Work Hard. Have Fun. Make History (puno shumë, argëtohu, bëj histori). Mesa duket, konsulentët fiskalë të Amazon e morën më seriozisht sesa duhet moton e gjigantit të tregtisë online dhe e aplikuan fjalë për fjalë në planifikimin e strukturës së tyre fiskale
Në tetorin e 2017-s, Komisioni Europian, në vendimin e tij të fundit (SA.38944), gjykoi se Amazon kishte shmangur tatimet mbi të ardhurat që kishte nga shitjet në Europë gjatë periudhës maj 2006 – qershor 2014. Sipas autoritetit europian, përfitimi nga kjo shmangie 8-vjeçare arrinte deri në vlerën 250 milionë euro (pra 31.5 milionë euro në vit).
Struktura fiskale që përdorte Amazon konsiderohet të jetë agresive (aggressive tax planning). Kompania ka punuar fort dhe i ka kushtuar shumë kohë gjetjes së lagunave fiskale ndërkombëtare për të optimizuar në maksimum strukturën e saj operative, aq sa të sfidohet nga institucionet e Bashkimit Europian.
Si funksiononte struktura fiskale e Amazon në Europë?
1. Grupi kishte një kompani operative në Europë (LuxOpCo – Amazon EU Sarl) që merrte vendimet dhe kryente aktivitetin tregtar në lidhje me shitjet e produkteve në Europë. Kjo kompani zgjidhte dhe blinte produktet, menaxhonte shitjet online dhe transportin e produkteve te konsumatori final. Kjo kompani kishte një licencë për përdorimin e software të Grupit. Për këtë licencë, ajo i paguante honorare (royalties) kompanisë mëmë (Lux SCS).
Nëpërmjet politikave të transfer pricing, kompanitë kishin vendosur që shuma e honorareve të ishte sa 90% e të ardhurave të kompanisë operative, përqindje e konsideruar si tepër e lartë nga Komisioni Europian dhe jashtë çdo vlere tregu (arm’s length price). Kështu që këto pagesa ulnin drastikisht bazën tatimore të kompanisë operative, duke e kaluar pothuajse të gjithë fitimin te kompania mëmë. Në Luksemburg, kjo politikë ishte e ligjshme, sepse niveli i honorareve (royalties) dhe i bazës tatimore të kompanisë operative ishte rënë dakord me autoritetet tatimore të Luksemburgut nëpërmjet një vendimi tatimor (tax ruling).
2. Nga ana tjetër, Lux SCS, kompania mëmë e kompanisë operative që përfitonte honoraret e ekzagjeruara, cilësohej në Luksemburg si kompani holding.
Kjo do të thotë që kompania ishte bosh, pa aktivitet ekonomik dhe pa punonjës.
Sipas legjislacionit të Luksemburgut, kjo kompani holding ishte financiarisht transparente, pra që për të ardhurat që kompania fiton nuk tatohet ajo, por ortakët e saj. Fakti që ortakët ishin dy kompani amerikane, që nuk kishin prezencë në Luksemburg, bënte që ky shtet të mos mund t’i tatonte dot, për rrjedhojë kompanitë amerikane do të tatoheshin në SHBA për fitimet që gjeneronte holding i Luksemburgut.
3. Hapi i fundit i këtij zinxhiri evaziv ishte shmangia e tatimit në SHBA mbi të ardhurat që vinin nga kompania holding. Megjithëse kompania holding (Lux SCS) konsiderohej transparente në Luksemburg, në SHBA taksapaguesit mund të vendosin vetë nëse duan që filialet e tyre të konsiderohen transparente apo jo, dhe kështu të integrohet ose jo fitimi i filialeve në bazën e tyre tatimore. Ky sistem njihet si regjimi check-the-box. Kur një kompani amerikane selekton check-the-box, filialet e saj konsiderohen transparente (pothuajse jo ekzistente) dhe kur nuk e përzgjedh, filialet konsiderohen kompani normale në juridiksionin e tyre.
Kuptohet që në rastin e Amazon, dy kompanitë amerikane që zotëronin kompaninë holding nuk përzgjodhën check-the-box dhe kështu fitimet e kompanisë në Luksemburg nuk i kaluan kompanive amerikane e për rrjedhojë, ato nuk u tatuan. Sipas parimeve tatimore ndërkombëtare, kompania holding (Lux SCS) do të karakterizohej si një kompani hibride, që për shkak të ndryshimeve legjislative midis dy shteteve të ndryshme, të ardhurat e saj nuk tatohen në asnjërin nga shtetet.
Në këtë mënyrë, Amazon ia dilte të kryente evazion tatimor në Europë në një shumë të llogaritur prej 250 milionë eurosh ose 3/4 e të gjithë fitimit nga shitjet në Europë.
Have Fun
Siç mund të shihet, taksimi ndërkombëtar dhe planifikimi i transfer pricing është si loja Monopoly e tatimeve. Kompanitë multinacionale luajnë me rregullat e vendosura duke i përthyer ato deri në limitin e thyerjes.
Nëse i hedh një sy medias ndërkombëtare, çështja e shmangies së tatimeve nga kompanitë e mëdha është kthyer në një nga shqetësimet më kryesore të botën moderne.
Përveç Amazon, Komisioni Europian ka investiguar edhe të tjera multinacionale si Apple, Starbucks, Fiat, IKEA, të cilat gjithashtu kanë krijuar strukturat më komplekse tatimore që njihen në histori. Opinioni publik, kryesisht pas krizës ekonomike globale, është kundër këtyre makinacioneve dhe dëshiron një barazi më të plotë në detyrimet tatimorë ndërkombëtare. Për këtë arsye, Bashkimi Europian po synon të ndryshojë sistemin tatimor në mënyrë që të arrijë të tatojë këto firma dhe të parandalojë evazionin fiskal dhe zhvendosjen e fitimit (Base Erosion and Profit Shifting – BEPS).
Nga Edland Graci
International Tax/Transfer Pricing Consultant
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.