Lufra blen fabrikën e gjermanëve të Meggle në Rrogozhinë

16/07/2018 11:01 PM 0 komente

Fabrika e kompanisë gjermane Meggle, më shumë se dy vite pas mbylljes, është blerë nga shoqëria shqiptare e përpunimit të qumështit, Lufra.  Burime nga kompania konfirmuan blerjen për Monitor, pa dhënë detaje për çmimin.

Meggle është filiali i kompanisë gjermane të produkteve të bulmetit Meggle AG dhe kishte hyrë në Shqipëri në vitin 2010, pasi bleu sipërmarrjen vendase Fast dhe tregtoi me markën e Fast. Në vitin 2013 ajo ishte më e madhja në vend, me një xhiro vjetore prej 320 milionë lekësh, por humbjet e mëdha e detyruan atë të mbyllte fabrikën në fillim të 2015-s dhe të tregtonte qumështin e importuar me markën e vet gjermane, Meggle. Kostot e larta të lëndës së parë prej copëzimit të lartë të fermave dhe mungesa e standardeve nga njëra anë dhe konkurrenca e pandershme, nga ana tjetër, e bënë të vështirë ambientin për biznes të kompanisë Meggle në Shqipëri.

Meggle, nxori  në shitje fabrikën e qumështit në Shqipëri në shtator të 2017-s, ku përfshiheshim impiantet e prodhimit, toka ku është vendosur fabrika dhe zyrat. Në shitje dolën një sipërfaqe toke prej 8.000 metër katrorë dhe linjat e përpunimi të qumështit, tanke të izoluara, homogjenizator, pasterizator, sterilizator, linja e mbushjes së qumështit UHT (lëngjeve) dhe produkteve të fermentuara (Kos). Kapaciteti mbushës afërsisht 35 milionë litra, pajisje për filtrimin e ujit, kaldajë, magazinë me sipërfaqe 2.000 metër katrorë, ambiente zyrash 200 metër katror dhe të gjitha pronat me certifikatë pronësie.

Që pas daljes së Meggle nga tregu, prodhimi i qumështit UHT ka njohur tkurrje në vend. Aktorët e tregut thonë se ky segment aktualisht po mbulohet nga importi.

Duke parë, hapësirat në treg, menaxhimi i kompanisë Lufra vendosi që të bëjë këtë lëvizje dhe të diversifikojë produktet, përmes blerjes së fabrikës, e cila është e vendosur në qendër të Shqipërisë qysh në vitin 2005 dhe është modernizuar me shumë investime gjatë periudhës 2011 – 2014 nga Meggle.

Lufra është kompania më e madhe në vend në sektorin e grumbullimit, përpunimit dhe tregtimit të qumështit, ku në 2017-n shënoi një qarkullim vjetor prej 1 miliardë e 10 milionë lekësh, nga 832 milionë që ishte një vit më parë, me një rritje 20% me bazë vjetore.

 

Arsyet e daljes së Meggle nga tregu

Burimet nga kompania patën pohuar në momentin që fabrika pushoi aktivitetin se, humbja ndër vite kishte qenë sistematike. Arsyeja kryesore duket se ishte konkurrenca e pandershme. Meggle blinte qumësht cilësor te furnitorët me 50 lekë për litër, ndërsa kompanitë e tjera e grumbullonin jo më shumë se 30 lekë për litër, duke mosrespektuar standardin.

Në këtë mënyrë, Meggle e ka pasur të pamundur të përballojë kostot duke ofruar çmime konkurruese.

Sipas pasqyrave financiare të dorëzuara në QKR, kompania në vitin 2012 realizoi të ardhura nga shitjet 379 milionë lekë, me një rënie 20% në krahasim me vitin 2011. Tkurrja e qarkullimit vjetor vijoi dhe në 2013-n, me një rënie prej 16%. Pavarësisht se kompania kishte shitjet më të mëdha në këtë periudhë në krahasim me operatorët e tjerë të tregut nuk ka pasur rezultate pozitive, pasi këto të ardhura nuk kanë mbuluar kostot. Në vitin 2012, kostot e prodhimit ishin 421 milionë lekë, ndërkohë që të ardhurat ishin 379 milionë lekë. Humbjet vjetore të kompanisë i kanë kaluar të 2 milionë dollarët. Më vonë në vitin 2013, humbjet e kompanisë u thelluan edhe më shumë për shkak të prishjes së imazhit nga pretendimet e autoriteteve të Kosovës se, qumështi Fast që prodhohej nga Meggle në Shqipëri, kishte Aflatoksinë. Këto ngjarje e bënë të pamundur aktivitetin e kompanisë në Shqipëri. Meggle ofronte produktet e qumështit UHT, djathë dhe produkte të ndryshme të fermentuara si krem, kos, gjalpë, të cilat janë prodhuar nga qumështi shqiptar.

Në një vrojtim të posaçëm për industrinë e qumështit që bëri Këshilli i Investimeve vitin e kaluar vërejti se sektori është zhytur thellë në informalitet. Studimi gjeti se, qumështi grumbullohet dhe tregtohet 65% në të zezë. Nga 450 baxho dhe fabrika, vetëm 150 janë të regjistruara.

Në të gjithë zinxhirin e industrisë së përpunimit të qumështit ka aktorë që operojnë në mënyrë informale, pa pasur NIPT-in dhe pa lëshuar fatura me TVSH.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of