Lufta e kompanive të telekomunikacionit

12/04/2019 10:04 PM 0 komente

A janë problemet e sigurisë të Huawei një avantazh për rivalët e saj europianë? Saga e teknologjisë gjeopolitike po e ndërlikon biznesin për këtë industri

 

Në kohën e kapitalizmit, para përhapjes së vrullshme të internetit, shfaqja e problemeve të një kompanie të fuqishme në një industri të caktuar, përbënte një prej lajmeve më të mira për të gjitha kompanitë e tjera rivale të po kësaj industrie, shkruan The Economist.

Ndërsa sot, situata ka ndryshuar krejtësisht dhe një kufizim i mundshëm i qeverive perëndimore ndaj Huawei-t, lider në tregun kinez të pajisjeve të telekomunikacionit, përbën një shqetësim dhe kërcënim edhe për konkurrentët e tij.

Si Ericsson, një kompani suedeze ashtu edhe Nokia, një kompani finlandeze, do të parapëlqenin t’i jepnin fund sagës gjeopolitike, dhe të përqendroheshin në nënshkrimin e sa më shumë kontratave që kanë lidhje “gjeneratën e pestë (5G)” të rrjeteve të telefonisë celulare. Ndërkohë qeveria amerikane nuk po tërhiqet nga fushata e saj për të bindur aleatët e tjerë që të largojnë Huawei nga marrja pjesë në tenderët 5G, duke theksuar se pjesëmarrja e saj mund të shoqërohet me rreziqe të shumta.

Edhe në fillim të marsit, në një letër dërguar ministrit gjerman të Ekonomisë, i dërguari i Amerikës në Berlin, Richard Grenell, kërcënoi se do të ndërpritet bashkëpunimi i Amerikës me agjencitë gjermane të sigurisë, nëse ky i fundit i lejon Huawei-t ose firmave të tjera kineze të merrnin pjesë në tenderët e 5G-së.

Deri më tani, si Britania ashtu edhe Gjermania, nuk i janë nënshtruar kërkesave amerikane. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi më 19 mars se ajo nuk beson se një kompani mund të përjashtohet nga tregu gjerman, vetëm sepse origjina e kësaj të fundit është nga një shtet i caktuar si në rastin e Huawei-t, por megjithatë ajo ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar në këtë drejtim. Edhe në qoftë se Amerika do të arrinte të bindte Europën në lidhje me përjashtim të kompanisë Huawei, shanset që kompanitë Ericsson dhe Nokia të fitojnë pjesën e humbur të tregut në vitet e fundit janë të pakta.

Nga viti 2015 në vitin 2018, aksionet Huawei u rritën nga 24% në 28%, ato të Nokia-s ranë nga 20% në 17% kurse ato të Ericsson nga 15% në 13%. Një përshkallëzim i luftës ndaj Huawei mund të nxisë Pekinin që të hakmerret ndaj firmave perëndimore, duke mos i lejuar këta të fundit që të operojnë më në Kinë. Dhe kjo do të ishte një goditje e rëndë për të dyja kompanitë nordike të telefonisë celulare. 10% e shitjeve globale të Ericsson rreth 211 miliardë krona (24.2 miliardë dollarë amerikanë) u grumbulluan nga shitjet e tij në Kinë. Kjo kompani ka edhe dy qendra kërkimi dhe zhvillimi në Kinë.

Edhe pjesa e fitimeve që Nokia gjeneron nga kontinenti kinez është e ngjashme, kryesisht nga Hong Kongu dhe Tajvani. Rritja e shitjeve në Europë, në rast të një ndalimi të mundshëm të Huawei, nuk do të shoqërohej me humbje të mëdha në Kinë, sepse sipas Pierre Ferragu nga New Street Research, kinezët do ta prezantojnë gjeneratën 5G, të paktën një ose dy vite më përpara. Ajo çka është e rëndësishme dhe që shqetëson drejtorin ekzekutiv të Ericsson, Börje Ekholm, është se ndalimi i Huawei do të ndikonte në ngadalësimin e prezantimit të gjeneratës 5G në Europë. Kontinenti europian ka mbetur tre deri në katër vite pas Amerikës në drejtim të gjeneratës së tanishme 4G, thotë ai më tej.

Pasiguria mbi rregulloret, çmimet dhe, mbi të gjitha mënyra sesi duhet të veprojnë në drejtim të Huawei, ka mundësi që ta ngadalësojë më tej Europën. Operatorët europianë po lobojnë shumë për të pasur mundësi që të zgjidhin ndërmjet ofertuesve të ndryshëm, shumica e të cilëve preferojnë Huawei, si pasojë e çmimeve më të lira dhe shërbimeve më të mira. Ankandi, i cili tërhoqi katër operatorë të mëdhenj, pritet të zgjasë disa javë. Të katër ofertuesit përdorin aktualisht harduare të Huawei, si antenat apo ruterat.

Kalimi në gjeneratën 5G do të shoqërohet padyshim me kosto të lartë si pasojë e pajisjeve të reja që duhen. Huawei dëshiron të jetë një nga furnizuesit kryesorë (megjithëse së pari duhet të plotësojë kërkesat e larta të sigurisë të vendosura nga qeveria gjermane). Në nëntor kompania kineze hapi një laborator në Bon, baza e rregullatorit të sigurisë kibernetike të Gjermanisë, ku pajisjet e tij mund të testohen.

Edhe pse ndalimi dhe largimi i kompanisë kineze të Huawei nga Europa, është i mundur, nuk duhet të harrojmë se ai do të shoqërohet me kosto shumë të larta për shtete të ndryshme europiane. Kjo do të krijonte probleme të mëdha veçanërisht në shtete ku Huawei operon prej vitesh dhe ku mund të përmendim Italinë, Poloninë dhe Britaninë, shprehet Stéphane Téral nga firma kërkimore IHS Markit.

Edhe pse e hiperbolizuar, sipas Bengt Nordstrom nga kompania e konuslencës Northstream, situata është e ngjashme me atë të kolapsit të vëllezërve Lehman në vitin 2008. Pjesa më e madhe e operatorëve të rrjeteve të telefonisë celulare të Europës përdorin pajisjet 4G të kompanisë kineze Huawei.

I pyetur nëse bisedimet e kohëve të fundit mbi një ndalim të mundshëm të Huawei kanë pasur ndonjë ndikim në shitjet e kompanisë Ericsson, drejtori i saj ekzekutiv, z. Ekholm ka thënë se deri më tani ato nuk kanë pasur ndikim.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of