Përdorimi i llotarive tatimore të bazuara mbi kuponat tatimorë në funksion të rritjes së pajtueshmërisë tatimore (TVSH) ka një interes në rritje në mesin e shteteve anëtare të BE-së. Disa vende kanë aplikuar tashmë skema llotarie të tilla, p.sh. Malta në vitin 1997, Sllovakia në vitin 2013 dhe Portugalia në vitin 2014. Të tjerët kanë qenë të intriguar në lidhje me mundësinë e aplikimit të një llotarie.
Përdorimi i llotarive tatimore gjithashtu ka një histori edhe jashtë Evropës, sidomos në Tajvan nga viti 1950. Ndërsa ka interes në rritje në përdorimin e llotarive tatimore në të gjithë Evropën, të kuptuarit e praktikave më të mira dhe faktorëve të suksesit është ende i kufizuar.
Ministria e Financave në Shqipëri ka shpallur se gjatë vitit 2015 do të futë për herë të parë në Shqipëri llotarinë e kuponave tatimorë, me argumentin për të rritur arkëtimin e TVSH-së dhe për të luftuar evazionin. Mendohet se shmangia më e madhe që i bëhet pagesës së TVSH-së është për ata të cilët kanë kasa fiskale, por që vlerat e shumë artikujve që shesin nuk i regjistrojnë në kasë. Mbledhja e kuponave për 2014 ka shënuar rritje. Nga 13.2 milionë kuponë të mbledhur në 2013, një vit ma pas janë mbledhur 16.2 milionë.
Dy variantet që diskutohen për lotarinë e kuponave tatimorë janë:
– hedhja e një shorti muaj për muaj dhe më pas një shorti të madh çdo vit,
– shpallja e fituesit në moment.
Llotaritë me kuponat tatimorë zbatohen për të rritur lëshimin e faturave nga bizneset te konsumatorët. Në këtë mënyrë, transaksionet ka më shumë të ngjarë që të jenë pjesë e ekonomisë zyrtare (jo hije) dhe TVSH-ja mund të mblidhet me kosto më të ulët. Ideja e skemave të llotarisë është që të nxitë konsumatorët për të kërkuar faturën. Nxitja mbështetet mbi faktin se marrja e kuponit nuk është vetëm një copë letër që dokumenton transaksionin e bërë, por shërben si një (potencial) biletë llotarie, duke i dhënë konsumatorëve të drejtën për të marrë pjesë në një llotari tatimore. Llotaria nga ana e saj i jep shans për të fituar një çmim për një faturë të tërhequr rastësisht
Për këtë arsye, duke marrë faturën (për një transaksion ligjor) nuk ka kosto shtesë për konsumatorin, ajo bëhet e vlefshme, pasi ajo shërben si një biletë llotarie. Për autoritetin tatimor, kostoja e paguar si çmim llotarie (dhe administrimin e llotarisë) kompensohet nga ana tjetër nga të ardhurat shtesë prej rritjes së bazës tatimore, dhe me një efekt qytetaro-investigativ në zbulimin e bizneseve që mashtrojnë me TVSH.
Megjithatë, pa teknologjinë faturat fiskale janë shpesh të padobishme për konsumatorët. Ato janë vetëm një copë letre e cila mund të hidhet (dhe kjo ndodh zakonisht) në mënyrë tipike menjëherë pas blerjes. Akoma më shumë, në mjaft vende ku edukata fiskale nuk është konsoliduar ende për të kërkuar një faturë pas blerjes së kryer kuponi nuk ka asnjë vlerë për tu tërhequr. Fatura do të jetë vetëm kosto për shitësit dhe konsumatorin, edhe pse kostoja në çdo transaksion ligjor është mjaft e vogël (bojë dhe letër për shitësit, tërheqja e faturës për konsumatorin). Megjithatë, moskërkimi i faturës lehtëson evazionin që kryhet nga shitësi. Veçanërisht nga ana e konsumatorit, shpesh nuk merret në konsideratë kjo kosto shoqërore në ndihmë të evazionit. Mundësia që të luftohet evazioni duke marrë faturën anashkalohet.
Ndërsa qasja e përgjithshme e një llotarie tatimore është relativisht e drejtpërdrejtë, specifikat e lidhura me organizimin dhe prezantimin sa më të mirë të llotarisë janë shpesh më pak të qarta. Edhe efekti pozitiv fiskal (kostoja e shortit e neutralizuar nga reduktimi i evazionit TVSH) është një çështje empirike.
Për më tepër, procesi ekonomiko- politik i lotarisë tatimore (dmth, perceptimi se si të konsiderohet një skemë e tillë në gjykimin politik) kërkon një vlerësim paraprak. Përveç kësaj, llotaria tatimore mund të shërbejë edhe për qëllime të tjera, të tilla si një mjet komunikimi me qytetarët për të theksuar rëndësinë e pagesës së taksave. Ajo gjithashtu mund të shkaktojë një diskutim publik në lidhje me karakterin e dyanshëm të tatimeve (a janë tatimet më shumë se vetëm një haraç, apo edhe një e drejtë nga e cila qytetarët presin diçka në kthim).
Koncepti i një llotarie të faturave tatimore është i bazuar në idenë se një blerje e konsumatorit është shumë më e lehtë për t’u regjistruar në ekonominë zyrtare, nëse shitësi lëshon një faturë fiskale për konsumatorin. Në disa vende, ku ka një sistem të avancuar të arkave regjistruese në përdorim, ku arkat komunikojnë direkt në autoritetet tatimore transaksionet që kryhen, të gjitha shitjet për të cilat lëshohet një kupon (faturë) tatohen në kohë reale. Në çdo rast, me tu lëshuar një faturë bëhet më e vështirë për shitësit për ta shmangur TVSH, duke mos qenë më të pavarur prej sistemit tatimor dhe regjistrit të mjeteve monetare të vendit.
Pikërisht, qëllimi kryesor i llotarisë së faturave tatimore është për të ndryshuar këtë situatë dhe sjellje të konsumatorit. Ideja e futjes së një llotarie tatimore është që ta bëjë të vlefshme pranimin e faturës nga konsumatori (edhe në qoftë se vetëm psikologjikisht). Nëse fatura e marrë shërben si një biletë llotarie, konsumatorët mund të kenë një arsye për ta kërkuar atë. Për më tepër në Shqipëri ku kultura më e përhapur nuk është për të kërkuar faturë, lotaria mund të shërbejë si një lojë (e dëshirueshme). Duke qenë se kostoja e prerjes së faturës për shitësin është e pandjeshme, një konsumator i cili kërkon një vërtetim për blerjen që kryen do të binte ndesh me kluturën e prapambetur të moskërkimit të kuponit, si ndodh realisht në praktikë. Nga ana tjetër, kërkimi i faturës tregon se ai nuk beson në sinqeritetin fiskal të shitësit dhe kërkimi i faturës mund ti krijojë debate me shitësin.
Por, në qoftë se një llotari është në proces zbatimi, kërkimi i faturës nuk konsiderohet më tej si një tregues mosbesimi, por justifikohet me dëshirën për të marrë pjesë në llotari. Efektet psikologjike për këtë arsye mund të minimizohet, qëkurse arsyeja e llotarisë qëndron më lart se arsyeja për të kërkuar faturën nga shitësi. Për këtë efekt, është rritur vlera e kuponave që lëshohen nga shitësi, ndërsa kostoja potenciale ulet.
EC/ AL Tax Center
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.