Liqeni i Shkodrës: Si po zhduket peshku

27/03/2012 16:01 0 komente

Alarmi jepet nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit në Shkodër. Si rrjedhojë e ushtrimit të peshkimit nga kushdo, pa njohuri të nevojshme profesionale dhe të etur për fitime, peshkimit me lëndë plasëse e energji elektrike, në periudha dhe vende të ndaluara, ka rënë ndjeshëm sasia e peshkut të zënë. Njëkohësisht janë shkatërruar dhe dëmtuar ekosistemet, janë mbishfrytëzuar burimet dhe është rrezikuar riprodhimi i gjeneratave të reja në Liqenin e Shkodrës, duke pësuar humbje ekonomike dhe zvogëluar kontributin e tij në furnizimin ushqimor.E thënë me shifra, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, rëniet kanë të bëjnë kryesisht me speciet autoktone, në masën 50%, ku dëmtimet më të mëdha vërehen në speciet migratore si ngjala, qefulli, levreku, duke i lënë vendin specieve të padëshiruara si sharoku e skorta. Sipas specialistëve të kësaj fushe, deri në vitin 199l, zënia e specieve migratore varionte në 200 deri në 230 ton në vit, ndërsa gjatë vitit 2003 e në vazhdim, zënia e tij shkoi deri në 22 ton në vit.Si degjeneroi peshkimiProblemet e shumta sociale hodhën në ujëra mjaft “peshkatarë”, të cilët nuk kishin as njohuritë më të vogla në drejtim të zbatimit të kritereve biologjike bazë të këtij sektori kaq të rëndësishëm jetik dhe ekonomik. Kështu rritja e numrit të peshkatarëve dhe gjuetia pa kriter, përbëjnë faktorin kryesor të kësaj dukurie negative. Këtu veçojmë se nga l00 peshkatarë që ishin në vitin l99l, në vitin l999 numëroheshin rreth 800 të tillë. Ndërsa në vitet pasardhës, numri i tyre ka rënë në rreth 500, pasi ato nuk arritën të realizojnë të ardhurat e tyre.Rrugëzgjidhjet Të flasësh për rrugëzgjidhje të sakta dhe të plota në drejtim të shfrytëzimit racional të kësaj gjuetie, nuk do të ishte punë fort e vështirë, por i vështirë është zbatimi i tyre, pasi ligjet biologjike nuk të lejojnë të tolerosh në këtë drejtim. Sjellja e ekuilibrit të strukturave peshkore në nivelin e mëparshëm nuk është i pakorrigjuar, por kërkon studime, investime dhe kohëzgjatje. Sipas specialistëve të peshkut, në këto kushte emergjente që ndodhet liqeni i Shkodrës, nevojitet sensibilizimi i opinionit mbarë qytetar që të përcaktojnë qartë detyrat për shmangien e kësaj dukurie, sigurimin dhe masat që duhet të marrin për të ndaluar gjuetinë e padrejtë të peshkut.Fatkeqësisht, problemet e ekzaminuara, shpalosin sot para çdokujt një realitet tepër kokëfortë, i cili i detyron të gjitha strukturat komunitare që të krijojnë një vizion të ri dhe largpamës në vlerësimin kompleks të pasurive ujore, gjithnjë në dobi të komunitetit, me siglën “Mbrojtja e pasurive kombëtare si prona me përfitime të mëdha komunale”. Ky ndryshim thelbësor do të ndihmonte në radhë të parë në trajtimin e burimeve peshkore, kaq të vlefshme për ekonominë e lodhur që po përjeton populli i Shkodrës dhe i gjithë rajoni verior i vendit. Dhe për të ruajtur tërë këtë tërësi ujore, faunën e këtij liqeni nga ndërhyrjet e jashtme vdekjeprurëse, sipas Drejtorisë së Bujqësisë, nevojitet një kundërpërgjigje e menjëhershme me mendime konkrete për rrugëzgjidhje të shpejtë:l) Shteti dhe përdoruesit e burimeve ujore të gjalla duhet të ruajnë ekosistemet ujore. E drejta për të peshkuar mbart në vetvete detyrimet për të vepruar në një mënyrë të përgjegjshme, në mënyrë që të sigurohet ruajtja dhe administrimi efektiv i burimeve ujore të gjalla;2) Krijimi i strukturave kontrolluese dhe vepruese në përshtatje me legjislacionin ndërkufitar (një ekosistem, një ligj), të aftë të sigurojë ruajtjen e specieve kryesore të liqenit;3) Mbrojtja dhe rehabilitimi i vendeve kryesore të prodhimit dhe i vendstrehimeve të peshqve;4) Krijimi i mbivlerës në produktet e peshkimit, nëpërmjet proceseve të konservimit dhe transformimit (tymosje etj.), në përputhje me standardet europiane;5) Aktivizimi i akuakulturës (rritja artificiale), mbi bazën e të gjitha kritereve, gjithmonë duke u nisur nga pozita gjeografike që ka qyteti i Shkodrës, si nevojë e domosdoshme e kohës:a) shtimi i peshkut për konsum;b) shfrytëzimi i burimeve ujore dhe tokësore në përshtatshmëri me ruajtjen e vlerave ambientale;c) kalimi i një pjese të peshkatarëve në alivamente (rritësa të peshkut);d) prodhime rasati për popullimin e liqenit dhe ujëmbledhësve të tjerë.Kushtet natyrore për investime të tilla janë mjaft favorizuese dhe në një numër të madh, mjafton të përmendim këtu fushën e Bunës. Në këtë mënyrë Shkodra e rrethuar me ujëra, ka mundësi për të zhvilluar një sektor të fuqishëm peshkimi, duke ofruar mundësi punësimi, ushqimi për popullsinë dhe të ardhurat e nevojshme të jetesës.Në këtë drejtim duhet të flitet edhe për peshkimin sportiv, që për vlerat e tij turistike, çlodhëse, argëtuese dhe ekonomike, ka pasur një zhvillim tepër të madh, kryesisht në bregliqenin perëndimor. Mungesa e vendeve të ndryshme, ku mund të peshkohet në këto vitet e fundit, u ka privuar amatorëve këtë sport aq të bukur dhe çlodhës. Peshkimi sportiv me format e tij dhe vende të shumta është mjaft premtues në zhvillimin e ekoturizmit në përgjithësi.Udhëtim në liqenin e ShkodrësNë liqenin e Shkodrës jetojnë rreth 45 lloje peshqish. Gjysma e tyre jeton vazhdimisht në këto ujëra dhe pjesa tjetër ka si karakteristikë dukurinë e migrimit biologjik. Kështu, l2 lloje peshqish shkojnë e vijnë në detin Adriatik nëpërmjet lumit Buna, ndërmjet tyre blini, kubla, ngjala, qefulli i verës dhe ai i vjeshtës, levreku, shojza dhe disa peshq të tjerë të vegjël, të cilët zhyten në liqen me tufa të mëdha. Një grup peshqish vijnë në liqen nga ujëra të ëmbla përreth tij (si nga lumi Moraqa), por edhe nga degëzime lumenjsh malorë. Kështu, trofta e malit ikën në verë në lumenj dhe atje në vjeshtë shumëzohet, kurse ngjala riprodhohet në pjesët e ulëta të lumenjve. Në liqen gjendet edhe mrena e egër, e cila njihet si peshk i liqenit të Ohrit dhe vjen në liqenin e Shkodrës nëpërmjet lumit Drin. Në liqenin e Shkodrës tashmë janë shtuar shumë edhe peshqit e introduktuar si karasi, amuri, pllameza, ballgjeri e disa të tjerë.Liqeni i Shkodrës ka karakteristikat e një liqeni ideal për llojet e familjes së krapit. Kjo kushtëzohet kryesisht nga karakteret subtropikale të këtij liqeni. Krapi është një peshk shumë i rëndësishëm i liqenit të Shkodrës. Ai arrin në një gjatësi mbi l metër dhe peshë deri në 20 kg. Si specialitet i këtij uji, krapi rreh në bregun lindor të liqenit në ujëra të cekta nga fundi i muajit mars deri në gjysmën e dytë të muajit prill. Liqeni i Shkodrës ka një zhvillim interesant, ku shumë specie të reja peshqish i shtohen atij duke hyrë nga drejtime të ndryshme si barkuleci, sharmaku, notaku etj. Historikisht Liqeni i Shkodrës më i madhi në Ballkan, kufi natyral mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, ka qenë burim jetese për banorët e rajonit. Vetëm gjatë periudhës së monizmit zënia e peshkut ka variuar nga 900 deri në l200 ton në vit, duke furnizuar me peshk të freskët të gjithë zonën veri dhe verilindore të Shqipërisë.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.