30 destinacione të ndara në tri kategori.
Lonely Planet, portali më i madh në botë për guida turistike, ka hartuar renditjen e dhjetë vendeve më të mira që duhet të vizitoni në vitin 2018.
Përveç vlerësimit të bukurisë në vlerë absolute, janë marrë në konsideratë edhe atraksionet që mund ta bëjnë një udhëtim më të këndshëm.
Kili
Nuk është rastësi që Kili, me rastin e 200-vjetorit të pavarësisë, është vendi i parë që këshillohet. Kryeqyteti i Kilit, Santiago, është gati të vishet me ngjyrat e festës dhe t’u dhurojë turistëve copëza historie, muzikë dhe specialitete tradicionale.
Koreja e Jugut
Në vend të dytë është Koreja e Jugut, që po përgatitet për të mirëpritur Lojërat Olimpike 2018. Guida këshillon në mënyrë të veçantë një shëtitje në Skygarden në zemër të Seulit.
Portugalia
Në vend të tretë në podium është një destinacion europian, Portugalia, e cila po pëlqehet gjithnjë e më shumë (dhe nga pensionistët, që e shohin si një vend për të kaluar pleqërinë). Lisbona është cilësuar qyteti më i magjishëm në vitin 2017.
Xhibuti
Një surprizë, e gjitha për t’u zbuluar, është Xhibuti, shteti i vogël në Afrikën Lindore, që laget nga Deti i Kuq. Kultura elektrizuese, plazhet e mrekullueshme dhe zhytjet mes peshkaqenëve-balena – ju keni edhe më shumë arsye për t’i hipur aeroplanit dhe për të parë me sytë tuaj bukuritë e Nënës Natyrë në këtë vend.
Zelanda e Re
Vijon Zelanda e Re, e cila vetëm 25 vjet më parë nisi të tërheqë turistë në kërkim të aventurave dhe vendeve të pazbuluara.
Malta
Destinacioni i dytë europian është Malta (në vend të 6), e cila tërheq turistët me tempujt historikë dhe fortifikime të shumta të shekullit 17. Valleta, kryeqyteti i Maltës, është shpallur Kryeqyteti Europian i Kulturës për vitin 2018.
Gjeorgjia
Në vend të tetë, Gjeorgjia. Në këtë udhëkryq të Kaukazit të Jugut, historia nuk është diçka e së shkuarës, por drejton çdo lëvizje të ndërlikuar gurësh shahu që Gjeorgjia bën në të tashmen. Me mendim ndaj së ardhmes, por krenare në traditën e saj, Gjeorgjia është një vend me një kuzhinë të pasur me receta të vjetra që gatuhen nëpër taverna ku njerëzit ngrenë dolli për të nderuar heronj të vjetër e të rinj.
Mauritius
Ishulli i Mauritius feston këtë vit 50-vjetorin e pavarësisë. Ishulli është i famshëm për detin e tij të kristaltë, rezortet luksoze, ku ju mund të bëni zhytje, sërf, vozitje me kajak dhe shëtitje me kroçera.
Kina
Nuk do të mjaftonte një muaj për të bërë një xhiro rreth e përqark Kinës, e cila renditet në vend të nëntë. Vendi me popullsinë më të madhe në botë është i madh, i bukur dhe gjithë mister dhe me shpirt aventure.
Afrika e Jugut
Klasifikimin e mbyll Afrika e Jugut: plazhe dhe male, kafshë të egra e verë – nuk mund të mos përmendim edhe kulturën e pasur dhe qytetin e famshëm Cape Town.
2018 është viti i duhur për të vizituar Afrikën e Jugut, duke qenë se do të mbahen festimet për 100-vjetorin e lindjes së Nelson Mandelës.