Lotaria kombëtare ishte në vitin e parë operativ të plotë të aktivitetit në 2013-n.
Të dhënat e raportuara në bilancin e kompanisë tregojnë për të ardhura në nivelin e 373 milionë lekëve (rreth 2.7 milionë euro), nga të cilat 200 milionë lekë nga loto 6 nga 39 dhe 175 milionë lekë nga biletat gërvishtëse (rreth 3 milionë lekë kanë qenë zbritje për biletat falas).
Shpenzimet kanë qenë dyfish më të larta në rreth 624 milionë lekë, si rrjedhojë e marketingut agresiv, që i ka kushtuar 324 milionë lekë në 2013-n dhe shpenzimeve, ndërsa ka qenë më e ulët shuma që është shpenzuar për fituesit e lotarisë (194 milionë lekë, rreth 1.4 milionë euro).
“Lotaria Kombëtare sh.p.k.” është shoqëri tregtare shqiptare, 100% në pronësi të shoqërisë “Österreichische Lotterien” (e njohur edhe si “Austrian Lotteries”).Shoqëria “Austrian Lotteries” është pjesë e grupit “Casinos Austria/Austrian Lotteries Group”. Në vitin 2013 ky grup kishte 5.072 punonjës në 17 vende në të gjitha kontinentet, me të ardhura gjithsej nga xhiroja afariste prej 3.515,6 miliard euro.
Sipas faqes së saj zyrtare, “Lojëra me Përgjegjshmëri” është parimi bazë i të gjitha veprimtarive të “Austrian Lotteries”, pra edhe i Lotarisë Kombëtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.