Llogaritë e qeverisë, humbi mbi 20 milionë USD për “10 euro”, KLSH :Kontratat “1 euro” me probleme

13/09/2017 1:09 PM 0 komente
1euroNew

Qeveria “Berisha” lançoi gjatë qeverisjes së tij nismën “Shqipëria 1 euro” që synonte të nxiste bizneset drejt investimit. Të gjithë ato që përmbushnin kriteret e punësimit dhe vlerës minimale të investimit mund të merrnin pronën shtetërore kundërt pagesës simbolike të 1 euroje.

Qeveria Rama preferoi të mbante të njëjtën politikë duke synuar rritjen e investimeve në sektorë të ndryshëm. Por duket se jo të gjitha kontratat e nënshkruara nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes përmbushin kushtet e nevojshme për të përfituar nga nisma “|1 euro”.

KLSH konstaton se në 10 kontrata të nënshkruara ka parregullsi dhe i është shkaktuar një dëm në të ardhura buxhetit të shtetit në nivelin e mbi 2.4 miliardë lekëve apo më shumë se 20 milionë USD. Pra bizneset që kanë përfituar nuk kanë përmbushur kriteret që lidhen me punësimin apo vlerën e plotë të investimit.

Konstatimet e KLSH

Nga auditimi dokumentacionit të shoqërive për marrje me qira të pasurisë publike, u konstatua se, favorizimi i tyre nëpërmjet kontratave simbolike favorizuese “1 Euro”, është i paargumentuar dhe i pajustifikuar, me tregues, teknikë, ekonomiko-financiarë, dhe tregues të tjerë që lidhen e burimet e punësimit, e konkretisht:

-Nuk ka të dhëna për prodhimin vjetor, të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin vjetor me qëllim garantimin e vazhdimësisë së aktivitetit të çdo shoqërie të interesuar për marrje me qira të pasurisë publike, madje duhet theksuar se edhe në një rast është lidhur kontratë favorizuese me ‘1 Euro” në një kohë kur kjo shoqëri deklaron se ka një aktivitet të konsoliduar dhe fitim të akumuluar në fund të vitit 2015 në shumën prej 319,2 milionë lekë, çka tregon se nuk ka një përcaktim të saktë të shoqërive që duhen favorizuar me kontrata simbolike “1 Euro”;

-Nuk ka të dhëna apo tregues për burimin e financimit të investimeve, makineri, pajisjeve dhe ambienteve të tjera të shërbimit për trajtim të punëtorëve në se do sigurohen nga fitimi i aktivitetit ekzistues, apo me kredi bankare për të qenë të besueshëm në realizimin e shpenzimeve dhe çeljen e vendeve të reja të punës si kusht për përfitim të kontratës   favorizuese “1 Euro”, duke lenë shteg për përdorim të mjeteve financiare jashtë kanaleve të bankës.

-Nuk ka të dhëna për aktivitetin aktual të subjekteve që kërkojnë të zgjerojnë prodhimin nëpërmjet objekteve shtesë si, treguesit ekonomikë, prodhimin e realizuar, koston për njësi shpenzimet e prodhimit dhe të ardhurat nga shitja, për të garantuar vazhdimësinë e treguesve pozitivë ekonomikë edhe në kontratën e re me kushte favorizuese “1 Euro”; -Plan bizneset e shoqërive nuk janë të shoqëruar me treguesit e punësimit dhe të dhëna demografike për popullsinë e zonës dhe shkallën e papunësisë si një burim potencial për të garantuar numrin e fuqisë punëtore në objektin që kërkohet të merret me qira për zhvillim apo zgjerim aktiviteti.

– Nga auditimi konstatohet se në 7 raste është shpallur fitues subjekti i vetëm konkurrues, të cilët kanë deklaruar se do kryejnë investime tepër minimale që variojnë nga 2.8 deri 31 % të vlerës së përcaktuar në VKM nr. 54, datë 05.02.2014, duke mos justifikuar dhe argumentuar në këtë mënyrë edhe çeljen e vendeve të reja të punës. Mangësitë e mësipërme nuk justifikojnë propozimet dhe miratimet e kontratave favorizuese simbolike “1 Euro”, pasi nuk janë argumentuar me vlerën e investimeve, treguesit ekonomiko-financiarë, burimet e financimit të investimeve dhe çeljen e vendeve të reja të punës, duke sjellë si pasojë përfitim të padrejtë nga 10 shoqëri dhe të ardhura të munguara për buxhetin e shtetit në shumën prej 2,466,681,000 lekë.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz