Rrjeti profesional më i madh në botë u themelua më 5 maj 2003 nga Reidd Hoffman dhe kolegët e tij. Fillimet e tij me disa mijëra përdorues, kuotimi në bursë, blerja nga ana e Microsoft dhe shndërrimi në një rrjet social
15 vitet e para
LinkedIn mbush 15 vjeç dhe dhurata më e mirë që mund t’i bëjë vetes është të dijë që në këto 15 vite ka mundur të krijojë një rrjet prej 562 milionë përdoruesish në të gjithë botën. Rrjeti profesional më i madh në planet jo vetëm është rritur në mënyrë të ndjeshme, por ka përjetuar evolucionin në botën e punës në mijëvjeçarin e ri. Sektorët me numrin më të madh të përdoruesve mbeten të njëjtët, me teknologjinë e informacionit në krye, shërbimet dhe sektori shëndetësor.
Gjithçka nisi më 5 maj 2003
Historia e LinkedIn nis në vitin 2002, kur Reidd Hoffman bashkoi një numër të konsiderueshëm kolegësh që kishin bashkëpunuar me të në SocialNet dhe PayPal, por data zyrtare e themelimit është 5 maj 2003. Në fund të të njëjtit vit, LinkedIn arriti të merrte financimin e parë të rëndësishëm nga Sequoia Capital.
Të ardhurat e para
2006-a është viti i parë kur LinkedIn arriti të korrte fitime – kjo edhe falë funksioneve të shtuara gjatë kohës. Një vit më parë ishte shtuar funksioni që sot i korrespondon “Punë” dhe abonimet në versionin Premium. Më pas, sugjerimet për persona me të cilët mund të hyni në kontakt.
Platforma mobile
Në vitin 2008, pasi kaloi 10 milionë përdorues në të gjithë botën, u prezantua versioni mobile dhe u realizuan faqet në gjuhën franceze dhe spanjolle.
Kuotimi në bursë
Vitet 2009 – 2011 ishin veçanërisht të rëndësishëm, Jeff Weiner u bë drejtuesi i ri ekzekutiv i LinkedIn dhe kompania u fut në bursë në vitin 2011. Ndërkohë rrjeti vazhdonte të rritej duke arritur 90 milionë persona.
10 vitet e para
Në vitin 2013 rrjeti profesional festoi 10-vjetorin me 225 milionë përdorues dhe 3700 të punësuar, të shpërndarë në të gjithë botën.
Blerja nga ana e Microsoft
Një moment i rëndësishëm për shoqërinë shënohet në vitin 2016 me blerjen nga ana e Micsosoft për 26 miliardë dollarë, ndërkohë numri i përdoruesve në LinkedIn ishte më shumë se 430 milionë në të gjithë botën.
Modeli Facebook
Në vitin 2017 ndodhi një tjetër ndryshim i rëndësishëm, LinkedIn mori karakteristika dhe layout të ngjashëm me Facebook, me praninë e një News Feed të personalizuar dhe një chat të brendshëm analog me atë të Messenger.
Burimi: Corriere della Sera