Rrjeti social LinkedIn do të bllokohet në Rusi, pasi një gjykatë pretendon se shoqëria ka shkelur ligjet vendase për ruajtjen e të dhënave.
Autoriteti Rregullator i Komunikimit në Rusi, Roskomnadzor, tha se LinkedIn brenda 24 orëve nuk do të jetë më i disponueshëm.
Disa kompani interneti e kanë ndërprerë tashmë aksesin në këtë faqe, që ka më shumë se 6 milionë përdorues në Rusi.
LinkedIn tha për BBC se shpreson të nisë bisedimet me përfaqësuesit e Roskomnadzor për të diskutuar mbi bllokimin.
Në vitin 2014, Rusia miratoi një ligj në të cilin u kërkon rrjeteve sociale të ruajnë të dhënat personale të qytetarëve rusë në serverët rusë.
Është hera e parë që ligji zbatohet kundër një rrjeti social me bazë në SHBA.
Analizë nga Sarah Rainsford, korrespondente e BBC në Moskë
Kremlini thotë se nuk ka asnjë gjë për t’u shqetësuar, por përdoruesit rusë të rrjeteve sociale tremben se bllokimi i LinkedIn është vetëm hapi i parë.
Shumë besojnë se ndalimi i LinkedIn lidhet me censurën e kontrollin dhe jo me ruajtjen e të dhënave. Ata janë të shqetësuar se të njëjtin fat do të pësojnë më vonë edhe Facebook dhe Twitter.
Një përdorues deklaron se ndalimi i LinkedIn shënon “një epokë të re në censurën masive”, ndërkohë që një tjetër frikësohet se në të ardhmen do të bllokohen faqe të tjera. “Ata janë si sadistë, po na vrasin pak nga pak”.
Mediat sociale kanë luajtur një rol të rëndësishëm në organizimin e protestave të opozitës në Rusi. Ato janë bërë një burim i rëndësishëm alternativ informacioni, ndërkohë që kontrolli shtetëror mbi mediat tradicionale është rritur.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë se Roskomnadzor ka vepruar në përputhje me ligjet vendase.
Ai shtoi se Kremlini nuk ka ndër mend të ndërhyjë në këtë situatë.
Një zëdhënës i LinkedIn tha se “aksioni i Roskomnadzor për të bllokuar LinkedIn u mohon aksesin milionave përdoruesve që ne kemi në Rusi dhe kompanive që përdorin LinkedIn për të rritur biznesin e tyre. Mbetemi të interesuar për një takim me Roskomndazor për të diskutuar mbi kërkesat e tyre”.
Burimi: BBC