Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) ka licencuar subjektin e parë që do të ushtrojë aktivitetin në lojërat elektronike në distancë. Kjo vjen në kushtet kur vetëm në nëntor të vitit të kaluar qeveria miratoi edhe kushtet dhe kërkesat teknike që duhet të plotësojë subjekti që do të licencohet në këtë kategori. Sipas të dhënave të AMFL kompania është Universe sh.a e vetmja me këtë lloj aktiviteti në vendin tonë.
Referuar ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesit kompania rezulton të jetë regjistruar në 4 korrik 2017 me një vlerë kapitali prej 1.2 miliardë lekësh kurse vlera e kapitalit të shlyer është 357 milionë lekë.
Aksionerët janë dy ku shumicën e MAREN me 70 për qind të aksioneve dhe e dyta Universal Software Solutions N.V me 30 për qind të tyre. Zyra qendrore e kompanisë rezulton në Durrës kurse dytësorja në Tiranë e plotësuar me të dhënat e fundit vetëm në mars të këtij viti.
Kompania ka në objekt të saj kryerjen e veprimtarive në të gjitha fushat e ndërtimit, transportit, reklamave, lojërave te fatit, import, eksport, hoteleri, turizëm, lojëra elektronike në distancë, call center, teknologji informacioni, shërbime kompjuterike, marketing, krijimi dhe menaxhimi i web sites, shërbim design ëebi, programe kompjuterike dhe elektronike, ,regjistrim domain-esh, prodhim dhe përpunim tekstilesh, fabrikim në industrinë e veshjeve , dizenjime, bar, restorant, aktivitete financiare, aktivitet në këmbim valutor, evente të ndryshme, telekomunikacion, media dixhitale, produksion, tregti me shumicë dhe pakicë.
Ligji “Për lojërat e fatit” i vitit 2016 përcaktonte si kategori që mund të licenohen, kompanitë që mundësojnë edhe lojërat elektronike në distancë. Në nëntor 2017 qeveria përcaktoi me një vendim të veçantë kushtet për licenimin ku ndër të tjera shuma e kapitalit nuk duhet të jetë më pak se 1.2 miliardë lekë.
Po kështu subjekti ose njëri nga aksionaret duhet të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit ndërkohe që kompania duhet që të bëjë deklarim për burimin e të ardhurave. Regjistrimi është I nevojshëm në mënyrë që kompanisë që ushtron aktivitet në lojërat elektronike në distancë pra në internet, të mos i bllokohen faqet.
Ajo që është e vështirë për t’u kontrolluar në rastin e lojërave elektronike në distancë është paraja që qarkullon në to. Kjo do të thotë se një (X) kompani e cila ka serverin në Spanjë mund të ofrojë lojërat e saj në internet. Serverët e saj ndodhen në Spanjë, por lojtarët shqiptarë përmes internetit mund të luajnë në një nga këto lojëra. Pagesa në këto raste bëhet me karta të parapaguara standard ose përmes kartave bankare. Loja mund të luhet nga shtëpia, nga sallat e internetit apo edhe nga celulari në çdo vend ku ndodhet lojtari.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.