Billbordet që reklamojnë Powerball, një lotari amerikane, nuk kanë qenë mjaft të mëdha për të shfaqur shifrën e çmimit të madh (xhekpot) në lojën e zhvilluar mbrëmjen e 13 janarit: 1.6 miliardë dollarë, shkruan The Economist. Ky çmim do të ndahet mes tre fituesish, që i blenë biletat e tyre në Kaliforni, Florida dhe Tenesi. Që disa ditë më parë, ethet e lotarisë kapluan mbarë kombin: radhë të gjata formuar jashtë dyqaneve që shesin bileta dhe në ditën e hedhjes së shorteut shitjet arritën normën prej 787,000 dollarë për minutë. Faqja e internetit të PoWerball referoi disa këshilla për klientët e saj. Një këshillë disi më e dobishme do të kishte qenë se blerja e një bilete lotarie është argëtuese, por financiarisht qesharake.
Një kumarxhi që blen një biletë Powerball ka 1 në 292 milionë shanse për të fituar xhekpotin. Blerësit kanë rreth katër herë më shumë gjasa të vriten nga ndikimi i një asteroidi këtë vit. Lotaritë janë projektuar për të qenë një marrëveshje e keqe, duke gllabëruar paratë e pjesëmarrësve në mënyrë që të mbushin boshllëqet e buxheteve shtetërore dhe të financojnë kauza të mira.
Për më tepër, hartuesit po përmirësohen në punët e tyre.
Victor Matheson, profesor i ekonomisë në Kolegjin e Kryqit të Shenjtë në Massachusetts, shpjegon se shitjet janë shumë më të ndjeshme ndaj madhësisë së xhekpotit sesa gjasave për të fituar. Pas fitores së një çmimi veçanërisht të madh, ka një efekt ‘iluminimi’, kështu që shitjet e biletave mbeten të larta edhe pse çmimi i madh i është rikthyer normës. Pra, hartuesit e lotarive bëjnë shumë përpjekje për të rritur shifrën e çmimit të madh.
Një truk i lehtë është që çmimi i madh të duket më i madh se sa është. Shumat e reklamuara nga Powerball përfaqësonin vlerën parataksave për 29 vjet të të ardhurave vjetore që fituesit mund të zgjedhin të marrin. Nëse fituesi në vend të kësaj zgjedh një shumë të madhe, ata marrin vetëm mbi 60% të kësaj, për të cilën ata duhet të paguajnë taksa prej të paktën 40%. Një tjetër qasje është të rrisësh xhekpotin duke zgjeruar hapësirën gjeografike të lotarisë dhe kështu gamën potenciale të pjesëmarrësve të saj.
Powerball dhe Mega Millions, dy lotaritë më të mëdha amerikane, e kanë përdorur këtë linjë veprimi. Duke ‘farkëtuar’ aleanca mes lotarive shtetërore, ato tashmë janë në dispozicion për banorët e 44 shteteve të Amerikës nga 50 në total. Në mënyrë të ngjashme, EuroMillions, një lotari që mbulon nëntë vende europiane, ka ofruar dy herë një xhekpot prej 190 milionë eurosh (206 milionë dollarë).
Megjithatë xhekpoti që ka thyer rekord i Powerball buron kryesisht nga një strategji më e rrezikshme.
Në qoftë se shanset për të fituar reduktohen aq shumë saqë askush nuk supozon kombinimin e duhur të numrave, çmimi xhiron duke u rritur drejt një shume të madhe. Si Powerball ashtu dhe lotaria kombëtare britanike i ndryshuan rregullat e tyre për këtë qëllim në muajin tetor, duke rritur numrin e topave në lotari. Në Britani ndryshimi zvogëloi mundësinë për të fituar nga 1 në 14 milionë në 1 në 45 milionë. Në Amerikë, ai u reduktua nga 1 në 175 milionë me 1 në 292 milionë.
Ekziston perceptimi: vështirësoheni se tepërmi fitoren e lotarisë, dhe ‘kumarxhinjtë’ do të humbasin interesin. Pra, teksa projektuesit e lotarisë kanë ulur shanset për të fituar çmimin e madh, ata kanë rritur shanset për të fituar çmime më të vogla, vëren David Spiegelhalter i Universitetit të Kembrixhit.
Teksa xhekpotët më të mëdhenj tërheqin më shumë konsumatorë, rritet mundësia që dikush të fitojë. Po kështu ndodh edhe me mundësinë e fituesve të shumtë, të cilët ulin vlerën e pritshme të një bilete. Në prag të shortit të kësaj jave, organizatorët e Powerball prisnin që të ishin blerë afërsisht 86% të të gjitha kombinimeve të mundshme numerike, duke sugjeruar shitjen e rreth 570 milionë biletave.
Me kaq shumë bileta të shitura, shansi që një fitues ka për të ndarë ‘fitoren’ me të tjerët (siç ka ndodhur në të vërtetë) ishte rreth 68%, në krahasim me vetëm 4% për shitje më tipike të 25 milionë biletave.
Shumë rrallë ka ndodhur të grumbullohen kaq shumë lojtarë ndërsa ka rënë vlera e pritur e xhekpotit, dhe kryesisht kur xhekpotet në ofertë kanë vlera marramendëse.
Por shqetësimi po bëhet gjithmonë e më i zakontë.
Lotaria kombëtare e Britanisë ka pasur kërkesa të panumërta në prag të xhekpotit rekord prej 66 milionë paund (95 milionë dollarë) që u fitua më 9 janar. Shitjet për shortin Powerball që nga ndryshimi i rregullave të tij në tetor (përjashtuar shortin më 13 janar) kanë qenë 134% më të larta se për 28 shortet e mëparshme. Sipas z. Matheson, konsumatorët të cilët tërhiqen nga xhekpote më të larta priren të jenë më të pasur se mesatarja. Kështu, ndërsa lotaritë mund të arrijnë gjithmonë e më shumë para për një mundësie gjithmonë e më të vogël për t’u pasuruar, të paktën “barra” nuk rëndon mbi “më të këputurit”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.