Qeveri shqiptare ka përcaktuar kriteret dhe procedurat për varrezat private, të cilat ngrihen nga subjekte private, mbi troje në pronësi të tyre ose në troje në pronësi shtetërore, a të njësisë bazë të qeverisjes vendore, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke i hapur kështu rrugë një biznesi të ri.
Sipas kritereve, ngritja e varrezave private bëhet me miratimin e këshillit të njësisë bazë të qeverisjes vendore dhe/ose të Këshillit të Ministrave.
Propozimet e subjekteve private për ngritjen e varrezave private, mbi troje në pronësi të tyre ose në troje në pronësi shtetërore, a të njësisë bazë të qeverisjes vendore, shqyrtohen nga administrata e njësisë bazë të qeverisjes vendore ose e ministrisë përgjegjëse për çështjet e zhvillimit urban, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga data e depozitimit të tyre. Për këtë qëllim ngrihet komisioni për shqyrtimin e kërkesave për ngritjen e varrezave private, i cili ka detyrë shqyrtimin e propozimeve, përgatitjen e komenteve dhe analizave për titullarin e institucionit, hartimin e projektakteve, sipas rastit dhe nevojës, si dhe negocimin dhe përgatitjen për nënshkrim të marrëveshjes për ngritjen dhe funksionimin e varrezës private. Ky komision funksionon deri në përfundim të procedurës.
Komisioni verifikon propozimin, bazuar në ligjin nr. 9220, datë 15.4.2004, “Për administrimin e shërbimit të varrimit”, të ndryshuar, në rregulloren “Për administrimin dhe funksionimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”, miratuar me vendimin nr. 711, datë 29.10.2014, të Këshillit të Ministrave, dhe në rregulloren “Për projektimin dhe ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”, miratuar me vendimin nr. 712, datë 29.10.2014, të Këshillit të Ministrave.
Komisioni kontrollon dhe evidenton përputhshmërinë edhe me strategjinë e zhvillimit territorial rajonal të vendit, planet e përgjithshme vendore, si dhe, në rast se zhvillimi i projektit kërkon ndërhyrje dhe reflektim në këto dokumente, propozon hapat dhe rrugën ligjore për përputhshmërinë e tyre.
Kur propozimi plotëson kushtet sipas ligjit nr. 9220, datë 15.4.2004, “Për administrimin e shërbimit të varrimit”, të ndryshuar, dhe rregullave të miratuara me vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 29.10.2014, “Për miratimin e rregullores “Për administrimin dhe funksionimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë””, dhe nr. 712, datë 29.10.2014, “Për miratimin e rregullores teknike “Për projektimin dhe ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë””, kryetari i njësisë bazë të qeverisjes vendore ose, sipas rastit, ministri përgjegjës për çështjet e zhvillimit urban i dërgon për miratim, sipas rastit, këshillit të njësisë bazë të qeverisjes vendore ose Këshillit të Ministrave projektvendimin për ngritjen e varrezës private dhe autorizimin e kryetarit të njësisë, ose, sipas rastit, ministrit për negociimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes me subjektin privat. Në rastet kur propozimi parashikon ngritjen e varrezës në truall në pronësi shtetërore ose të njësisë bazë të qeverisjes vendore, vendimi duhet të përmbajë dhe dispozitën për kalimin e truallit në përdorim të subjektit privat dhe administrimin e tij sipas marrëveshjes.
Subjekti privat ushtron veprimtarinë e tij në bazë të marrëveshjes së lidhur, sipas rastit, me kryetarin e njësisë së qeverisjes vendore ose ministrin përgjegjës për çështjet e planifikimit urban, në përputhje me ligjin nr. 9220, datë 15.4.2004, “Për administrimin e shërbimit të varrimit”, të ndryshuar, dhe rregullat e miratuara me vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 29.10.2014, “Për miratimin e rregullores “Për administrimin dhe funksionimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë””, dhe nr. 712, datë 29.10.2014, “Për miratimin e rregullores teknike “Për projektimin dhe ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë””.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.