Kuvendi ka miratuar këtë të enjte projektligjin që mbyll njëherë e mirë kazinotë elektronike, bastet sportive dhe lojërat elektronike në distancë. Me 75 vota pro nga deputetët e Partisë Socialiste hapet rrugë që nga 1 janari 2019 asnjë kazino apo pikë basti të mos mbetet e hapur. Të vetmet lojëra që mbijetojnë në treg janë Lotaria Kombëtare e cila është një koncesion 10 vjeçar, bingot televizive si dhe kazinotë në hotele me 5 yje.
Pas votimit në Kuvend Kryeministri Edri Rama reagoi përmes një statusi. “Kuvendi sapo miratoi me 100% të deputetëve të pranishëm ndalimin e bixhozit (kazino elektronike dhe baste të çdo lloji, off apo online) në 31 dhjetor. Fjalët mbrapsht shpifësve të çdo kanali e portali, ndërsa me aktorët e Kinoshqupit kemi dhe gjyqet se do paguajnë një më një ata” shkroi Rama.
Gjatë kësaj jave projektligji “Për lojërat e fatit” kaloi me procedurë të përshpejtuar diskutimi në komisionet parlamentare ndërkohë që në ndryshim nga ddr5afti fillestar I miratuar në qeveri u paraqitën edhe amendamente që shtonin si kategori që hiqej nga lista e lojërave që lejohen edhe ato elektronike në distancë si dhe faktin që tashmë organizimi dhe zhvillimi i kalon shtetit.
Një nga pikat ku është vënë më shumë theksi gjatë këtyre ditëve ka qenë pjesa që lidhej me presionin që po ushtrohej sipas kreut të qeverisë por edhe Kryetarit të Komisionit të Ekonomisë për mosvotim të ligjit.
Sakaq kompanitë e vetme që janë gjendur të surprizuara përpara kësaj situate janë ato të pikave të basteve të cilat janë gjendur të suprizuara përpara vendimit të mbylljes ndërkohë që kazinove elektronike iu la dy vjet kohë për t’u përgatitur për këtë proces.
Këto kompani theksojnë se janë të pasaktën 7 mijë të punësuar që gjenerojnë të ardhura nga sektori pasi janë të punësuar ndërkohë që nga ana e Financave është bërë me dije se do të ketë një program rikualifikimi për t’u integruar në tregun e punës.
Buxheti I shtetit pritet që të humbë miliona euro të ardhura. Bazuar në xhirot e deklaruara të 14 kompanive kryesore të kazinove, basteve, loto, bingo, lotari, qarkullimi vjetor zyrtar i industrisë ishte 16.6 miliardë lekë, ose rreth 132 milionë euro në 2017-n, me rritje vjetore 9.3%. Biznesi më i madh është te kazinotë, që raportuan 10 miliardë lekë të ardhura (60% e totalit).
Megjithatë, rritja e aktivitetit të kazinove ishte minimale në 2017-n, ndryshe nga kompanitë e basteve sportive, që panë zgjerim të të ardhurave me 20%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.