregtar nuk e step atë, por e bën më realist.

Meqenëse, nga pikëpamja ekonomike, një biznesi i duhet të paktën tre vjet të kuptojë nëse po operon me sukses apo jo, ligji i jep mundësi subjekteve tregtare që të shohin nëse kurba e fitimit të tyre vjen drejt shifrave pozitive pas tre vitesh. Në të kundërt, ata mund të kalojnë në likuidim kur konstatojnë se nuk janë të suksesshëm pa e çuar gjendjen e tyre financiare drejt falimentimit.

Lidhur me administratorin, ligji qartëson rolet mbikëqyrëse gjatë procedurës së falimentimit. Janë tri lloje administratorësh: administratori i falimentit, administratori i përkohshëm i falimentimit dhe administratori mbikëqyrës, të cilët kanë të njëjtin status dhe të njëjtat kritere përzgjedhëse, por që marrin rolet sipas momentit kohor kur veprojnë apo specifikave të rolit që përmbushin.
Krahas administratorit të falimentimit, draftligji parashikon edhe rolin e kujdestarit, të kujdestarit të trashëgimisë, apo të ekzekutorit të falimentit, të cilët janë subjekte që njihen e trajtohen edhe jashtë procedurës së falimentimit, nga Kodi Civil.
Nga pikëpamja procedurale, ligji i falimentimit preferohet si i vetmi ligj që rregullon këtë procedurë në raport me ligjin mbi tatimet dhe taksat. Ky rregullim shoqërohet me rishikim të legjislacionit mbi tatimet dhe taksat, shfuqizon nenin 104, të ligjit Nr.9920, datë 19.5.2008, i ndryshuar “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Ligji sjell një grup dispozitash që parashikojnë krahas riorganizimit edhe ristrukturimin e borxhit, si pjesë e një zgjidhje jashtëgjyqësore përmes alternativave të zgjidhjes së konflikteve, duke arritur në një marrëveshje që duhet të miratohet nga gjykata.
Për herë të parë në historinë e legjislacionit për falimentimin që është miratuar pas viteve ’90, tanimë ka disa dispozita që parashikojnë një radhë të posaçme preferimi për shlyerjen e detyrimeve para dhe pas rishpërndarjes. Një ndryshim rrënjësor është ai që parashikon se radha e preferimit e parashikuar në nenin 605, të Kodit Civil, nuk është e përshtatshme për t’u përdorur në kontekstin modern të falimentimit.
Për këtë arsye, parashikohet detyrimi që, përpara se të fillojë shlyerja e pretendimeve të kreditorëve sipas radhës së preferimit, të veçohen fillimisht shpenzimet e procedurës së falimentimit.

Ka një nen të ri me një radhë preferimi, ku parashikohet radha e shpërndarjes së pasurisë, duke u nisur fillimisht nga pretendimet e siguruara deri në vlerën e pronës që shërben si garanci. Pas kësaj, radhiten pretendimet prioritare, ku përfshihen: a) pretendimet që rrjedhin nga ndërprerja e kontratës së punësimit deri në 3 muaj përpara paraqitjes së kërkesës për falimentim, duke përfshirë pagat dhe rimbursimet shëndetësore, pagesat e lejes së lindjes, të cilat nuk kalojnë shumën 500 mijë lekë në total;
b) pretendimet për mbështetje dhe mirëmbajtje që lindin përpara fillimit të procedurës së falimentimit, kur debitori është një individ; c) pretendimet e punonjësve të debitorit për dëme shëndeti të shkaktuara gjatë punës; d) pretendimet për veprime të padrejta që rrjedhin si pasojë e dëmit të shkaktuar ndaj jetës ose shëndetit nga debitori përpara fillimit së procedurës së falimentimit; e) pretendimet për taksat e papaguara një vit përpara paraqitjes së kërkesës për fillimin e procedurës së falimentimit.

Në rastin e abuzimeve me procedurën e falimentimit, do të ketë përgjegjësi administrative, ndërsa ato penale të parashikohen vetëm në Kodin Penal.
Falimenti ndërkufitar parashikohet në një kapitull më vete, me objektiv strategjik që adoptimi i ligjit model të UNCITRAL-it mbi procedimet e paaftësisë paguese ndërkufitare të dërgojë sinjal të fortë besueshmërie tek investitorët e huaj në kërkim të niveleve më të larta të parashikueshmërisë në sistemin shqiptar të falimentimit.

Ky ligj është i një rëndësie të veçantë, sidomos në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit, pa të cilat bizneset nuk mund të funksionojnë. Pikërisht këto të fundit kanë pasur të nevojshme futjen e mekanizmave të thjeshtuara dhe moderne për të hapur procedurat e falimentimit; një model ku debitori të vazhdojë të ushtrojë biznesin (nën mbikëqyrjen e duhur), ku pjesëmarrja e kreditorëve të racionalizohet; ku të modernizohet procedura e riorganizimit gjyqësor; të rritet rëndësia e shitjes së një biznesi si dhe të thjeshtohet sistemi, duke shmangur edhe transaksionet. Këto kërkonte biznesi! Këto janë edhe një pjesë e risive që ofron ligji i ri.

Faliment 2Çfarë zgjidhjesh sjellim?

“Falimenti shihet si një fenomen negativ, si një lloj ‘vdekjeje civile’, por në fakt nuk është kështu, mund të shihet edhe si një fillim i ri. Duhet kurajë për të pranuar se diçka nuk shkon me planin e biznesit. E pikërisht një nga pjesët e falimentit është riorganizimi, që mund të krahasohet me reanimacionin në rastin e një personi të sëmurë. Në tregun shqiptar ka tentativa për të bërë atë që quhet “ristrukturim borxhi”, dikush shet debinë, një tjetër investon me “para të reja”, blen kapitale, aksione etj., dhe jep një fillim të ri, pra vështirësitë financiare në shlyerjen e borxheve, nuk shoqërohen me dalje në treg, – thotë prof. dr. Mariana Semini, eksperte, anëtare e grupit të punës për hartimin e ligjit.

“Ajo që na bëri përshtypje, ka të bëjë me faktin se ligji i falimentimit është një ligj që herë pas here amendohet edhe në eksperiencën e vendeve të tjera më të zhvilluara, si në Gjermani, SHBA, Itali, Kanada, por edhe të vendeve të Amerikës Latine. Grupi i ekspertëve lokalë u asistua edhe nga ekspertët ndërkombëtarë që na ofruan përvojën e tyre”, shton znj. Semini.

“Kjo punë, ky ligj i ri, ky produkt i përbashkët, a është ‘arti’ i duhur për t’i bërë problemet e fushës së falimentimit aq interesante, si dhe zgjidhjet e tyre aq konstruktive, sa që secili nga ne, aktor dhe faktor qoftë, dëshiron t’i vishet punës dhe të merret që tani me to?”- shtron me të drejtë pyetjen zëvendësministri i Drejtësisë. Ai e ka një përgjigje edhe për këtë: “Këtë do të na e tregojë bashkëbisedimi ynë i vazhdueshëm me cilindo qoftë që është i interesuar për përmirësime të mëtejshme”, ndërsa shton se “na nevojitet ky bashkëpunim dhe bashkëbisedim, pasi shumica e mospajtimeve tona vijnë edhe nga keqkuptimet”.

“Sikur ta dëgjonim më shpesh njëri-tjetrin, produktet tona do të ishin të gjithëpranuara, si ky ligj”, – nënvizon numri dy i Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë.
Pritet që, shumë shpejt, ligji i ri të shoqërohet edhe me aktet e nevojshme ligjore dhe nënligjore dhe të jetë efektiv brenda muajit maj të këtij viti.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz