Ligji i ri i Falimentit do të hyjë në fuqi në datë 27 maj. Në këtë kohë përfundon edhe periudha tranzitore që është lënë në dispozicion të të gjitha palave për t’u njohur dhe për t’u familjarizuar me këtë ligj i cili vlerësohet si shumë i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Juristët thonë së zbatimi i këtij ligji do të jetë i rëndësishëm për t’u kthyer frymëmarrjen bizneseve, si dhe për t’u dhënë fund ngërçeve që shkaktohen sot nga zbatimi i tij.
Sipas juristëve, një nga rreziqet kryesore të periudhës së post–miratimit të ligjit për falimentimin është krijimi i praktikave dhe standardeve të ndryshme procedurale nga gjykata kompetente për të njëjtën periudhë kohore për shoqëri të ndryshme debitore. Ata thonë se aktualisht ka një numër të madh shoqërish që janë në procedura falimentimi pranë gjykatave shqiptare. Me miratimin e ligjit të ri, procedura e falimentimit për shoqëritë që janë në proces (për shembull shoqëritë që kanë kërkuar hapjen e procedurës në shtator 2015 – nëntor 2016) do të vijojë sipas ligjit të shfuqizuar, ndërsa për shoqëritë, të cilat kërkesën e depozitojnë me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, procedurat do të zbatohen sipas ligjit të ri. Neni 210 i ligjit të ri parashikon: “‘Procedurat në vazhdim’ – Ky ligj nuk ka fuqi prapavepruese dhe rregullon vetëm procedurat e nisura pas hyrjes së tij në fuqi.”. Është një zgjidhje e ofruar në kuadër të parimit të sigurisë juridike (mosndryshimit të rregullave të lojës kur loja ka filluar) por që në realitet, do të sjellë aplikimin e dy ligjeve në të njëjtën kohë. Më konkretisht, një gjyqtar që duhet të udhëheqë një procedurë falimentimi të nisur para hyrjes në fuqi të ligjit të ri, duhet të zbatojë procedurat e ligjit të shfuqizuar. Po ky gjyqtar, nëse duhet të udhëheqë një procedurë falimentimi të hapur pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, duhet të zbatojë ligjin e ri.
Juristët thonë se mangësitë e ligjit të ri, duke e krahasuar me legjislacionin e vendeve të zhvilluara, u referohen debitorëve si person fizik. Nëse për personin juridik ka disa garanci të shtuara, për personin fizik nuk përcaktohet asnjë procedurë që lidhet me bërjen publike të debive të pasigurta të tyre si në rastet e faturave të larta mjekësore, përdorimi pa kontroll i kartave të kredive konsumatore, blerjeve me këste. Këto procedura në legjislacione të vendeve të zhvilluara janë të përcaktuara në detaje dhe përkojnë me qëllimin që një procedurë falimentimi të përfshijë dhe faljen e debive të tilla të pasigurta.
Sipas tyre, në lidhje me personin juridik, ligji i ri nuk ofron garanci të forta procedurale në lidhje me disponimin e pasurive të debitorit, në rastet e kredive të këqija. Vetë titulli i nenit 60, për shembull, lë mundësi për konfuzion. Titulli parashikon: Efektet mbi të drejtat e debitorëve në administrimin dhe disponimin e pasurive të falimentuara”. Vetë shprehja ‘disponimi i pasurive të falimentuara’ nënkupton që kufizimet, të cilave ligji i referohet, të zbatohen pas mbylljes së procedurës së falimentimit. Referimi i një pasurie si e ‘falimentuar’ përpara se të mbyllet procedura e falimentimit bie ndesh me parimet e tjera të procedurës së falimentimit siç është parimi i eficencës. Nga njëra anë, debitori në një procedurë falimentimi, duhet të sigurojë mënyra lehtësimi të pamundësisë financiare dhe riorganizim të biznesit, dhe nga ana tjetër, kreditori, në rastin e një banke, ka nevojë që të sigurohet në mënyrë të shpejtë për shlyerjen e çdo detyrimi ose në mungesë të saj, përfitimin e shlyerjes nëpërmjet kompensimit me vlerë tregu të pasurive.
Shtohen rastet në gjykatë
Numri i bizneseve që kanë paraqitur kërkesë në Gjykatën e Tiranës për të nisur procedurat e falimentimit ka ardhur në rritje.
Deri tani, statistikat zyrtare flasin për 30 raste, nga të cilat 7 janë të reja (të nisura në 2 muaj) dhe pjesa tjetër të mbartura nga viti i kaluar.
Të paktën në dy vitet e fundit, numri i bizneseve që kanë filluar procedurat e falimentit është në rritje. Në vitin 2014 ishin 22 kompani që kërkuan hapje procesi në gjykatë, ndërsa në 2015-n, numri shkoi në 64.
Në total, numri i çështjeve civile në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë llogaritet në 6.835 nga të cilat 1,533 deri tani janë të reja.
Duke u gjykuar, në proces falimenti janë emra të njohur kompanish që u përkasin fushave të ndryshme, të tilla si: Volalba (për të cilën ka nisur shpërndarja e detyrimeve ndaj kreditorëve, si dhe është marrë vendimi për procedimin e ankandit të tretë për shitjen me pjesë); Belle Air (në proces dhënie informacioni për inventarizimin e aseteve); por edhe shoqërive të tjera si Arbi -D, AGC-Retail, Valsir etj.
Procedura e falimentit realizohet përmes:
-likuidimit
-riorganizimit
-ristrukturimit të borxhit për konsumatorët me të ardhura të rregullta
-ristrukturimit të borxhit për subjektet tregtare përmes marrëveshjeve jashtëgjyqësore, të miratuara nga Gjykata e Falimentimit.
Kufijtë e zbatimit të ligjit për falimentin
-Ndaj çdo debitori, person fizik dhe juridik
-Edhe pas prishjes së personit juridik që ende nuk është likuiduar
-Ndaj shoqërive tregtare, të thjeshta, sipërmarrëse, tregtarëve si persona fizikë dhe individë, konsumatorë
-Ndaj shoqërive me kapital publik ose shtetëror, të organizuara si person juridik privat
-Ndaj subjektit që ushtron veprimtari në një sektor publik kur i është hequr licenca, ose nëse nuk rregullohet me ligj tjetër
-Nuk zbatohet për shoqëritë e sigurimit, banka, institucionet që grumbullojnë depozita nga publiku, institucionet financiare
-Nuk mund të fillojë ndaj subjekteve publike, objekt i së drejtës administrative
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.