Monitor publikon numrin e studentëve sipas universiteteve private, për të cilat është propozuar heqja e licencave apo pezullimi….
Sipas statistikave të fundit të INSTAT, numri i studentëve që kanë studiuar deri në vitin 2012 në institucionet e larta arsimore private që sot rrezikojnë t’iu hiqet licenca llogaritej në 16,000 e atyre që rrezikojnë pezullimin 10,000 dhe e universiteteve që mund të vazhdojnë aktivitetin, por me kusht llogaritet në 8,000. Lista e publikuar nga Ministria e Arsimit mbi institucionet që rrezikojnë, pezullimin, heqjen e licencës, por edhe vazhdimësinë me kusht është e gjatë dhe duket se nuk ka kursyer as emra të njohur të universiteteve private.
Në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT janë rreth 43 institucione private të arsimit të lartë. Për vitin akademik 2011-2012, statistikat tregojnë se numri i studentëve të regjistruar në total ishte 34,550 ose 22% e numrit total të studentëve të regjistruar për periudhën 2011- 2012. Kjo shifër është rritur në mënyrë drastike ose më saktë 85 herë në krahasim me numrin e studentëve që ishin të regjistruar në periudhën
2003 – 2004. Hapja e tregut arsimor, rritja e numri të institucioneve private kanë bërë që sistemit shtetëror t’i ikin një pjesë jo e vogël e “tortës”.
Megjithatë të dhënat e INSTAT tregojnë edhe disa shifra të tjera që fare mirë mund të konsiderohen sa të “frikshme”, aq edhe qesharake sepse flasin për institucione të larta arsimore, private ( që shpesh nuk ngurojnë ta konsiderojnë veten universitete) që për periudhën 2011- 2012 kanë pasur shifra studentësh në 30 apo 50 veta, sa pothuajse një klasë e nëntëvjeçareje apo gjimnazi.
Statistikat e detajuara
Janë rreth 16 mijë studentë që ishin të regjistruar në Universitetet për të cilat qeveria ka vendosur mbyllje aktiviteti, ku më kryesorët janë Universiteti Kristal dhe Vitrina, me përkatësisht 7800 dhe 5000 studentë.
Ndërsa numri i studentëve në universitetet që janë propozuar për pezullim është rreth 10 mijë, ku më kryesori është Albanian University (ish UFO), me rreth 7500 studentë (shiko tabelen me poshte).
Në total janë rreth 26 mijë studentë, në universitetet që prodhonin një biznes prej rreth 40 milionë eurosh (duke llogaritur një tarifë mesatare shkollimi prej 1500 euro për student).
Në total Biznesi i universiteteve private llogaritet në qarkullojë rreth 50-55 milionë euro në vit (rreth 35 mijë studentë shumëzim 1500 euro/student).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.