Që prej vitit 2014, aplikimet për marka nga bizneset kanë shënuar rritje të ndjeshme. Edhe aplikimet për patenta për shpikje dhe modele përdorimi kanë arritur rekord. Konfliktet e bizneseve për emrat
Nga Deada Hyka
Makthi i një drejtuesi biznesi – të zgjohesh një ditë dhe të kuptosh që në treg ka një tjetër “ti”, në logo, emër, lloj, ngjyrë etj. Menjëherë fillon të mendojë se çfarë do të ndodhë gjersa e gjen veten në dyert e gjykatave, seancat e të cilëve duken se nuk kanë të mbaruar…
Specialistët e fushës së çështjeve civile tregojnë se janë rritur shumë rastet e gjyqeve për arsye tregtare, sidomos ato që lidhen me të drejtat e pronësisë intelektuale dhe industriale. Në komunikim me Revistën Monitor, dy kompani që ndodhen në Gjykatë, po përpiqen të provojnë para ligjit shqiptar vlefshmërinë e aktivitetit të tyre me markën përkatëse, teksa secila nga to “ankohet” për humbje klientele, për vulnerabilitet të sistemit gjyqësor, për mosfunksionim të ligjit aktual të regjistrimit të pronësisë industriale dhe deri tek akuza të manipulimit. Si është e vërteta? Seancat gjyqësore vijojnë dhe palët e kontaktuara shprehen si më poshtë:
Gazment Zeneli, drejton kompaninë në pronësi të detergjentit ABC, pjesë e Colgate Palmolive, e regjistruar në Shqipëri në vitin 1997, në klasën nr.3 të “preparate pastrimi dhe detergjent”, e riregjistruar në 2007 dhe më pas, në 2017. Sipas ligjit, kjo markë është e mbrojtur deri në vitin 2027. Z. Zeneli pretendon se e njëjta markë, në të njëjtën fushë, me emër dhe logo të njëjtë është regjistruar në Shqipëri në vitin 2016, padrejtësisht.
“Kompania jonë është në gjykatë për këtë arsye. Një produkt i njëjtë me tonin, në emërtim dhe logo po qarkullon në treg dhe ne dëmtohemi nga kjo. Seancat gjyqësore po vijojnë dhe nuk i dihet se si do t’i shkojë halli kësaj çështjeje. Janë bërë dhënia e markave si treg domatesh”, – tregon për “Monitor” z. Zeneli. Ai shton se ka bërë kërkesë për analizim të mostrës së preparatit tjetër dhe nga ku, rezulton se detergjenti në fjalë ka 20% kripë.
“Po dëmtohemi shumë, sepse po na ikën klientela, amvisat nuk blejnë më ‘ABC’, pa e ditur që ka një tjetër në treg i cili ka cilësi të ulët me tonën. Ne po përpiqemi të ruajmë standardin e kompanisë amerikane Colgate Palmolive, e cila e ka parë me shqetësim këtë çështje dhe kushtet e investimit më tej në Shqipëri. Edhe Ambasada Amerikane ka dërguar një letër në Kryeministri ku sugjeron rishikim të çështjes.”- vijon më tej të tregojë z. Zeneli.
Ai shtoi se në një takim në Kryeministri, ku treguan shqetësimin e tyre për çështjen në fjalë, u është thënë se asnjë ndërhyrje nuk mund të bëhet sa kohë që Gjykata të përfundojë çështjen. “Jemi të vendosur ta çojmë këtë çështje në Arbitrazh”, – thotë në fund z. Zeneli, i cili tregon që shqetësimin e tyre e kanë shfaqur edhe në institucione të tjera si Inspektorati Shtetëror dhe Krimi Ekonomik.
Ana tjetër e medaljes, Ridvan Hoti, i cili ka në pronësi “PROCHEM”, me aktivitet prodhimin dhe importimin e detergjentëve dhe lëndëve të para të tyre, tregon për “Monitor” se produktet që tregton, i ka regjistruar si marka kombëtare, ndër to: ABC dhe SEV.
“Për Markën Kombëtare ABC kam aplikuar që më 30 prill 2015 dhe certifikatën e pronësisë e kam marrë më 14 qershor 2016. Natyrisht, marka kaloi fazën e ekzaminimit, si dhe fazën e publikimit që është detyrimisht tre muaj. Gjatë publikimit, logo e markës u kundërshtua nga znj. Vjollca Shomo, avokate e P&G, me pretendimin për ngjashmëri të rrathëve elipsoidalë të markës ARIEL, me gjysmë rrathët elipsoidalë të markës kombëtare ABC. Pas shqyrtimit të kërkesës së znj. Shomo nga Bordi i Apelimit i DPPI u pa që kundërshtimi ishte i pabazë dhe u vendos që marka kombëtare ABC (fjalë dhe figurë) të regjistrohej”, – tregon z. Hoti, i cili tani gjendet në Gjykatë përballë “ABC” së Colgate Palmolive.
Z. Hoti tregon për “Monitor” që u padit më tej nga përfaqësuesi i firmës së huaj të ABC, fillimisht në Gjykatën e Shkodrës, ku Prokuroria e pushoi çështjen si të pabazë. Më pas, në Gjykatën Administrative të Tiranës, ku është aktualisht dhe i akuzuar DPPI si palë e tretë.
Z. Hoti tregon se edhe për markën e regjistruar kombëtare SEV është paditur nga përfaqësuesi i një firme turke me të njëjtin emër, në pronësi të Beyaz Kagit.
“Shqetësimi im, – vijon z. Hoti, – është se mendoj që nëpërmjet vulnerabilitetit të sistemit gjyqësor, instrumentalizimit të gjykatës dhe akrobacive të fjalëve, po kërkohet të anashkalohen ligjet që rregullojnë Pronësinë Industriale në RSH. Kjo është shumë e rrezikshme dhe përbën precedent që me këtë lloj trendi të mos ketë më ligj për Pronësi Industriale, por vetëm të fortë që instrumentalizojnë shtetin”.
DPPI, shqiptarët regjistrime rekord në 2016
Aplikimet e depozituara pranë DPPI (Drejtoria e Pergjithshme e Pronësisë Industriale) deri në vitin 2013 nuk kanë tregues rritje, sipas burimeve zyrtare. Nëse flasim për aplikime për marka të depozituara, që në vitin 1994 kur është krijuar institucioni i Pronësisë Industriale, kanë pasur luhatje një vit rritje, një vit rënie, duke treguar se nuk ka pasur një strategji të mirëfilltë si të synohej rritje e vazhdueshme.
Që prej vitit 2014, aplikimet për marka kanë shënuar rritje nga viti në vit dhe konkretisht në vitin 2014 u depozituan 905 aplikime nga 775 që ishin në vitin 2013, në 2015 u depozituan 937 të tilla dhe në vitin 2016 u depozituan 1055 aplikime për marka duke shënuar për herë të parë që nga krijimi i DPPI, një shifër rekord aplikimesh.
Edhe aplikimet për patenta për shpikje dhe modele përdorimi kanë shënuar rritje të konsiderueshme. “Theksoj këtu që aplikimet për patenta dhe modele përdorimi që prej krijimit deri në vitin 2014, kanë qenë të papërfillshme madje kishte vite që nuk kishte asnjë aplikim të tillë”, pohon Elvin Lako, kreu i DPPI.
Në vitin 2014 u depozituan 12 aplikime për patenta dhe modele përdorimi nga 4 që ishin një vit më parë në 2013. Në vitin 2015 u depozituan 18 të tilla dhe në vitin 2016 u depozitua një numër tjetër rekord prej 27 aplikimesh për patenta dhe modele përdorimi në fazë kombëtare.
“Pra në vitin e fundit, DPPI shënoi rekord të aplikimeve të huaja dhe vendase, duke i dyfishuar dhe trefishuar ato në krahasim me tre apo katër vite më parë. Në mënyrë të veçantë janë inkurajuar shpikësit shqiptarë. DPPI ka bërë përpjekje për t’i identifikuar ata dhe i ka ftuar të paraqiten pranë DPPI për mbrojtje të shpikjeve të tyre. Gjithashtu janë prezantuar edhe lehtësitë ligjore që përfitojnë shpikësit që ndjekin studimet universitare, pensionistët ose personat me aftësi të kufizuara në lidhje me tarifat e reduktuara prej vetëm 100 lekësh, me qëllim nxitjen e tyre për aplikim pranë DPPI”, – thotë Elvin Lako, kreu i DPPI.
Mbrojtja, ja te cilët sektorë më tepër
Nga një studim i bërë nga DPPI, gjatë hartimit të Strategjisë Kombëtare të PI 2016-2020, u vërejt që numri i madh i aplikimeve për marka në DPPI, është nga produktet dhe kryesisht ato ushqimore dhe blegtorale. Për marka shërbimesh, numri më i madh është nga shërbimet e shitjes më shumicë dhe pakicë të produkteve të ndryshme.
“DPPI e ka në prioritet që të rrisë numrin e aplikimeve edhe nga biznese që ofrojnë shërbime të tjera në tregun vendas, pasi këto shërbime nuk janë të pakta, duhet vetëm që ne t’i ndërgjegjësojmë që mbrojtja e objekteve të PI është shumë e rëndësishme dhe një vlerë e shtuar për cilindo që e ka krijuar. Sa u takon aplikimeve për patenta, ato kryesisht janë nga individë. Aktualisht nuk ka asnjë aplikim për patentë nga universitetet vendase apo nga kompani”, – pohon për “Monitor”, kreu i DPPI.
Markat, patentat dhe kultura e shqiptarëve për regjistrim
Në Shqipëri, si në çdo vend postkomunist, fatkeqësisht nuk është kulturë nga shqiptarët që shpikjet apo markat e tyre duhet t’i mbrojnë. Kjo ndodh për arsye se nuk kuptohet siç duhet rëndësia e mbrojtjes si një kapital shumë i rëndësishëm.
“Nisur nga kjo, është detyrë e DPPI që të ndërgjegjësojë publikun për këtë. Kjo është një sfidë që patjetër kërkon energji, kohë dhe burime financiare”, – pohon kreu i DPPI.
Për këtë, vijon ai, DPPI ka hartuar një plan të detajuar masash në Strategjinë Kombëtare të PI 2016-2020, duke qenë të vendosur që të arrijë të rrisë nivelin e ndërgjegjësimit të PI në vend, si dhe të trajnojë dhe edukojë institucionet vendase, grupet e interesit dhe universitetet mbi rëndësinë e PI.
“Ky plan është cilësuar si reforma më e rëndësishme në historinë e Sistemit të Pronësisë Industriale në Shqipëri, në mënyrë specifike synon nxitjen e ekonomisë shqiptare drejt një ekonomie inovative të bazuar në dije. Të gjithë komponentët e reformës janë përcaktuar qartë në Strategjinë Kombëtare të PI-së, ku shprehet që sistemi i PI duhet të inkurajojë bizneset për implementimin e teknologjive të reja, universitetet për punë kërkimore si dhe krijimin e qendrave për transferimin e teknologjive. Pjesë përbërëse e saj të saj janë sigurimi i të drejtave të Pronësisë Intelektuale, vlerësimi i saj në treg si një kapital shumë i rëndësishëm, mirëfunksionimi i sistemit gjyqësor, si dhe një modernizim të institucioneve.
Gjatë këtyre tre viteve janë organizuar shumë aktivitete në biznese, universitete dhe shkolla në vend për të folur mbi rëndësinë e Pronësisë Industriale në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. DPPI, gjatë këtyre tre viteve, trajnoi punonjësit e doganave në të gjitha pikat doganore, si pika kontakti të drejtpërdrejta me biznesin, me qëllim ndalimin e mallrave të falsifikuara të cilat cenojnë të drejta të PI-së të mbrojtura në vendin tonë. Gjithashtu punonjësit e sporteleve të QKB-së në Tiranë dhe në rrethe u trajnuan në lidhje me objektet e PI-së, me qëllim promovimin e tyre në bizneset të cilat regjistrohen në QKB.
Me ndryshimet e fundit në Ligj është parashikuar krijimi i Qendrës së Trajnimeve të PI, brenda DPPI e cila do të jetë një faktor kyç për trajnimin e përfaqësueseve të autorizuar gjithashtu edhe ekspertëve të PI që deri tanimë kanë munguar”,- pohon z. Lako.
Zbatimi i këtij plani masash është edhe shkaku kryesor i rritjes e dukshëm të numrit të aplikimeve, sipas tij, “Jo vetëm këto aktivitete, por DPPI ka iniciuar dhe kërkuar nga Ministria e Arsimit të përfshijë në kurrikulat e sistemit parauniversitar module të PI, për të edukuar brezat e ardhshëm. I gjithë ky reformim synon dhe do të ndikojë shumë në krijimin e kulturës nga shqiptarët që shpikjet apo markat e tyre duhet t’i mbrojnë si dhe të kuptojnë rëndësinë dhe vlerën e mbrojtës së tyre pranë DPPI-së”, – përfundon z. Lako.
Rastet e konflikteve, Av. Daka: Ja çfarë duhet bërë për përmirësim
Janë të shumta konfliktet mes subjekteve, personave fizikë apo juridikë, të cilat shqyrtohen çdo ditë pranë Gjykatave të të gjitha niveleve, ndonëse ende nuk ka statistika të qarta për numrin e tyre. Kështu pohon për “Monitor”, avokate Denisa Daka, e cila është Përfaqësuese e Autorizuar e Zyrës së Patentave.
“Duke iu referuar veprimeve që përbëjnë shkelje të të drejtave të patentës, pasi kam ndjekur procese të tilla gjatë punës sime, sqaroj në këtë rast, se çdo pronar i patentës ose aplikanti për patentë ka të drejtë të ngrejë padi në Gjykatë, kundër çdo personi që shkel ose rrezikon të shkelë të drejtat për patentën, e në të gjitha rastet kur provohet se shkelja ka ndodhur ose është duke ndodhur, Gjykata kompetente, përveç gjykimit të çështjes në themel, vendos edhe për kompensimin përkatës në këtë rast, si dhe merr masa për parandalimin e shkeljeve të mëtejshme”,- tregon znj. Daka, e cila shton se me shtimin e numrit të rasteve të konflikteve, lind nevoja e menaxhimit më të drejtë të kësaj situate.
Si duhet të veprohet në raste që konstatohet shkelje? Specialistja e fushës tregon se, nëse pronari i patentës së regjistruar, paraqet një ankesë për mallrat e importuara në Republikën e Shqipërisë, ose mallrat e tjera brenda tregut, të cilat rezulton të cenojnë të drejtat e tij, autoritetet doganore janë të detyruara të bëjnë verifikimet përkatëse dhe në bazë të investigimeve korrekte të vendosin bllokimin e zhdoganimeve ose heqjen e tyre nga tregu, duke pasur njëkohësisht detyrimin të njoftojnë menjëherë importuesin ose tregtarin për masat e marra në këtë rast.
Me rritjen e numrit të regjistrimeve të markave, vijon edhe rritja e rasteve të proceseve në radhë për t’u gjykuar çdo ditë në Gjykatat e të gjitha niveleve, lidhur me kundërshtimin ndaj një marke të depozituar për regjistrim ose të regjistruar, pohon avokatja.“Në çdo rast, personat e interesuar, pronarë të markave përkatëse, kërkojnë të zgjidhin gjyqësisht këto konflikte me të tretët, duke kërkuar ndalimin e veprimeve të tjera që shkelin të drejtat, gjithashtu kërkojnë edhe shpërblim për dëmin e shkaktuar në çdo rast, e cila mund të ngrihet në çdo rast brenda 3 viteve nga data kur paditësi merr dijeni për shkeljet e kryera në çdo rast. Me kërkesën e palëve të interesuara gjykata vendos në çdo rast marrjen e masave të përkohshme, të cilat konsistojnë në: ndalimin e hyrjeve së mallrave përkatëse në qarkullim, ndalimin e shkeljeve të pritshme, konfiskimin, nxjerrjen jashtë qarkullimit ose vënien nën kontroll të objekteve që përbëjnë shkelje, si dhe urdhëron bllokimin e pasurive të paluajtshme të shkelësit të pretenduar.
Është themelore për çdo subjekt, që kryen një veprimtari të posaçme të fitojë të drejtën për të mbrojtur një markë, duke specifikuar në këtë rast dhe në listën e mallrave dhe shërbimeve për të cilat kërkohet regjistrimi, në përputhje me klasifikimin ndërkombëtar”, – tregon znj. Daka.
Në fund, av. Daka sugjeron se pronarët e markave dhe patentave në çdo rast të evidentimit të shkeljeve të të drejtave të tyre, duhet të godasin gjyqësisht çdo veprim të padrejtë që bie ndesh me të drejtat e tyre në këtë rast, brenda afateve ligjore të përcaktuara në këto raste në ligj.Pronësia intelektuale dhe industriale
Pronësia intelektuale kryesisht përfshin krijimet e mendjes në fusha të tilla si në muzike, letërsi, punë artistike; shpikje, simbole, emra, imazhe dhe dizajnime, të përdorura në biznes, duke përfshirë të drejtat e autorit, markat tregtare, patentat dhe të drejta të tjera të lidhura me to. Nën legjislacionet e ndryshme të pronësisë intelektuale, mbajtësi i kësaj prone “abstrakte” ka të drejta ekskluzive të punës krijuese, simboleve tregtare ose shpikjeve që ai ka regjistruar.
Të drejtat e pronësisë intelektuale janë të drejta ekskluzive dhe mbrohen nga Ligji “Për të drejtat e autorit” si pune krijuese, si p.sh. librat, filmat, muzika, pikturat, fotografitë, programet, dhe i japin mbajtësit të tyre të drejta ekskluzive për kontrollin e riprodhimit për periudha të caktuara kohe. Ndërsa një kategori tjetër të drejtash ekskluzive përfshin “pronësinë industriale”, kur krijimet janë krijuar dhe përdorur për qëllime industriale dhe tregtare. Të rëndësishme janë dhe konceptet e markës dhe patentës në këtë fushe. Një patentë është e garantuar për një shpikje të re të përdorshme dhe e pazbuluar më parë, që i jep mbajtësit të saj të drejtën të pengojë praktikimin e shpikjes pa një leje të shpikësit për një periudhë të caktuar kohe. Ndërsa një markë tregtare është një shenjë dalluese, që përdoret për të shmangur konfuzionin midis produkteve të ngjashme në një treg përkatës. Një sekret tregtar është një informacion jopublik rreth praktikave tregtare ose pronësisë së dijeve të biznesit.
Indeksi i Pronësisë Industriale, Shqipëria çdo vit zbret shkallë
Indeksi Ndërkombëtar për të Drejtat e Pronësisë Intelektuale, në raportin e këtij viti e rendit Shqipërinë në vendin e 118 nga 129 të ekzaminuara, për çdo vit që nga 2015 ku u përfshi për herë të parë në raport, me zbritje shkallësh sipas analizës së Alliance.
Me një rezultat prej 3.8 pikësh, Shqipëria renditet në 15 vendet e fundit në listë dhe e 23-a në rajonin e Europës Juglindore. E krahasuar me vendet e Ballkanit, ndodhet sërish në fund. Serbia renditet në vendin e 110, Mali i Zi në vendin e 105, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina e 116-a.
Ky indeks, i përpiluar nga Organizata Property Rights Alliance, bazohet në disa kategori me disa nënindikatorë: mjedisi ligjor dhe politikat, të drejtat e pronave fizike, të drejtat e pronësisë intelektuale.Shqipëria ka marrë rezultatin më të lartë në nënkategorinë e rregullave ligjorë dhe stabilitetit politik dhe rezultatin më të ulët në piraterinë dhe pavarësinë gjyqësore.
Raporti tregon se Shqipëria ka ende mungesa në të drejtën e autorit, pasi niveli i piraterisë është i lartë. “Duhen bërë ende më tepër politika për Mbrojtjen e Patentave”, – thuhet në raport, fjali të cilën e gjen në raportet e tre viteve të fundit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.